Përmbytjet kërcënojnë Shkodrën, po rriten prurjet në liqen dhe Drin e Bunë

Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM-it, rezulton se lumenjtë Drin, Buna dhe Liqeni i Shkodrës do të kenë prurje dhe nivele të larta. Sot (e premte, dt.16) në basenin Drin-Buna dhe Liqenin e Shkodrës do të vazhdojë të ketë nivele të larta të ujit dhe rritje të hartës së përmbytjes.
Nesër (e shtunë, dt.17) do të vazhdojë rritja e prurjeve në pjesët e larta malore të basenit, duke përfshirë edhe hidrocentralet mbi lumin Drin. Nesër nivelet në pjesën e Ultësirës së NënShkodrës do të vazhdojnë të rriten për shkak të prurjeve nga Liqeni i Shkodrës dhe Lumi Drin në drejtim të Lumit Buna.
Parashikimet e IGJEUM për ditët në vazhdim tregojnë rritje të prurjeve edhe përgjatë fundjavës. Pritet përkeqësim i hartës së përmbytjeve në pjesën e NënShkodrës dhe përmbytjes të zonave periferike të qytetit të Shkodrës në afërsi të Liqenit. Për arsye të shtimit të rrezikut nga përmbytja, është vendosur të mbahet shenja e paralajmërimit nga përmbytja për Qarkun e Shkodrës. Ngjyra e kuqe e qarkut është vendosur për shkak të rrezikut nga përmbytjet. Në pjesën tjetër të territorit përgjatë ditëve në vazhdim, parashikohet rritje e ndjeshme e prurjeve, duke rritur rrezikun nga përmbytjet në gjithë pjesët fushore të lumenjve.
Ky informacion do të përditësohet nga IGJEUM sipas llogaritjeve të ardhshme dhe do të njoftoheni për çdo ndryshim në parashikimin e përmbytjeve.

Exit mobile version