Përse duhet të konsumoni më pak mish

Mishi ka qenë ndër ushqimet që ka ndihmuar njeriun të mbijetojë dhe të evolojë, qindra mijëra vite më parë. Njeriu gjahtar, e ka organizuar jetën e tij rreth gjësë së gjallë, duke shpikur mjetet e gjuetisë dhe duke ndarë punët në familje dhe komunitet rreth ushqimit. Në periudhën e agrikulturës, ai arriti të zbusë dhe mbarështojë kafshë për t’i marrë qumështin dhe mishin. Pas luftës së dytë botërore, filloi edhe prodhimi industrial i mishit. Ky i fundit, rezultoi në një rritje drastike të konsumit të mishit, një rritje që ende po vazhdon, sidomos pas hiper-prodhimit të tij nga vende si Kina.
Konsumi i mishit te kuq, veçanërisht vicit dhe derrit, ka një impakt katastrofik në ambient, duke nxitur ngrohjen globale, dhe ndotjen e tokës dhe ujërave.
Planeti ynë kërcënohet prej kohësh nga ndotja dhe ndryshimet e rrezikshme klimaterike. Strategjitë e reduktimit të mbetjeve dhe riciklimit të tyre, si dhe prodhimi i energjisë me metoda ekologjike, janë duke zënë një vend gjithnjë e më të rëndësishëm, por shkencëtarët po këmbëngulin për një masë akoma me radikale në stilin tonë të jetesës, e cila mund të jetë nga më të fuqishmet: të hamë shumë më pak mish nga sa jemi mësuar.
Industrializimi i bujqësisë dhe blegtorisë, është një nga nxitësit e shfarosjes më të keqe të specieve, që pas asaj te dinozaurëve, që do të thotë se 96% e gjitarëve sot përbëhet nga njerëzit dhe kafshët e prodhimit të mishit.

Ndotja që i bëhet ekosistemit nga prodhimi industrial i mishit, është më e madhe se ndotja që shkaktohet si rrjedhojë e gjithë makinave, kamionëve dhe aeroplanëve të të gjithë botës. Rritja e kafshëve për mish, rrezikon zhdukjen e shumë kafshëve të tjera, sikurse gjithashtu infekton lumenj, dete dhe ka arritur deri në oqeane.
Në disa vende, është e nevojshme të ulet konsumi i mishit me plot 90%, nëse duam të parandalojmë pasojat dramatike të ndryshimeve të klimës. Duke marrë parasysh rritjen shpërthyese të numrit të njerëzve që do të popullojnë botën deri në 2050, edhe bulmeti dhe vezët do duhet të zëvendësohen më shumë me ushqime bimore. Pra, faktet po tregojnë se njeriu duhet të kthehet në një – pothuaj vegjetarian, e shprehur ndryshe, me një term më të ri, fleksitarian (flexitarian).
Çfarë do të ndodhë nëse konsumojmë me pak mish?
Do të infektohemi me pak nga mikrobet e rrezikshme që transmetohen nga kafshët te njeriu në sajë të mishit.
Do të ngarkohemi më pak me antibiotikë dhe hormone
Do të rrezikojmë më pak nga sëmundjet kardiovaskulare, diabeti dhe disa lloje kanceri.
Do të evitojmë yndyrna të cilat nxisin inflamacion = sëmundshmëri.
Do të evitojmë keqtrajtimin dhe masakrimin e miliona kafshëve çdo vit.

Si mund te zëvendësoni mishin në ushqimin e përditshëm?
Mishi është pa dyshim një nder ushqimet më të pasura në lëndë ushqyese të domosdoshme, si hekuri, zinku, vitamina B12, vitamina A, etj. Por, elementi ushqyes më i çmuar i tij është hekuri. Nëse vendosim të evitojmë mishin e kuq, do duhet të bëjmë zgjedhjet e duhura për të plotësuar këtë mineral tërëndësishëm. Këto zgjedhje janë perimet me ngjyre jeshile, fasulet, thjerrëzat, panxhari, peshku i vogël që konsumohet bashke me hala, çokollata e zezë, kuinoa dhe kërpudhat. Nga ana tjetër, duhet të rrisim konsumin e ushqimeve të pasura në vitaminë C, për të ndihmuar përthithjen e hekurit.
A duhet të bëhemi vegjetarian?
Jo, nuk është e nevojshme që të eliminoni krejtësisht mishin nga ushqimi juaj, thjesht bëhet fjalë për ta kufizuar konsumin e tij. Ju mund të konsumoni një sasi të vogël mishi (rreth 120gr/javë), të shpërndarë në sasi të vogla në disa vakte, sepse prezenca e tij rrit gjithashtu përthithjen e hekurit që gjendet te ushqimet bimore. Ky rekomandim vlen veçanërisht për mishin e vicit dhe të derrit. Por, mirë është që edhe konsumi i mishit të pulës dhe peshkut të reduktohet në sasitë që rekomandohen për ushqyerje të kompletuar, që do të thotë, 1 herë në javë mund të konsumoni 100-150gr mish pule, dhe 2-3 herë në javë 150gr peshk, mundësisht nga peshkim që mbron ekosistemin.
Nëse dëshironi një të ardhme më të mirë për fëmijët tuaj, filloni nga sot, konsumoni më pak mish!

Exit mobile version