Përgjigjet armiqësore ndaj Trump të papranueshme

Rohrabaher është një prej njerëzve më me peshë në Dhomën e Përfaqësuesve. “Unë kam ndikim në politikbërësit amerikanë tani. Jam kryetari i Komitetit të Jashtëm në Dhomën e Përfaqësuesve që merret me atë pjesë të botës”
Kongresmeni amerikan Dana Rohrabacher i ka cilësuar armiqësore deklaratat dhe qendrimet e Kryeministrit Rama ndaj Presidentit të SHBA, Donald Trump. Në një intervistë për “Vizion Plus”, për sa i takon deklaratës së Ramës për Trump gjatë fushatës zgjedhore në SHBA, Rohrabacher shprehet se tashmë, kryeministri shqiptar duhet të pranojë faktin që Trump është President dhe dhe të heqë dorë nga deklaratat armiqësore ndaj tij. “Trump ka fituar. Ai është President. Tani është koha që të bëhen marrëveshje dhe të mundohemi të shohim se cila është gjëja më e mirë që mund të bëjmë apo përmbushim me këtë njeri si President. Jo të përgjigjemi në mënyrë armiqësore, duke thënë se ne nuk na pëlqen ai apo ai nuk na pëlqen ne. Por të gjejmë diçka që ne mund ta bëjmë dhe që Trump do që ta bëjë dhe le të punojmë të gjithë për këtë. Rohrabaher është një prej njerëzve më me peshë në Dhomën e Përfaqësuesve. Si një ish-ndihmës i Presidentit Regan, Rohrabacher i pëlqen që t’u jepet një shkundje politikave të brendshme dhe të jashtme. Ai e pret me entuziazëm kryerjen e një politike të tillë edhe nga Presidenti i ri Trump. “Vizion Plus” ishte në Kongresin amerikan, në zyrën e zotit Rohrabacher pak ditë pasi ai i dërgoi një letër Presidentit të Serbisë Nikoliç, në të cilën kërkonte që të shqyrtohej mundësia e shkëmbimit të territoreve në Veri të Kosovës, si zgjidhja më e mirë. Rohrabacher shkon edhe më tej: Le të ndryshojnë edhe kufijtë e Maqedonisë. “E urrej ta them këtë, sepse kjo do të bëjë që të gjithë të tërbohen me mua, por pse jo dreqi ta hajë… Qëndrimi im është që Maqedonia nuk është një shtet. Më vjen keq, por nuk është një shtet. Ata janë kaq të ndarë, sa kurrë nuk do të jenë në gjendje që të shkojnë mirë së bashku. Prandaj, kosovarët dhe shqiptarët e Maqedonisë duhet të bëhen pjesë e Kosovës. Ndërsa pjesa tjetër e Maqedonisë duhet të bëhet pjesë e Bullgarisë apo çfarëdo vendi tjetër me të cilët ata pretendojnë se kanë lidhje. Ideja që do ta mbajmë Maqedoninë gjallë sepse dikush, 30 vjet më parë vendosi që ky është konfigurimi që duhet të dalë nga shpërbërja e Jugosllavisë, nuk çon në një arsyetim që kjo ide të mbahet ende”, shprehet Rohrabaher. Por a do ta mbështesë administrata e Trump këtë ide? “Unë kam ndikim në politikbërësit amerikanë tani. Jam kryetari i Komitetit të Jashtëm në Dhomën e Përfaqësuesve që merret me atë pjesë të botës. Ne do të kemi seanca dëgjimore në muajt në vijim. Një nga çështjet që do të diskutojmë është ndryshimi i kufijve në mënyrë që ata të kenë kuptim dhe të sjellin paqe në Ballkan”, shprehet ai. Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve komenton edhe çështjen e pagesës për mbledhje fondesh për Partinë Demokrate në SHBA në vitin 2012. “Disa njerëz po përpiqeshin të bënin disa gjëra që nuk ishin etike. Jam i lumtur që isha në gjendje që të paktën të tregoja. Nuk ka rëndësi se kush e bën këtë dhe cilës palë politike të Shqipërisë i përket. E rëndësishme është që këtu në SHBA nuk mund të kemi këtu njerëz që vijnë dhe luajnë ato lloj lojërash. Dhe ta bëjnë këtë të duket sikur janë amerikanë mbështetës të një partie politike apo një tjetre. Kjo thjesht nuk funksionon këtu”, thekson Dana Rohrabacher. Nga ana tjetër, ligjvënësi amerikan nuk ndjen rrezik rus në Ballkan, por mundësi zhvillimi për të gjithë, nëse mbyllen plagët e konflikteve të vjetra. Ndërsa shqiptarët, Rohrabacher e sheh si një urë lidhëse mes SHBA-së dhe botës myslimane.

Artikulli paraprakBylykbashi: Roshi automatikisht i shkarkuar, po e mban Rama në zyrë
Artikulli tjetërShkëlzen Berisha: I dënuari të përjashtohet nga Komisioni i CEZ