Përse iu hap dera plehrave

Ndërsa qeveria nuk jep asnjë argument se përse i ka hapur rrugën importit të plehrave, interesat e pushtetit nuk janë me  sekrete. Nga Rama tek Veliaj ndhe maje edhe botues të qeverisë si Car. Bol. janë tashmë të faktuar se qëndrojnë pas lobimit të një ligji të tillë, i cili ka kohë që ishte në tryezën e punës së Ramës.
Projekti për dhënien e një koncesioni të plehrave nis në vitin 2014. Në atë kohë Lulzim Basha ishte Kryebashkiak i Tiranës, ndërsa Shkëlqim Cani, ministër i majtë i Financave. Të dy kishin të njëjtin qëndrim, megjithëse të pakoordinuar ndërmjet tyre, për të mos lejuar dhënien me koncension të përpunimit të mbeturinave të Tiranës.
Por, ndërmjet këtyre dy personave publikë gjendej Carlo Bollino, italo-shqiptari kontrovers, mik me kryeministrin Edi Rama dhe “agjent ndërmjetësues” për çdo investitor italian që synon të shtrijë ekspansionin ekonomik në Shqipëri.
Burime të sigurta pranë qeverisë, deklarojnë për se në mesin e vitit 2014, Bollino ka tentuar në të gjitha format për të afruar në Tiranë kompaninë “AGSM”. Kjo kompani kishte shprehur interes që të merrte me koncension përpunimin e mbeturinave në Tiranë.
Në filozofinë e kësaj kompanie përcillej idea “inovatore” e ndarjes së mbeturinave sipas llojit të tyre. Në fakt, për Shqipëri, kjo lloj ndarje nuk është realizuar ndonjëherë, por thuajse në çdo vend europian, një proces i tillë është rutinor. Pra, “AGSM-Verona” nuk kishte asgjë të veçantë nga kompanitë e tjera. Për më tepër, Shkëlqim Cani nuk ishte aspak dakord për realizimin e një marrëveshje të tillë koncensionare, pasi kishte dyshime mbi rezultatin ekonomik të saj. Po ashtu, edhe kryebashkiaku i asaj kohe, Lulëzim Basha, refuzoi të nënshkruante një marrëveshje të tillë.
Disa muaj më vonë, në Qershor 2015, një prej penguesve të kësaj marrëveshje, Lulëzim Basha, largohet me votë nga pozicioni i kryebashkiakut, duke u zëvendësuar nga pasuesi i kryeministrit Rama, Erjon Veliaj.
Në Shkurt 2016, kryeministri Rama shkarkon nga detyra Shkëlqim Canin, “pengesën” e dytë të marrëveshjes koncensionare. Deri më sot, askush nuk di të thotë publikisht se përse u largua Shkëlqim Cani nga detyra e tij. Natyrisht, financat në Shqipëri janë në një situatë shumë të vështirë, por diçka e tillë nuk pranohet nga Edi Rama. Pra, duket se një arsye shumë e fortë e ka detyruar kryeministrin të largojë ekonomistin me përvojë nga qeveria e tij. Në ambjentet politiko-mediatike, u disktua shpesh se arsyeja lidhej me kundërshtinë e Canit për projektet koncensionare të qeverisë, ku natyrisht përfshihet edhe koncensioni për përpunimin e mbeturinave të Tiranës.
Duke i renditur lëvizjet sa më sipër, nis të plotësohet “puzzle” financiaro-politik. Dhe, roli i Bollinos duket se rikthehet fuqishëm. Nëpërmjet shfrytëzimit të lidhjeve të tij në Shqipëri dhe Itali, Bollino duket se realizon projektin e koncensionit për mbeturinat e Tiranës. Ky skenar është bëhet akoma më bindës, pasi “Bollino ishte shoqëruesi kryesor i kryebashkiakut Veliaj gjatë vizitës së tij në Verona.
Carlo Bollino, i cili njihet prej vitesh në Tiranë si editor i suksesshëm mediash, prej fitores politike të Edi Ramës në vitin 2013, prezantohet si një biznesmen i fuqishëm. “Boldnews.al” ka raportuar më parë për disa kompani të tij, si edhe bizneset e familjarëve të moshuar të bashkëshortes shqiptare.
Sfida e tij për t’u përfshirë në industrinë e përpunimit të mbetjeve urbane mund të justifikojë edhe përfshirjen e mediave të tij kundër një tjetër sipërmarrësi italian në Shqipëri, Francesko Beketi. Edhe ky i fundit, investitor prej shumë vitesh në vendin tonë, ka pasur si qëllim primar përfshirjen në përpunimin e mbeturinave të Tiranës.
Pra, duket se dy italianë, me fuqi ekonomike dhe mbështetje politike të ndryshme, u përplasën për mbeturinat e kryeqytetit shqiptar. Duke ndjekur këtë logjikë, deri më tani duket se i fituar është Bollino, pavarësisht se Beketi nuk është tërhequr dhe është në proces arbitrazhi me qeverinë shqiptare, pas një hetimi të nisur ndaj tij për “pastrim parash”.
Bollino ishte pjesë e “delegacionit hije” të kryebashkiakut Veliaj në Verona dhe me shumë mundësi është “kumbar” i kompanisë “Eco Tirana”, e krijuar në 22 qershor 2016 dhe është një “joint venture” mes Bashkisë së Tiranës me 51% të aksioneve dhe Bashkisë së Veronas, e cila përfaqësohet nga “HOLDING AGSM ALBANIA”, me 49% të aksioneve. Kompania “HOLDING AGSM ALBANIA” është një kompani publike e Bashkisë së Veronas, ku një prej administratorëve është një tjetër figurë kontroverse në Itali, Andrea Miglioranzi.
Administrativ të AGSM Holding dhe president i AMIA-s (një nga dy kompanite ortake të AGSM-së) është Andrea Miglioranzi, një personazh i njohur i kronikave politike dhe gjyqësore italiane. Në gjysmën e dytë të viteve ‘90-të Miglioranzi, atëherë eksponent i shoqatës Veneto Fronte Skinheads dhe drejtues i Projektit Kombëtar (lëvizje neofashiste), ishte ndër të parët persona të dënuar me burg në Itali për nxitje të urrejtjes racore”.
E megjithatë, pas një të kaluare jo shumë komode me drejtësinë, Miglioranzi përfshihet në fushatën elektorale, në të cilën zgjidhet si kryebashkiak i Veronas, Flavio Tosi. Dhe ky i fundit nuk ia harron ndihmesën, duke e vendosur një prej administratorëve të kompanisë publike “AGSM Verona”.
Nga e gjithë kjo histori, mbetet për t’u vlerësuar nëse do të realizohet ose jo “profecia” e ish-ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, i cili ka paralajmëruar se ky koncension nuk duhet realizuar, pasi ai rrezikonte financat e Bashkisë.
Por, ajo që tashmë dihet është se, pasi u larguan disa nga “kundërshtarët” e projektit, secili në llogoren e tij, projekti është nënshkruar

Nënshkrimi në Janar i Veliajt

Sipas një raporti mbi grumbulluesit individual të përgatitur nga qendra mjedisore EPER, në Shqipëri gjenerohen çdo vit 386 mijë ton mbetje të ngurta, ose mesatarisht 126 kilogram për person. Nga këto mbetje, vetëm 17 % vlerësohet se riciklohen për një vlerë që shkon në më shumë se 30 milionë euro në vit.
Në janar 2016, kryebashkiaku Erion Veliaj nënshkroi një marrëveshje me një kompani publike të bashkisë së Veronës të quajtur AGSM, për menaxhimin e mbetjeve në qytetin e Tiranës. Pas një vendimi të marrë nga Këshilli Bashkiak me 18 maj, bashkia Tiranë dhe Holding AGSM Albania Sh.a krijuan një kompani aksionere të përbashkët të quajtur Eco Tirana Sh.a.
Kompania e re, ku shteti zotëron 51% të aksioneve, do të marrë nën menaxhim shërbimin e pastrimit të mbetjeve urbane në Tiranë. Sipas planit të biznesit të paraqitur në Këshillin Bashkiak, në fillim “Eco Tirana” do ta shtrijë aktivitetin e saj në zonën e qendrës së qytetit dhe më pas do të zgjerohet dhe në zonat më periferike.
Vlera e kontratës për pastrimin mbetjeve në zonë e qendrës, ose e ashtuquajtura zona e kuqe, do të jetë 2.5 milionë euro, e cila shtohet me një vlerë 10% në momentin që fillon mbledhja e diferencuar e mbetjeve nga kompania.
Pas 18 muajve nga fillimi menaxhimit të zonës së kuqe, “Eco Tirana” do ta zgjerojë aktivitetin në të gjithë territorin e bashkisë Tiranë siç ishte përpara reformës territoriale. Nga 1 qershori 2017, zona zgjerohet me 50% dhe nga 1 qershori 2018, do të mbulojë të gjithë territorin e bashkisë.

Riciklimi në duar private

Megjithatë, Eco Albania nuk pritet ta kryejë menjëherë procesin e riciklimit të mbetjeve të depozituara në landfill.
“Fillimisht shoqëria do të përdorë impiante të të tretëve për seleksionimin dhe do të synojë që sa më shpejtë të jetë e mundur të krijojë impiant seleksionimi me partnerë lokalë,” shkruhet në vendimin e Këshillit Bashkiak Tiranë për themelimin e kompanisë.
Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë që partneri lokal, i cili tashmë ka instaluar një impiant seleksionimi të mbetjeve në landfillin e Sharrës, është një kompani me qendër në Peqin e quajtur “ 3 R” Sh.p.k, nën pronësinë e biznesmenit Edurim Teqja, i shpallur në kërkim për vdekjen e 17 vjecarit në landfill.
Sipas ekstraktit në Qendrën Kombëtare të Biznesit, kompania “3R” sh.p.k, e cila prodhon arka dhe tuba me plastikë të ricikluar, ka hapur me 22 shkurt 2016 një adresë sekondare në landfillin e Sharrës.
Pas një kërkese të bazuar në ligjin për të drejtën e informimit, BIRN ka mësuar se me 5 maj 2016 “3 R” sh.p.k ka marrë dhe lejen mjedisore të tipit C, për një stacion transferimi për mbetjet jo të rrezikshme me kapacitet 840 ton në muaj në landfillin e Sharrës.
Anëtarët e shoqatës ngritën pikëpyetje se si kompania kishte arritur të merrte leje mjedisore për menaxhim të mbetjeve në landfill –që sipas tyre do ishte jashtë kushteve mjedisore.
Bashkia nuk iu përgjigj kërkesës për koment nga BIRN për procedurën e prokurimit që ishte ndjekur për përzgjedhjen e kompanisë që riciklon mbetjet në landfillin e Sharrës. Bashkia gjithashtu nuk komentoi mbi shqetësimet e shoqatës së Ricikluesve në lidhje me rrezikshmërinë e trajtimit të mbetjeve në landfill.

Exit mobile version