Përplasje të forta me Ramën në mbledhje: E keni bërë PS-në si tender…

Rama mblodhi sot deputetët, koordinatorët dhe kryebashkiakut e Rajonit të Veriut në një takim që zgjati rreth 90 minuta. Rama ka shmangur komentet lidhur me mbledhjen, ndërsa raportohet se ka pasur përplasje mes tij dhe deputetit Paulin Sterkaj.

Burime nga PS theksojnë se Sterkaj duke iu drejtuar Ramës, por edhe koordinatorëve, tha se çështja e emërimit të drejtorëve është bërë si tender, ku secili propozon nga një emër.

Ndërkohë që Rama, raportohet se është treguar i prerë, duke thënë se do të merrej vetë me situatën e krijuar në Shkodër, përderisa as grupet e punës dhe as koordinatorët nuk i dhanë zgjidhje.

“Nuk do merrem me emrat por me kriteret dhe zbatoni një gjë: atje ku kryetari është burrë, nënkryetari do të jetë grua. Musai (Ulqni) më ka thënë se i keni çuar nga 7 lista, mendova që t’a zgjidhni vetë, por të hënën merren unë”, mësohet të jetë shprehur Rama.

Në fakt, sipas strukturave të PS-së në Shkodër, të cilat janë shkrirë me një vendim të Kryesisë së PS-së, problemet qëndrojnë pikërisht në faktin se propozimet e bazës nuk merren parasysh në qendër, e cila propozon të tjerë emra, nga ato që propozohen nga vetë strukturat. Kjo ka bërë që prej kohësh të ketë përplasje deputetësh dhe koordinatorësh, të angazhuar për të ndarë influencat në atë që njihet si kryeqendra e veriut, Shkodrën.

Ndërkohë mësohet se në mbledhjen e organizuar është diskutuar mbi një organizim të ri të strukturave bazuar mbi bashkitë.

Kështu bashkitë me numrin e madh të banorëve do të jenë ato të kategorisë së parë, ose të mëdhatë, më pas do të jenë bashkitë e mesme dhe ato të vogla.

Grupi i punës për administratën e bashkive dhe drejtorive do të drejtohet nga ish-ministri Ilir Beqaj, ndërsa sipas urdhërit të Kryeministrit Rama 50 % e administratës do të jenë gra.

Ndërkohë raportohet se deputeti Sterkaj ka pasur një përplasje edhe me ish-ministrin Beqaj, lidhur me përcaktimin e Bashkisë së Malësisë së Madhe si një bashki e mesme.

“Pse nuk qenka e madhe Bashkia e Malësisë së Madhe”, i është drejtuar Sterkaj, Beqajt, i cili i është përgjigjur shkurt “për shkak të numrit të banorëve”.

Sipas përcaktimeve, bashkitë e mëdha janë ato me një numër mbi 100 mijë banorë, ndërsa referuar ndarjes që kanë bërë në PS, bashki të tilla si Fushë Arrëz apo Puka janë bashki të vogla.

rama 1

Exit mobile version