Përjashtim Ramës 10 ditë nga Kuvendi

Rikthimi i opozitës në Parlament dhe denoncimet e forta në lidhje me skandalet e qeverisë, në krye të të cilave qëndron vetë Rama e ministrat e tij ka bërë që Kryeministri të humbasë kontrollin dje në seancë plenare, duke iu vërsulur opozitës me një lumë sharjesh e fyerjesh ordinere. Pas akuzave të ngritura nga opozita në lidhje me skandalin e përgjimeve, Rama është acaruar, ndërsa ka marrë fjalën në foltoren e Kuvendit duke iu turrur opozitës me një fjalor mllefi e urrejtjeje.
I nervozuar dhe me veprimet e një njeriu me luhatje të thella, Rama në mënyrë të paprecedent e ka cilësuar opozitën si një “tufë që ha njëra-tjetrën”.
Në këto momente, deputetët e opozitës janë ngritur në këmbë dhe i janë drejtuar foltores ku po fliste Rama duke e bllokuar atë, ndërsa kanë kërkuar përjashtimin e Ramës nga punimet e Kuvendit për fjalor dhe sjellje të pahijshme në sallën e Parlamentit. Kreu i Grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka kërkoi përjashtimin e Ramës për sjellje të padenjë. “Duhet përjashtuar Rama, siç është ndjekur nga ju për përfaqësues të opozitës, por për të qetësuar seancën do ju kërkoja 2 minuta pushim, me qëllim të vijojmë normalisht”, tha Paloka.
Por ndryshe nga seanca e dy javëve të kaluara ku Byroja e Kuvendit u mblodh dhe dënoi ish-Kryeministrin Berisha se publikoi të dhëna që implikonin Kryeministrin me krimin e organizuar, nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj e cila po drejtonte seancën refuzoi në mënyrë kategorike mbledhjen e Byrosë së Kuvendit. “Byroja nuk është mbledhur para grupit parlamentar. Pushimi nuk kërkohet kur njeriu është duke folur”, tha Leskaj.
Menjëherë pas saj ka reaguar deputeti demokrat, Flamur Noka, i cili u bëri thirrje deputetëve të PD të mblidhnin firmat për të formuluar kërkesën për përjashtimin e Ramës, 10 ditë nga punimet e Parlamentit.
“Nuk ka asnjë arsye që ky Parlament dhe nuk ka nevojë të dëgjojë aroma të tilla nga Kryeministri. Grupi i PD kërkon të mbledhë firmat dhe që ky zotëria (tregon me gisht nga Rama), këtu të përjashtohet nga seanca.
Këta janë hedhur në sulm për të shpëtuar prapanicat e tyre. Këta janë autorët e përgjimit. Këtu nuk kemi qeveri, por një bandë mafioze që nuk do ta dijë as për ligj as për Kushtetutë.
Të paktën ky serial killeri, krimineli Tahiri duhet të ishte patjetër në dyert e drejtësisë”, tha Noka. “Vendi po kanoset. Nuk mund të bëjmë asnjë hap më para, nuk mund të kemi jetë më të mirë në rast se e shkatërrojmë demokracinë si sistem në rast se shkatërrojmë parimet demokratike. Më keq do të bëhet nëse shkelmojmë parimin e shtetit të së drejtës. Në këtë mynxyrë po na tërheq Rama”, tha deputeti demokrat Ristani.
Por ndërsa deputetët e PD në shenjë proteste ndaj fjalorit degradues që përdori Rama, ky i fundit u acarua edhe më keq duke ashpërsuar gjuhën ndaj deputetëve të opozitës, çka çoi edhe në ndërprerjen e punimeve të seancës plenare.
Pas kësaj, përmes një shkrese zyrtare Partia Demokratike ka kërkuar përjashtim me 10 ditë nga punimet në Kuvendin e Shqipërisë për Kryeministrin Edi Rama, pas fjalës së tij në Parlament. Sipas Partisë Demokratike, Rama përdori gjuhë që cenon personalitetin e deputetëve, ndërsa sjellja bie ndesh me nenin 62 të Rregullores së Kuvendit.

Exit mobile version