Policia ndërpret me dhunë dhe terror grevën e ish-të burgosurve politikë

Ish-të burgosurit politikë shprehen të indinjuar nga ndërhyrja e Policisë së Shtetit dhe ajo Bashkiake, të cilët u kanë prishur çadrën ku protestonin prej 5 ditësh. Dy nga përfaqësuesit e grevës dhe Kryetari i Shoqatës së të Përndjekurve shfaqin shqetësimin e tyre.
Protesta 5 ditore e ish-të burgosurve politikë u ndërpre nga Policia e Shtetit, e cila shoqëroi përfaqësuesit e grevës, me arsyen se ata nuk kishin marrë leje.
Të instaluar prej 5 ditësh në një çadër në Komunën e Parisit, në vendin ku Lirak Bejko dogji veten para 6 vitesh, ish-të burgosurit politikë vijonin të kërkonin statusin dhe dëmshpërblimin. Agim Kollçaku, një prej 5 protestuesve, tregon momentet e shoqërimit në polici.
Kollçaku: Na kapën në Kukës, na burgosën siç ishte ligji i sistemit diktatorial. Bëra burgun, ndonëse kaluan 28 vite demokraci, nuk kam marrë asnjë këst të burgut që kam bërë. Shpresuam që do na ndihmonin, por deri tani asnjë gjë nuk na dhanë. Ja çuam letrën policisë, ndërkohë vinë nja dy barbona dhe thonë do t’u djegim çadrën. Vjen policia, deshi me na heq. Më pas erdhën këto, ikën. E panë që ne kishim benzinë dhe ikën.

Në orën 13:45 vjen policia e Erion Veliaj, na u kujtua koha e Enver Hoxhës, burgu i Enver Hoxhës, terrori. Na morën zvarrë.
Huanito Martini, një tjetër përfaqësues i grevës, kërkon të drejtat e tij.
Martini: Unë do ta vazhdoj sa të kem jetë grevën kundër komunizmit dhe socializimit, sepse edhe ata duhet të heqin dorë nga komunizmi dhe krimet e etërve të tyre, duke na dhënë ne një status real, politik që e kanë të gjithë vendet e Lindjes.
Nga ana tjetër, Nebil Çika, kryetari i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë sqaron pozicionin e grevistëve.
Çika: Është e njëjta sjellje si e baballarëve, këta i arrestonin, i pushkatonin, i dënonin në 12 të natës, në 1 të natës. Të njëjtën sjellje kanë bërë. Dua të sqaroj se, kjo është një inisiativë personale e tyre, ne i mbështesim si shoqatë dhe si të përdjekur politik. Të vinë këtu të bisedojnë, të ulen me ta dhe të zgjidhin problemet dhe të mbajnë ato premtime që u kanë dhënë në vitin 2012.
Ish-të burgosurit politikë shprehen se do të vijojnë protestën e tyre, deri në plotësimin e kërkesave.

 

Exit mobile version