Vendim për djegien e plehrave në Tiranë, pasojat katastrofike

Kryeministri Rama rikthen pas 12 vitesh planin e Fatos Nanos, për të djegur plehra në kryeqytetin shqiptar. Në mbledhjen e fundit të qeverisë, ditën e mërkurë më 7 dhjetor mes vendimeve të tjera të firmosura nga Rama gjendet edhe ai për, “Miratimin e bonusit në procedurën përzgjedhëse konkurruese, që i jepet shoqërisë për dhënien me koncesion për ndërtim landfilli e inceneratori dhe rehabilitim të venddepozitimeve ekzistuese, Tiranë”.
Vini re! Në këtë koncesion, përveç ndërtim landfilli dhe përpunim të mbetjeve, parashikohet edhe ngritja e një inceneratori ose e thënë shqip, një furrë gjigante ku do të digjen plehrat, me shumë gjasa jo vetëm ato të Shqipërisë nëse rrëzohet dekreti i presidentit, për ligjin e importit të tyre.
Por përveç kësaj, sipas kësaj VKM-je zbulohet, edhe se kush do të jetë ky koncesionar i ri. Bëhet fjalë pikërisht për kompaninë italo-shqiptare, të krijuar së fundmi nga Erion Veliaj, fillimisht vetëm për menaxhimin dhe përpunimin e plehrave në Tiranë “Integrated Energy B.V”. Kjo kompani pavarësisht se zyrtarisht nuk është shpallur fituese, me firmën e Edi Ramës merr paradhënie një bonus prej 8% të pikëve, duke u diferencuar nga çdo subjekt tjetër, që mund të jetë i interesuar të konkurrojë.
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 25, të Ligjit nr. 125/2013, ‘Për koncesionet dhe partneritetin publik privat’, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave vendosi:
Miratimin e bonusit prej 8 (tetë)% të pikëve, që i jepet shoqërisë ‘Integrated Energy B.V.’, shpk, për rezultatin teknik dhe financiar në procedurën përzgjedhëse konkurruese për dhënien me koncesion të ndërtimit të landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimin e venddepozitimeve ekzistuese të Tiranës”, thuhet në këtë VKM, e cila u mbajt e fshehtë për disa ditë dhe vetëm ditën e djeshme është publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave.
Por çfarë fshihet pas këtij koncesioni të ri, këtë radhë i dhënë për biznesin e mbetjeve, fushë kjo që Edi Rama së fundmi është investuar fuqishëm?
Përpara pak kohësh një kompani italiane fitoi tenderin publik, për përpunimin e plehrave në landfillin e Manzës në Durrës. Bëhet fjalë për kompaninë “Kinexia”, me seli në Milano, e cila do të përpunojë 1.9 milionë tonë mbetje, në bashkëpunim me kompaninë shqiptare “Albania Landfill Energy”. Atëherë në njoftimin e saj zyrtar, u tha se kompania do të investojë 20 milionë euro për këtë projekt dhe “Volterio Energie S.p.A” që ka në pronësi kompaninë “Kinexia”, do të veprojë si kontraktor kryesor. Një impiant i ngjashëm kërkon të marrë jetë në Fier, por po has në kundërshtimin e fortë të banorëve.
Kompania që ka marrë bonuse në VKM-në e fundit të qeverisë Rama, “Integrated Technology Service”, ka administrator dhe ortak të vetëm Klodian Zoton, i cili bashkëpunon me shoqërinë italiane, “Energy 2SRL”. I gjithë ky rrjet është i ndërlidhur dhe synimi kryesor është djegia e miliona tonë plehrash, në trekëndëshin Tiranë-Fier-Durrës. Dhënia e këtyre koncesioneve është bërë paralel, me krijimin dhe miratimin urgjent të ligjit për importin e plehrave, te i cili specialistët e fushës zbuluan, se nuk përjashtohet importi i tyre edhe për qëllim djegie në vendin tonë.
Pra, Rama tani pas 12 vitesh në fund të mandatit të tij të parë, po realizon atë që donte të bënte Nano në vitin 2004, plan që dështoi pas reagimit të ashpër të shoqërisë civile, medias, ndërkombëtarëve dhe medias.

Por cili ishte ky plan Nano-Fino, që Rama e ka nxjerrë nga sirtarët dhe çfarë synonte?

Në muajin maj të vitit 2004, u bënë për herë të parë publike negociatat mes Fatos Nanos dhe kompanisë italo-shqiptare, “Albania-Beg”.
Ishte gazeta “Shekulli” që zbuloi një projektvendim të qeverisë, që hidhte dritë mbi negociata të fshehta mes qeverisë shqiptare dhe firmës italiane “Albaniabeg Ambient” për nënshkrimin e marrëveshjes koncesionare të formës BOO, me qëllim ndërtimin e një impianti për përpunimin e mbetjeve të ngurta urbane të qarqeve, Tiranë dhe Durrës, në Kashar. Firma në fjalë kishte si kusht kryesor që 39 për qind e kapacitetit të saj, të shërbente për përpunimin e plehrave të importuara nga Italia.
Në rastin e vendimit të Ramës, ky kusht nuk ekziston në letër, por ligji i fundit që ai ka miratuar në Parlament për lejimin e importit të tyre, e mundëson, madje pa kufizim.
Projektvendimi ngjalli mjaft debate në publik në atë kohë, madje Nano pati kundërshtime të forta edhe brenda vetë kabinetit të tij. Pati përplasje mes tri ministrive: Ministrisë së Mjedisit, Ministrisë së Rregullimit të Territorit dhe Turizmit dhe Ministrisë së Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit. Relacioni paraprak, që tre ministritë hartuan për t`ia përcjellë mbledhjes së qeverisë ku do të shqyrtohej projektvendimi ishte firmosur vetëm nga ministri Bashkim Fino, ndërsa dy ministrat e tjerë Ben Blushi dhe Ethem Ruka nuk e kanë firmosur, duke shfaqur rezerva për përmbajtjen e marrëveshjes koncesionare të sipërpërmendur.
Tashmë dihet se si u mbyll kjo histori, e cila është rihapur sërish nga Rama, duke rikthyer planin e dështuar të Nanos së bashku me biznese të dyshimta në këtë biznes në Itali; vend ky që gjithmonë ka synuar të depozitojë dhe djegë mbetjet e saja të shumta në Shqipëri.

SYRI.net

Exit mobile version