Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar ditën e djeshme shpërndarjen e bazës materiale drejt KZAZ-ve. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e KQZ, Drilona Hoxha tha se materialet logjistike zgjedhore, dje u shpërndanë në Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor të Qarkut Kukës, Vlorë, Korçë, Gjirokastër, Dibër, Shkodër, Berat dhe Fier. Ndërkohë, sot materialet zgjedhore do të shpërndahen në Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor të Qarkut Lezhë, Elbasan, Durrës dhe Tiranë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në funksion të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor që do të zhvillohet më datë 25 qershor, ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për ngritjen e infrastrukturës zgjedhore. “Ditën e shtunë, datë 17.06.2017, me mbërritjen e fletëve të votimit për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë dhe për zgjedhjet për kryetar të Bashkisë Kavajë pranë ambienteve të KQZ-së në Lundër, Komisioni punoi intensivisht për të përgatitur të gjithë bazën materiale logjistike zgjedhore si: kutitë e votimit, kutitë e materialeve zgjedhore, fletët e votimit, vulat që do të përdoren nga Komisionet e Qendrave të Votimit, vulat me kodet e sigurisë e të tjerë. Sot ka filluar procesi i shpërndarjes së bazës materiale nga KQZ drejt KZAZ-ve, proces ky që do të kryhet nga administrata e KQZ-së në bashkëpunim me zyrat rajonale zgjedhore dhe Ministrinë e Mbrojtjes. Materialet logjistike zgjedhore, sot po shpërndahet në Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor të Qarkut Kukës, Vlorë, Korçë, Gjirokastër, Dibër, Shkodër, Berat dhe Fier. Ndërkohë, ditën e mërkurë, datë 21.06.2017, materialet zgjedhore do të shpërndahen në Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor të Qarkut Lezhë, Elbasan, Durrës dhe Tiranë. Në këto fazë të procesit, është e domosdoshme që të gjithë anëtarët e 90 Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ), të marrin të gjitha masat e nevojshme dhe të jenë në gatishmëri në KZAZ-të përkatëse, për pritjen e bazës materiale zgjedhore, e cila do të përdoret ditën e votimit dhe gjatë procesit të numërimit të votave”.