Përmbytjet në Tiranë-Vorë, dëmet arrijnë 10 milionë euro

Prej disa javësh, moti është i ftohtë dhe i thatë, por gjurmët e shirave të furishëm të mëngjesit të 8 nëntorit janë ende të dukshme në pjesën më të madhe të bizneseve të segmentit të autostradës Tiranë-Vorë. Ndërsa sipërmarrësit vijojnë të bëjnë llogaritë e dëmeve, ata rrinë me sytë nga qielli, me frikën se një përsëritje e përmbytjeve do të ishte fatale për ta.
Dhe nuk mjaftoi vetëm egërsia e natyrës, ata tashmë po përballen me një goditje tjetër edhe më të rëndë e të hidhur: indiferencën e pushtetit vendor të Vorës e Tiranës dhe institucioneve qendrore. Kur ka kaluar një muaj nga vërshimi i ujërave me rrëmbim brenda pak minutash, askush nuk është afruar të bëjë një vlerësim të shkaqeve që çuan në këtë katastrofë, nëse ishin thjesht natyrore, për shkak të infrastrukturës kulluese të amortizuar apo dhe gabim njerëzor në hapjen e rezervuarëve. Por ajo që i shqetëson më shumë sipërmarrësit është fakti që nuk po punohet për të rregulluar kanalizimet e autostradës apo infrastrukturën mbështetëse kulluese në të gjithë zonën ku ndodhi përmbytja, ndërsa ndarja e re territoriale ka shkaktuar një rrëmujë totale në kompetencat e pushtetit qendror dhe atij lokal.
Të gjendur përballë kësaj shurdhërie totale, teksa vëmendja e investimeve publike po shkon për fasadat e Rilindjes urbane, sipërmarrësit, pasi tentuan pa sukses të veçuar të tërhiqnin vëmendjen e pushtetit lokal e qendror, kanë krijuar Bashkimin e Bizneseve Vorë-Tiranë.
Në datën 18 nëntor, ata i kanë dërguar një letër kryeministrit Edi Rama, kreut të Bashkisë së Tiranës, Bashkisë së Vorës, ministrave të Ekonomisë, Bujqësisë, Mjedisit, Financave e drejtoreshës së Tatimeve, ku kërkojnë:
– marrjen e masave urgjente për rikthimin e infrastrukturës në gjendjen e mëparshme, në mënyrë që të shmangen fenomene të tilla në të ardhmen. Për këtë kërkojmë që në mënyrë urgjente të fillojë pastrimi dhe rehabilitimi i gjithë infrastrukturës së ujërave dhe aksesi i bizneseve (kanalet kulluese, përroi i Kasharit, nënkalimi i Kasharit, kanalet ujore nën trasenë e autostradës në këtë segment, deri në derdhjen e tyre në lumë etj).
– evidentimin dhe formalizimin e dëmit total aktual dhe potencial, përfshi edhe fitimin e munguar.
– Duke pasur parasysh që çdo gjë ndodhi në vetëm 5 minuta, do të kërkonim asistencën tuaj në zbardhjen e shkakut të kësaj përmbytjeje. Sipas vlerësimit tonë, përmbytja nuk është shkaktuar nga reshjet natyrore, por si pasojë e hapjes së portave të rezervuarëve të zonës (liqeni Gjokaj, Picar dhe rezervuari Kashar).
– Është fakt që në mënyrë individuale, shumë biznese kanë komunikuar formalisht me disa institucione, por fatkeqësisht akoma nuk vërehet një reagim serioz për zgjidhjen e problemit.
Në letër paralajmërohet se “situata e bizneseve është tepër kritike dhe kërkon reagim serioz dhe konkret nga ana juaj. Në këto kushte, çdo vonesë mund të shoqërohet në mbyllje biznesesh dhe jo vetëm të huaja, por edhe vendase”.
Shkresa është e firmosur nga drejtuesit e 32 bizneseve në zonën e autostradës Tiranë-Vorë.
Arti Elezaj i kompanisë “Artgres”, i cili është përfaqësues i autorizuar i Këshillit të Bashkimit të Bizneseve Vorë-Tiranë tha për “Monitor” se e vetmja përgjigje që kanë marrë nga kryeministri ishte një shkresë që e përcillte shqetësimin tek institucionet përkatëse, që atyre iu duk më shumë një reagim sa për të kaluar radhën. “Ndihemi të ofenduar e të braktisur nga ky pushtet, pasi askush nuk erdhi të pyesë se çfarë ndodhi e çfarë problemesh kemi, ndërsa taksat i kërkojnë një më një. Nuk pati asnjë reagim, as nga pushteti lokal dhe as nga ai qendror. Sot po detyrohemi që kanalet t’i hapim vetë”.
Institucioni më i disponueshëm ka qenë ai i Prefekturës së Tiranës, ndërsa nga të dy bashkitë, si ajo e Vorës, ashtu dhe e Tiranës nuk ka pasur asnjë interesim dhe askush nuk ka ardhur të shikojë nga afër situatën, pavarësisht se u është kërkuar shumë herë. Pjesa më e madhe e subjekteve janë nën juridiksionin e Bashkisë së Vorës, ndërsa pak prej tyre, por gjithsesi më të mëdhenjtë, janë nën atë të kryeqytetit.
Arjan Mene, administrator i “Deka”-s, thotë se përpara se të bashkohej me bizneset e tjera, ai iu drejtua fillimisht Bashkisë së Vorës për të raportuar dëmet. Në këtë Bashki ai u has me një rrëmujë totale, ku zyra e Emergjencave Civile ishte ende në krijim e sipër, me disa punonjës të rinj, që nuk dinin të jepnin drejtim për asgjë, madje institucioni nuk kishte as vulën përkatëse.
“Kjo është një klimë tepër e papërshtatshme për të bërë biznes”, thotë z. Mene. “Nuk kemi asnjë fjalë dhe asnjë mbështetje nga institucionet shtetërore, lokale apo qendrore”.
I revoltuar është dhe administratori italian i kompanisë “APG”, Ciro Donzella. Teksa ka mbi 20 vjet që jeton në Shqipëri dhe e ka mësuar mirë edhe gjuhën, ai nuk e kursen ironinë kur thotë se “këtu në Shqipëri kur është puna për të ngrënë, vijnë të gjithë, ndërsa kur ke një hall të gjithë largohen”. Ai llogarit një dëm prej 50 milionë lekësh për kompaninë e tij.

Reagimi i bizneseve

Bizneset janë ende në fazën e vlerësimit të dëmeve, por nga disa llogaritje paraprake ato i kalojnë 10 milionë euro. Kompania e prekur më shumë është “Alumil Albania”, që gjendet nën juridiksionin e Bashkisë së Tiranës, e cila ka llogaritur paraprakisht një dëm prej rreth 2.5 milionë eurosh, në materiale, por dhe prishjen e katër robotëve me vlerë 500 mijë euro secila.
Mene i “Deka”-s thotë se dëmi në kontabilitet, i konfirmuar dhe nga tatimet është 54 milionë lekë, ndërsa dëmi total, edhe nga fitimi i munguar e kosto oportune i kalon 100 milionë lekë. Në nëntor, kompania realizoi vetëm 30% të shitjeve të zakonshme mujore, duke lëshuar terren për konkurrencën. “Uji erdhi si dallgë nga muri rrethues dhe u përmbyt gjithçka brenda 5-10 minutash”, tregon Mene. Kompania është detyruar të blejë një copë tokë aty afër, që të mundësojë kalimin e makinave e të njerëzve, pas shkatërrimit të infrastrukturës.
Elezaj i “Artgres” pohon se dhe në kompaninë e tij, dëmi i kalon 50 milionë lekë. Aktiviteti ka rifilluar, pasi përndryshe nuk mund të mbijetonte dhe punonjësit kërkojnë pagesat, por shenjat e ujit kanë mbetur në katin e parë.
Sajmir Preni, administratori i “EN&SHI 2007”, që tregton tapete e dyshekë, thotë se ai është përmbytur katër herë në ditët famëkeqe të nëntorit, teksa tregon fotot pak pas përmbytjes, ku uji në magazinat tri metra të larta, i ka zaptuar mbi dy metra. Edhe ai përllogarit një dëm rreth 35 milionë lekë.
Në total, siç kanë saktësuar dhe në shkresën dërguar kryeministrit, bizneset që janë prekur nga përmbytja kanë investime prej mbi 150 milionë eurosh dhe kanë rreth 2000 të punësuar, kryesisht nga zona aty rrotull. Në listë ka kompani të njohura e të mëdha, si “Alumil”, “Mercedes Benz”, “Deka”, “Olim”, “Artgres”, “Koral Sole”, “Millicolor”, “Shegatrans”, “Novatex”, “Concept Design”, “Euroclima”, “Global-gaz” etj.

Exit mobile version