Deputetja Jozefina Topalli tha se mazhorancën e ka përfshirë një nervozizëm i madh që sipas saj do të marrë me vete edhe Kryeministrin. Topalli tha se Rama kërcënoi opozitën dhe kryeprokurorin dhe do tashmë të “mbulohet” me Reformën në Drejtësi. “Mazhorancën e ka përfshirë një nervozizëm të madh për një nga skandalet më të mëdha. Është fjala për Watergatein e Shqipërisë, që mesa duket do të marrë me vete Kryeministrin. Skandali shumë i rëndë. Reagimi i ministrit të Brendshëm ishte absolutisht një reagim frike dhe makthi. Hetimi po i kërcet në zyrë dhe vetë tavolinën e ministrit të Brendshëm. Askush nuk do të guxonte të sillte dhe të përdorte ‘IMSI Catcher’ nëse nuk do të kishte urdhër nga lart. Asnjë ministër nuk do të guxonte po të mos kishte licencë nga zoti Kryeministër. Rama është përpjekur për ta fshehur dhe për ta mbuluar si gjithmonë Reformën në Drejtësi. Sa herë i plas një skandal, ai ngrihet dhe flet për Reformën në Drejtësi. Por sot, ministri dhe qeveria janë shah mat me skandalin e përgjimeve”, tha Topalli. Sipas saj, Rama dhe ministri Tahiri janë brenda këtij skandali dhe kanë përdorur drejtorin e policisë si “kokë turku”. Rama që mbron ministrin, ministri që mbron vartësin për një arsye të thjeshtë se janë brenda. “Drejtorët e policisë janë mësuar t’i përdorin si koka turku. Besoj që Rama kësaj radhe ka kaluar vijën e kuqe. Kërcënoi opozitën dhe Prokurorinë për skandalet e tij personale. Nuk e shpëton përpjekja për të bërë avokaturën e Grillos sepse ky skandal nuk mund të mbyllet. Nuk mund të them që është një situatë skizofrenie mes përgjimeve dhe politikës. Nervozizmi do të shkojë edhe më tej. Si guxon ministri i Brendshëm t’i thotë kryeprokurorit ‘ti je tradhtar’ apo t’i thotë gjykatësit Kryeministri ‘ti je killer’? A ndodh në Maqedoni, në Serbi apo ndonjë vend tjetër? A keni lexuar që qeveria, ekzekutivi të quajnë killer gjykatësin që po heton për skandalin e tij? Kanë pezulluar drejtorin e tij dhe po i afrohen ministrit të tij, sepse brenda është Kryeministri. A mund të heshtim në një moment të tillë? A mund të pranojmë të quhet killer një gjykatës, si nuk i the gjykatësit që liroi Armando Prengën? Ky është vetëm fillim dhe pas nervozizmit do të shihni të tjera gjëra”, tha Topalli.