Edhe vetëm 30 km. larg destinacionit të ëndërruar ndodhet Hama, i cili ka gjashtë muaj, që përpiqet të kalojë kanalin e La Manshit. Deti i trazuar, rreziku për jetën, të ftohtit, asgjë nuk e ndal atë. “Qëllimi im është Britania e Madhe dhe më duhet disi që të kaloj përmes këtij deti.” Irakiani 25 vjeçar nuk do të identifikohet, për shkak të policisë franceze. Ajo ia vështirëson jetën atij, megjithatë ai nuk stepet. Pas gjithë atyre që ai ka përjetuar: arratia nga shërbimi sekret nga Iraku nëpër të gjithë Europën: Turqi, Greqi, ku trajtimi ka qenë mjaft i keq, i lidhur poshtë një kamioni në traget ka dalë në Itali e më pas ka kaluar në Francë. Ai do të mbërrijë tani në Britani të Madhe para Brexitit. “Kjo sepse kontrabandistët që i kalojnë njerëzit me kamionë tani duan më shumë para se më përpara. Ata e dinë, që ne duam të kalojmë sa më parë në anën tjetër.”
Refugjatët tani përpiqen pa kontrabandistë të kalojnë me gomone përmes detit të akullt. Rreth 500 refugjatë sipas autoriteteve kufitare franceze kanë tentuar vitin e kaluar të kalojnë Kanalin e La Manshit. Rreth gjysma e tyre janë ndaluar nga policia, ndër ta edhe Hama në përpjekjen e parë të tij. “Ishim nëntë persona dhe bashkë blemë një barkë nga disa burra të zonës këtu. Në orën dhjetë të mbrëmjes ne e çuam barkën në plazh. E donim të niseshim që andej. Por policia na survejoi dhe na arrestuan.”
Megjithatë shumë refugjatë ashtu si Hama nuk duan të dorëzohen dhe tentojnë të kalojnë përmes rrugës së rrezikshme detare. Organizatat e ndihmës në Calais përpiqen t’ua ndryshojnë mendjen refugjatëve që të heqin dorë nga kjo rrugë e rrezikshme, që shpesh përfundon pa sukses. Christian Salome, nga organizata e ndihmës “Auberge des Migrants”: “Pavarësisht nëse ke ose jo jelek shpëtimi, në ujin brisk të ftohtë brenda 40 minuatsh je i vdekur. Ndaj ne u themi ndihmësave tanë, që të mos u japin jelekë shpëtimi njerëzve. Jeleku i shpëtimit të krijon një ndjenjë të rreme sigurie. Nëse bie natën në Kanalin e La Manshit, askush nuk mund të të gjejë brenda 40 minutave.”
Këto argumenta nuk e bindin Haman. Mund të bëhet vetëm më mirë, mendon ai e na tregon urën poshtë autostradës, ku ai fle prej disa javësh. Këtu ata janë akomoduar aq me sa kanë mundur. “Nuk flemë direkt në tokë, por shtrojmë tre-katër batanije e pastaj mbështillemi në dyshekët këllëf të gjumit e hedhim edhe batanije të tjera sipër. Por ndonjëherë megjithatë mbërdhijmë, kryesisht kur ka erë.”
Ndonjëherë natën na vjen policia. Ata bëjnë zhurmë e u bien burive për të na indinjuar. Nuk është e thjeshtë ta përballosh këtu. Eshtë e vështirë dhe qeveria franceze nuk bën asgjë për ne. Ne nuk i interesojmë asaj. ”
Hama na thotë, se ka mjaft dokumenta për të vërtetuar, që ka qenë i përndjekur në Irak. Megjithatë ai nuk do të paraqesë kërkesë për azil në Francë. “Unë kam një mik, që ka marrë azil këtu. Ai ende fle në rrugë. Në Britaninë e Madhe është ndryshe. Atje të japin një banesë, madje në qytet, e jo diku në ndonjë periferi të largët.” Nëse kjo është e vërtetë, ai nuk e di, por do të përpiqet që sa më shpejt të jetë e mundur t’ia arrijë qëllimit, destinacioni i dëshiruar i tij është vetëm pak orë larg.