Përplasja e Bardhit dhe Nokës me Açkën/ Aleanca e Grave Parlamentare: Dënojmë aktet e dhunës, tregojnë dëshpërim

Aleanca e Grave Parlamentare ka reaguar lidhur me tensionet e zhvilluara ditën e djeshme në Komisionin e Medias, ku deputetët Gazment Bardhi dhe Flamur Noka u përplasën me Flutura Açkën.

Përmes një reagimi zyrtar, Aleanca e Grave Parlamentare ka dënuar dhunën e ushtruar ndaj kryetares, Flutura Açka dhe kolegëve deputetë anëtarë të këtij komisioni.

Po ashtu dënon aktet e dhunshme dhe shpreson që jo vetëm të mos përsëriten më, por Kuvendi të kthehet në shinat e normalitetit dhe të gjithë deputetët të bëjnë detyrën për të cilën qytetarët i kanë votuar.

Reagimi i plotë: 

Aleanca e Grave Parlamentare dënon me ashpërsi dhunën dhe intimidimin e ushtruar dje në Komisionin e Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik ndaj Kryetares znj. Flutura Açka dhe kolegeve tona deputete anëtare në këtë komision! Dhuna është një akt që tregon dëshpërim.

Përdoruesit e dhunës tregojnë hapur pamundësinë e tyre për të pranuar se ka mendim ndryshe, qëndrim ndryshe. Dhuna ndaj grave është të mos kuptosh më vetitë më të rëndësishme njerëzore dhe të futesh në një tunel errësire.

Ne gratë deputete, shprehim indinjatë të thellë për atë që ndodhi dje si dhe për gjithë klimën e linçimit dhe përbaltjes së grave dhe kërkojmë vënien para përgjegjësive të autorëve të kësaj dhune.

Ne besojmë te politika e arsyes, e mendjes dhe e argumenteve të qarta dhe refuzojmë errësirën e së paarsyeshmes, dhunën që vjen si pasojë e mungesës së argumenteve.

Ne dënojmë aktet e dhunshme dhe shpresojmë që jo vetëm të mos përsëriten më, por Kuvendi të kthehet në shinat e normalitetit dhe të gjithë deputetët të bëjnë detyrën për të cilën qytetarët i kanë votuar.

Ne i sigurojmë qytetarët shqiptarë e në veçanti gratë shqiptare se do vijojmë të jemi zëri i tyre në Parlamentin e Shqipërisë dhe do të refuzojmë e përballemi me çdo akt dhune dhe që frymëzon dhunë ndaj grave.

Exit mobile version