Për pallatin 13-katësh dhe sahanlëpirësit e zakonshëm

Exit.al
Një ndër tezat kryesore që elita mediatike po propagandon në mënyrë të ethshme për të delegjitimuar protestën e qytetarëve që kundërshtojnë ndërtimin e këndit në Parkun e Liqenit është se, ata nuk kanë protestuar për ndërtime të tjera, sidomos për 13-katëshin që po ndërtohet përballë Fakultetit Ekonomik. Është një tezë absurde: t’u kërkosh llogari qytetarëve pa pushtet— që kanë lënë shqetësimet e tyre të përditshme për t’u marrë me një çështje publike— është e paimagjinueshme në demokraci. Ndërsa t’u kërkosh qytetarëve llogari për diçka që e kanë bërë pushtetarët, pa u kërkuar aspak llogari pushtetarëve, është shitje tek pushteti. Në fakt, arsyeja pse përdoret një argument i tillë nuk ka të bëjë fare me shqetësimin për 13-katëshin. Nëse ka vërtet qytetarë të këtij vendi që shqetësohen për atë ndërtim, ata do të ishin duke u organizuar për të protestuar ndaj tij. Ata që e përdorin këtë shembull janë militantët e lëpirësit e zakonshëm partiakë, që tashmë po përpiqen të bëjnë akrobacira logjike për të shpëtuar shefat e tyre nga një problem që po i njollos jo pak. Ndonëse, ata duhet t’i kërkonin llogari, pikërisht, kryetarit të Bashkisë dhe Kryeministrit për firmën që kanë hedhur mbi lejen e 13-katëshit, në mënyrë tinëzare ata po përpiqen të kompleksojnë protestuesit. Por e vërteta dhe e drejta janë me protestuesit. Nëse, sot, i gjithë vendi e njeh problematikën e ndërtimeve në park, kjo është rezultat i përpjekjeve disa vjeçare të atyre protestuesve. Po të mos ishte për shumë prej tyre, Parku i Liqenit, sot, do të ishte një kantier gjigant në çdo cep të tij. Kështu, problemin e ndërtimeve poshtë digës së Liqenit Artificial e bëri çështje publike grupimi Qytetarët për Parkun. Arditi e Besniku e dhjetëra të tjerë nga ky grupim e ngrysin, sot, çdo natë në park, pranë atij që ata e quajnë “Ulliri i Rezistencës”. Projektin për Hyrjen e Parkut— nismën e çuditshme që synonte të betonizonte të tërë hapësirën pranë Korpusit të Universitetit— e kundërshtuan publikisht Eljani, Ervini e Rezearta e dhjetëra miq të tyre, siç ata kanë bërë për çdo cenim tjetër të natyrës këto vitet e fundit. Ata janë, sot, ndër zërat kryesorë të protestës për parkun. Ishin qytetarët e grupit Ne Tirana që gjatë zgjedhjeve lokale 2015 bënë publike hartat që tregonin si ishte tkurrur gjatë viteve kufiri i Parkut të Liqenit, nga ndërhyrjet e vazhdueshme klienteliste të dy krahëve politikë. Ishin ata që paralajmëruan që para një viti ndërtimet në park dhe që e detyruan kandidatin e atëhershëm Veliaj të betohej se nuk do të kishte asnjë ndërtim në park. Anxhelën, Mozën, Anisin, Rezin e të tjerë qytetarë të grupimit Ne Tirana (sot Ne Shqipëria) i gjen sërish mes protestuesve të parkut. Nisma “Vota e Bardhë” e përfaqësuar nga Alida, si dhe grupimi “Organizata Politike” kanë kohë që akuzojnë dy krahët e politikës se për interesa klienteliste, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shkelur interesin publik në mënyrë të vazhdueshme. Alida dhe OP-ja janë sot në ballë të protestës së parkut. Zirkoni, Andi dhe dhjetëra të tjerë që ngritën publikun në këmbë për armët kimike dhe importin e plehrave janë, sot, gjithashtu pjesë e protestës në park. Nga ana tjetër lejet e ndërtimit të 13-katëshit u bënë publike vetëm nga dy portale të pavarura, të cilat edhe sot janë burimi kryesor i informacionit për ndërtimin dhe protestat e parkut, në kushtet kur gati të gjitha mediat refuzojnë t’i mbulojnë këto ngjarje të “sikletshme” për pushtetin dhe u bëjnë jehonë vetëm versioneve manipuluese të qeverisë rreth ngjarjeve. Nëse sot publiku e njeh problematikën e ndërhyrjeve të vazhdueshme në park, nëse sot arrijmë të kuptojmë se parku po shkatërrohet për interesa klienteliste, kjo është kryesisht falë kontributit të vazhdueshëm prej kohësh të atyre që sot po protestojnë në park. Të fundit që mund të kompleksohen, sot, duke u përmendur problemet e tjera të betonizimit të Tiranës janë ata që prej vitesh kanë luftuar në mbrojtje të qytetit! Të fundit që mund t’u japin këshilla apo kërkojnë llogari protestuesve janë mediat dhe “intelektualët” që e kanë futur kokën në sahanin e qeverisë më thellë sesa themelet e 13-katëshit!

Exit mobile version