Nga Gëzim Kabashi
Njësia administrative e Ishmit, në veri të bashkisë së Durrësit një muaj më parë ka nisur promovimin turistik të zonës, synim që me sa duket nuk do të ndalet.
Në kalanë mesjetare u organizuan dy mbrëmje feste, me një qëllim të vetëm: njohjen e vlerave kulturore dhe përfshirjen e banorëve në promovimin e territorit.
Nëntë fshatra në 88 kilometra katrore dhe një trashëgimi mijëvjeçare ku nuk mungojnë kishat antike, bazilika dhe kalatë mesjetare, e më pas shkollat e para në gjuhën shqipe dhe figurat e shquara evropiane të artistëve vendas u japin drejtuesve të Ishmit më shumë vendosmëri për të ardhmen.
Po a mund të kthehet Ishmi në një zonë turistike?
Që nga fillimi i këtij shekulli, kur bregdeti i izoluar ushtarakisht i gjiut të Lalzit doli nga izolimi kufitar komunist dhe i hapi dyert ndërtimit të hoteleve dhe resorteve të para, numri vjetor i turistëve në plazhet e Shën Pjetrit dhe gjiut të Lalzit u rrit në mënyrë të ndjeshme.
Por kontakti i tyre me pjesën kodrinore të Ishmit dhe me monumentet e tij ekziston vetëm në forma individuale.
Ndonëse rrugët që u ngjiten fshatrave, apo që i drejtohen kepit të Rodonit, janë përmirësuar ndjeshëm, ato shfrytëzohen nga banorët apo biznesi, dhe vazhdojnë të mbeten larg interesit të grupeve turistike.
Sipas kryetarit të shoqatës “Ishmi”, Isuf Shehu, nuk ka asnjë territor në bregdetin shqiptar ku plazhet dhe trashëgimia kulturore në zonën kodrinore të jenë ndërthurur më bukur.
E vetmja gjë që i mungon Ishmit është njohja e pasurive të tij nga ana e publikut – shprehet Shehu, I cili këmbëngul në nevojën e promovimit masiv të zonës.
Por duket se ky proces do të kërkojë rivitalizimin e disa monumenteve të rëndësishëm, ku kujdesi i specialistëve mungon prej kohësh.
Vetëm në fshatin Gjuricaj, në pjesën lindore të Ishmit, bazilika e shek 5-6 të erës sonë vazhdon të degradohet, dhe vizitat mbeten thuajse të pamundura.
Jo larg kësaj dëshmie historike të kulturës dhe besimit në vendin tonë, një kullë 3-katëshe, edhe ajo monument kulture, thuajse është rrënuar plotësisht.
Familja Kulla, që banonte aty deri pak vite më parë, pas tërmetit të vitit 2019 u largua përfundimisht.
Vizitorët e Ishmit ndalen më gjatë në kalanë mesjetare, në qendër të njësisë administrative.
Ajo u restaurua mjaft mirë vitin e kaluar, duke u kthyer në pikën e parë të programit për guidat e mundshme.
Edhe festa e muajit të kaluar me ekspozitat, koncertet, dokumentarin kushtuar Ishmit të hijshëm dhe fishekzjarrët e pafund krijuan një mjedis mikpritës edhe për emigrantët e shumtë që kishin mbërritur për pushimet e verës.
Gjithçka u organizua në të njëjtin shesh, ku pushon përjetësisht edhe piktori ishmak me famë evropiane Ibrahim Kodra, vepra dhe lidhja e të cilit me vendlindjen meriton një muze në të njëjtin vend.
“Edhe kur largohen nga vendlindja, ishmakët mbeten tepër të lidhur me Ishmin – tha Genc Shehu, i cili kujton përvojën e ditëve të vështira pas tërmetit të nëntorit 2019.
Sipas tij, e gjithë kjo energji pozitive duhet shfrytëzuar edhe për promovimin e zonës.
“Mjafton të shohësh faqen e internetit të shoqatës “Ishmi” për të kuptuar lidhjen e pandërprerë mes ishmakëve – shprehet Genci.
Në kepin e Rodonit, kisha e Shna Ndout, homologe e kishës së mirënjohur të Laçit, dhe kalaja e Skëndrëbeut, nuk ndodhen shumë larg portit – plazh.
Kjo mundëson mbërritjen në Rodon edhe në rrugë detare, e më pas edhe vizitat në të dy monumentet, ndërtimi i të cilave i përket shek 12-të dhe atij të 15-të.
Ishmi ka një vijë bregdetare prej 28 kilometrash, 8 nga të cilat në Shën Pjetër dhe në gjiun e Lalzit tashmë janë në dispozicion të pushuesve.
Pjesa tjetër, me monumentet historike dhe natyrore, kërkojnë aplikimin e politikave më të mira për territorin, duke korrigjuar mangësitë e vërejtura në projektin qeveritar të 100 fshatrave turistike.
Jo vetëm nga Durrësi e Tirana, në një distancë prej rreth 40 kilometra, por edhe në hyrjet e tij rrugore nga Thumana e veriu i vendit, Ishmi i ka të gjitha mundësitë për tu renditur në listën e hapësirave turistike të qarkut të Durrësit.
Vullnetit të mirë që ka njësia administrative i duhet shtuar edhe mbështetja e bashkisë dhe e ministrive të linjës./reporter.al