Përdhunuesi do të organizojë koncert fëmijësh

Me mbështetjen absolute të Ramës, Elvis Roshi vijon të sfidojë shtetin ligjor, duke u shfaqur ende në detyrë si kryetar i Bashkisë së Kavajës, e madje duke organizuar aktivitete me fëmijë. Gazeta “RD” denoncoi dy ditë më parë një afishe të publikuar nga Bashkia Kavajë, sipas të cilës nën kujdesin e kryetarit Elvis Roshi do të organizonte një koncert për fëmijë. Dje, Partia Demokratike përmes deputetit Eduard Halimi denoncoi këtë skandal, ndërsa theksoi se ngjarja në fjalë dëshmon fundin e shtetit ligjor ku ligjet dhe Kushtetuta e vendit nëpërkëmbet nga vet kryeministri. Halimi u bëri thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës së 18 shkurtit si e vetmja zgjidhje për t’i thënë ndal keqqeverisjes.
“Shihni pak këtu, i dënuari për trafik ndërkombëtar droge. I dënuari për përdhunim në grup, Elis allias Edvin Rroshi shpërndan afishe dhe sot në Kavajë, se ai i dënuari për përdhunim të të miturve, do të kujdeset personalisht për të organizuar Festivalin e Këngës për Fëmijë. Shiheni pra ku kemi arritur, ai person i cili nga Prokuroria u kërkua t’i hiqej mandati, KQZ kërkoi t’i hiqte mandatin, ta shkarkonte, Edi Rama duhet ta largonte një herë e mirë nga Bashkia, nga partia, nga politika dhe t’i gjente vendin, por ky person është përsëri në krye të Bashkisë, ai person kujdeset personalisht për të organizuar festivalin e fëmijëve. Ja ku kemi arritur. Këtu nuk ka ligj, këtu nuk ka Kushtetutë, këtu nuk ka legjislacion të zbatueshëm, sepse nuk do një njeri, nuk do Edi Rama. Ndaj e vetmja zgjidhje për të gjithë qytetarët është të dalim në shesh. E vetmja zgjidhje janë protestat, në mënyrë që krimi të ndahet një herë e mirë nga politika, në mënyrë që njerëz si ky këtu Elvis Ervin Rroshi i dënuar për përdhunim, i dënuar për trafik ndërkombëtar droge, të mos ketë më të bëjë me qytetarët dhe me postet publike. E vetmja zgjidhje sot është të dalim të gjithë bashkë më 18 shkurt në protestë”, u shpreh dje Halimi.
Një festival fëmijësh do të organizohet në Kavajë më 8 dhe 9 shkurt. Sipas posterit në Kavajë, organizator i këtij festivali do të jetë Elvis Roshi, që sipas posterit është akoma në detyrën e kryetarit të Bashkisë. Rroshi i Kavajës, vazhdon punën i pashqetësuar megjithëse është shkarkuar nga detyra si kryetar i Bashkisë. Fakti që ai nuk e liron zyrën e shtetit konfirmohet dhe nga faqja zyrtare e Bashkisë së Kavajës, ku ai përshkruhet si një njeri i punës, i arsimuar (në fakt vitet si korrespondojnë për përfundimin e shkollës së mesme), biznesmen i suksesshëm etj. Emri i tij duhet të ishte hequr që më datë 29 dhjetor, kur Rama mori vendim qeverie për ta shkarkuar.

Artikulli paraprakQeveria dështoi, mijëra qytetarë të papunë po i drejtohen azilit
Artikulli tjetërRroshi urdhëron protestë në mbrojtje të akuzave ndaj tij