Trump: Nuk do të ketë më mbyllje të qeverisë

Presidenti Donald Trump tha të martën se “nuk është i kënaqur” me marrëveshjen e arritur për parandalimin e një tjetër mbylljeje të pjesëshme të qeverisë amerikane dhe financimin e ndërtimit të barrierave të reja në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, por nuk tha në se do ta nënshkruante marrëveshjen.
Udhëheqësit e republikanëve në Kongres, të cilët negociuan me ata demokratë për arritjen e marrëveshjes, e cilësuan atë një kompromis të nevojshëm.
Zoti Trump tha të martën nga Shtëpia e Bardhë, se nuk beson që ka për të ndodhur një tjetër mbyllje e qeverisë, e cila do të prekte përsëri këtë fundjavë qindra mijëra punonjës federalë. “Gjithshka është në tryezë për t’u diskutuar, por ju them me siguri se nuk duam të ketë mbyllje të qeverisë”, – tha Presidenti.
Ai tha se i duhet ta shikojë përsëri marrëveshjen, e cila do të siguronte shumë më pak se 5,7 miliardë dollarët e kërkuara nga Presidenti për ndërtimin e një muri të gjatë në kufirin mes SHBA dhe Meksikës.
“Nuk mund të them se jam i lumtur, – tha Presidenti, – por në një mënyrë apo një tjetër, muri po ndërtohet.”
Kryetari i republikanëve në Senat, Mitch McConnell dhe Kevin McCarthy në Dhomën e Përfaqësuesve, u shprehën se kanë arritur fitore. Marrëveshja përfshin rreth 1,4 miliardë dollarë për të ndërtuar 88 kilometra barriera të reja në kufirin me Meksikën. Ajo parashikon gjithashtu përmirësime teknologjike për skanimet në pikat e hyrjes kufitare, si dhe rrit numrin e doganierëve e të ndihmave humanitare.
Megjithatë, negociatorët thanë se marrëveshja e arritur është pak a shumë si ajo që zoti Trump do të kishte siguruar në dhjetor. Ndihmësit në Kongres zbuluan detajet e marrëveshjes me kushtin e anonimitetit, ngaqë ajo është ende në parim.

Republikanët në Shtëpinë e Bardhë donin me çdo kusht ta shmangnin një mbyllje tjetër të qeverisë, që do sillte probleme.
Sipas ndihmësve në Kongres, ata arritën një marrëveshje në parim në hënën në mbrëmje, për një fond shumë më të vogël për ndërtimin e murit kufitar, se sa shifra prej 5,7 miliardë dollarësh e kërkuar nga Shtëpia e Bardhë, duke gjetur mirëkuptim për vetëm 1,4 miliardë dollarë.
Detajet e marrëveshjes mund të mos merren vesht para së mërkurës, por ajo u arrit në kohë, për të lehtësuar çdo rrezik për një mbyllje të pjesëshme të qeverisë në fundjavë.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Hogan Gidley u tregua i rezervuar në komente. Ai tha: “Duam të fokusohemi tek dokumenti i tanishëm. Pa e parë mirë atë, do të jetë shumë e vështirë të flasim se çfarë pranojmë dhe çfarë jo.”
Marrëveshja nënkupton një gardh të ri 88 kilometra të gjatë, prej metali, në vend të atij prej betoni, por shumë më pak se sa 345 kilometrat, që kërkoi Shtëpia e Bardhë në dhjetor. Ai do të ndërtohet në Luginën Rio Grande në Teksas dhe reflekton kërkesën e parë buxhetore të Presidentit dimrin e kaluar.
Kompromisi i arritur nënkupton lëshime nga të dyja palët, ligjvënësit e majtë dhe të djathtë: nga njëra anë ndërtimin e një tjetër gardhi kufitar, gjë cilin shumë demokratë nuk e duan dhe në anën tjetër, një fond shumë më të vogël se sa ai kërkuar nga republikanë konservatorë. Por autorët e marrëveshjes e mburrën marrëveshjen, si një kompromis të vërtetë, që do ta mbante hapur qeverinë dhe do t’i lejonte të gjitha palët të bëjnë përpara.

Exit mobile version