Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, braktisi mbledhjen e Komisionit të Posaçëm Hetimor për pajisjen përgjuese të policisë, “Imsi Cathcer”. Kryepolici Çako refuzoi t’u jepte përgjigje pyetjeve të deputetëve të opozitës në këtë komision hetimor, ndërsa pas disa minutash u largua në mënyrë demonstrative. Kryetari i Komisionit Hetimor parlamentar, Flamur Noka e cilësoi urdhër politik largimin e Çakos nga mbledhja e komisionit. “I erdhi urdhëri që të largohej”, u shpreh Noka.
Kryetari i Komisionit Hetimor, Flamur Noka iu drejtua Çakos se ishte në dijeni për pajisjen që krijoi një megaskandal dhe e pyeti për procedurat që janë zbatuar për futjen dhe administrimin e saj. “Zoti Çako, ndryshe nga më parë besojmë se tani jeni në dijeni për këtë pajisje, sepse herën e parë thatë që nuk ishit i informuar. Tani shpresoj që jo vetëm për ne si Komision Hetimor për çështjen e pajisjes “Imsi Catcher”, jo vetëm për Kuvendin, por edhe për opinionin për këtë që u quajt një megaskandal dhe në vende të tjera ka pasur dorëheqje dhe ndjekje penale deri në nivele të larta, në Shqipëri të paktën opinioni të qartësohet për këtë pajisje dhe procedurat që janë zbatuar për futjen dhe administrimin e saj”, ishte pyetja e Nokës ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve me argumentimin se, dëmton hetimin e nisur nga Prokuroria për këtë çështje. Në mbledhje ishin të pranishëm vetëm deputetët e opozitës, pasi mazhoranca u largua që në fillim të mbledhjes.
Edhe deputetët e PS e kanë braktisur komisionin dhe u larguan menjëherë pas Çakos. Gjatë mbledhjes, deputetët e PS-së nuk dënjuan t’i bënin asnjë pyetje Çakos.
Noka vijoi mbledhjen duke u shprehur se, ne jemi ligjvënës dhe e dimë që nuk do të zbatojmë çdo dëshirë tuajën. “Nëse juve një ministër ju bën për një lek të gjithëve, ne si opozitë nuk e pranojmë. Nëse një ministër nuk jep sqarime për buxhetin, po thotë, “ikni ju se nuk ju njoh se kam punë të tjera”, ne s’e pranojmë. Askush nuk ka të drejtë të tallet me qytetarët e këtij vendi”, u shpreh Noka.
Pjerin Ndreu dhe Paulin Stërkaj e kanë injoruar totalisht çështjen për të cilën ishin mbledhur, duke mos folur fare për të dhe kanë debatuar vetëm me kryetarin e komisionit, Flamur Nokën, duke i deklaruar se ai nuk duhej ta thërriste fare komisionin! Sipas tyre, Noka i kishte fyer me sjelljen e pahijshme në Kuvend dhe madje edhe në disa raste të tjera dhe dolën në mënyrë demonstrative nga salla. “Ju vërtet jeni opozita, po ju e kaloni çdo lloj limiti. Ju fyeni jo vetëm ministrin, por edhe kryetarin e Komisionit të Ligjeve, që është në një moshë relativisht të madhe”, tha Stërkaj, para se të ikte nga mbledhja e komisionit.
Deputeti i PS, Pjerin Ndrehu tha se, nuk e quan të drejtë të vazhdojë në këtë komision dhe u largua nga mbledhja.
Megjithatë, kryetari Noka tha se, deputetët e PS kishin marrë porosi për ta lënë komisionin dhe për të mos u angazhuar për zbardhjen e së vërtetës lidhur me pajisjen e përgjimit “Imsi Catcher”. Ai tha se ajo pajisje kishte dhunuar të drejtat e njeriut dhe kishte vënë në rrezik, sigurinë kombëtare. Në mbledhje e mëparshme, kryetari i Komisionit, Flamur Noka, deklaroi se futja dhe përdorimi i pajisjes së përgjimit nga policia është një krim dhe ka cenuar rëndë sigurinë kombëtare. Ai tha se, ka fakte dhe prova që faktojnë se, autoritetet e Ministrisë së Brendshme kanë përgjuar Presidentin e Republikës, deputetë të opozitës, diplomatë të akredituar në Tiranë, zyrtarë të lartë, politikanë, gazetarë e biznesmenë.
Ministri i Brendshëm dhe drejtori i Policisë kanë pranuar vetë këtu disa fakte, se ekziston një pajisje dhe kanë thënë se është përdorur për trajnim të punonjësve të policisë. Deputetët e opozitës kërkuan që t’u vihen në dispozicion, ose të bëhet këqyrja e dokumenteve, regjistrat e hyrje-daljeve në burgun 302, Peqin e me radhë. Ku janë bërë hyrje-daljet e personave dhe mjetit që ka bërë përgjimin. Të vihen në dispozicion regjistrimet nga kamerat. Janë 17 zyrtarë të lartë, të cilët do të thirren të dëshmojnë në Komisionin Hetimor parlamentar, ndërkohë që Prokuroria ka nisur një hetim për pajisjen, ku janë marrë në pyetje zyrtarët e lartë të Policisë së Shtetit.
R.POLISI