Shqipëria fiton 2-0 në Luksemburg, shënojnë Sadiku e Cikalleshi

Shqipëria rigjen buzëqeshjen me një ndeshje bindëse në Luksemburg ku arriti të dhuronte një paraqitje bindëse për të kaluar 2-0 vendasit në “Josy Barthel”. Edhe pse gjatë pjesës më të madhe të takimit kuqezinjtë luajtën me linjat e dyta, 11 i përzgjedhur nga De Biasi dha një provë bindëse duke treguar soliditet në mbrojtje dhe agresivitet në sulm. De Biasi e niste me formacion krejt ndryshe nga ai ndaj Austrisë, vetëm Berisha ishte i njëjti mes titullarëve, me Veselin, Alijin, Gjimshitin, Ajetin e Cikalleshin në mbrojtje, në mesfushë Memushaj me shiritin e kapitenit në mungesë të Canës, bashkë me Kukelin e Bashën, ndërsa para Cikalleshi me Shalën e Gashin nga krahët. E ndërgjegjshme se këtë herë i duhej të bënte lojën, Shqipëria e nisi në sulm, Cikalleshi tentoi në minutën e 5 me një goditje komplet jashtë shënjestre, ndërsa në minutën e 18 Shkëlzen Gashi shfaqi klasin e tij me një goditje dënimi duke kaluar barrierën por jo portierin Joubert që u përgjigj gati. Në goditjen e këndit menjëherë më pas është Cikalleshi që tenton këtë herë me kokë pa gjetur karërkndëshin, ndërsa Joubert mes shtyllave i thotë jo dy herë rradhazi Veselit në tentativën e tij me kokë dhe më pas edhe Herolind Shalës. Pas gjysmë ore lojë Luksemburgu fillon të nxjerrë kokën para me Delgadon që impenjon Berishën, por gjithsesi pa shumë rrezikshmëri. Episod vendimtar në ekstremin e pjesës së parë me Cikalleshin që merr një krosim të ghjatë dhe avancon i vetëm drejt portës, zotëron topin dhe kalon dhe Joubert që detyrohet ta ndalë në mënyrë të parregullt, duke merituar kështu kartonin e kuq. Në goditjen e dënimit, sulmuesi kavajas gabon vetëm për pak centimetra dhe pjesa e parë përfundon me porta të paprekura.

E dyta nis me Ergys Kacen që zë vendin e Kukelit, rast për Luksemburgun në të 55 me Bensi që kërcënon portën e Berishës. Në të 60 momenti i debutimit te Milot Rashices me Kombetaren e madhe me talentin e ri që futet bashkë me Shehin, Sadikun, dhe Lenjanin me Berishen, Bashën, Memushaj, Shalën dhe Alijin që ju bëjnë vend. Vetëm 3 minuta i duhen Sadikut për të gjetur golin e avantazhit, me Ergys Kacen që kombinon në të djathtë me Veselin, merr krahun dhe kroson në qendër, aty ku nuk fal sulmuesi nga Elbasani. 1-0 me gol të Sadikut që feston me përqafimin me kapitenin Cana në stol, ndërsa De Biasi në momentin e clirimit përgëzimin e ka me shpulla. Në minutën e 67 futet dhe Roshi për Ajetin, dhe në të 75 Shqipëria gjen golin e dyfishimit me Sokol Cikalleshin. Sulmuesi kavajas merr një pasim në zonë nga Gashi, reziston bukur duke ju shmangur markimit me driblim për të shënuar golin e 2-0. Fantastik Cikalleshi në këtë veprim që tregon forcë dhe klas.Në të 78 provon golin e befasisë nga larg Milot Rashica me një goditje të ulët që del jashtë shtyllës në të djathtë të Moris, porta e të cilit kthehet menjëherë më pas në tabelë qitje me Ermir Lenjanin dhe Ergys Kacen që tentojnë me goditjet e tyre. Minutat e mbetura ka vend dhe për spektakël, me këtë driblim të Kaces në zonën e Luksemburgut. Nuk ka më shumë gjëra për të treguar dhe mbyllet gjithcka 2-0 me Shqipërinë që jep një prpovë pozitive.

Exit mobile version