Revolta në Fier, banorët: Do ta vazhdojmë betejën

Banorët e Mbrostarit kanë protestuar sërish dje, kundër ndërtimit të impiantit të plehrave, duke bllokuar rrugën nacionale. Dje ishte dita e tetë e protestës, ndërsa bashkë me të rritur në protestë janë hedhur edhe fëmijët. Me parulla në duar “Ndal plehrave”, “Duam jetën”, “Lironi protestuesit”, etj., banorët bllokuan sërish rrugën nacionale, ku si pasojë u krijuan radhë të gjata makinash. Forcat e policisë mbanin të rrethuar protestuesit, por nuk kanë ndërhyrë ndaj tyre.
Në thirrjet e tyre kundër këtij ndërtimi, banorët kërkuan dje edhe lirimin e të arrestuarve nga Policia e Fierit disa ditë më parë. Një ditë më parë reagoi edhe dega e Partisë Demokratike Fier për lirimin e protestuesve. Në një deklaratë për mediat, Dega e PD Fier shprehej se, denoncon fort dhe u bën thirrje forcave të rendit të lenë të lirë banorët e Mbrostarit që kanë ndaluar në orët e vona të ditës së dielë. Dega e PD Fier bën të ditur se është në mbështetje të banorëve të Mbrostarit për protestën e drejtë që po zhvillojnë në mbrojtje të jetës së tyre.
Edhe pse qeveria me gojën e Prefektit deklaroi zyrtarisht për kthimin e vendimit të ndërtimit të impiantit të plehrave, banorët e Mbrostarit po e vazhdojnë betejën deri sa ta shohin të shkruar dhe të vulosur. Gjatë protestës së djeshme, banorët i kërkuan Prefektit të Fierit të mbajë fjalën e dhënë për anulimin e vendimit të ndërtimit të impiantit në fshatin e tyre.
Gjatë një takimi ditën e hënë, banorët takuan Prefektin Xhevit Bushaj, por kanë dalë nga zyra e tij pa shumë shpresë. Sipas banorëve, prefekti iu ka premtuar se projekti nuk do të miratohet dhe se do ta kthente vendimin në këshill, por fjalët e tij nuk i kanë bindur banorët, të cilët kanë deklaruar se do të vijojnë protestat. “Prefekti na premtoi që ky impiant nuk do të ndërtohej në Mbrostar, por edhe ky na preu në besë”, tha një tjetër. Ata takuan para tre ditësh edhe kryetarin e Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, i cili u deklaroi se fabrika do të ndërtohej dhe nuk do të ketë kthim pas. Banorët e revoltuar kanë dalë nga zyra e tij dhe kanë vijuar protestën para Bashkisë.
Banorët pohojnë se nuk do të tërhiqen nga protestat nëse nuk tërhiqet projekti i fabrikës së plehrave. Megjithë presionin, terrorin policor dhe arrestimet në mes të natës, banorët thonë se do të jenë për çdo ditë në shesh derisa të anulohet vendimi.
Burra, gra, fëmijë, të moshuar, kërkojnë vetëm një gjë, të mos u rrezikohet jeta nga ndërtimi i fabrikës së plehrave!
Një muaj më parë ishin banorët e fshatrave Plyk, Kraps dhe Portëz, ata që kundërshtuan me forcë ngritjen e impiantit nga ana e Bashkisë së Fierit. Pas anulimit për ngritjen e tij në Portëz, një tjetër vendim i Këshillit Bashkiak që kaloi me votat e mazhorancës i hapi rrugën ndërtimit të këtij impianti në zonën e Mbrostarit.
Qeveria dhe Bashkia në vend që të dëgjojë zërin e banorëve për anulimin e fabrikës së vdekjes, siç e cilësojnë ata, ushtron presion ndaj protestuesve me arrestime dhe kërcënime. Zyrtarët mundohen ta politizojnë protestën, në një kohë që në këtë protestë janë përfshirë të gjitha banorët pa dallime partiake në mbrojtje të jetës së fëmijëve të tyre.

Exit mobile version