Masimo Odo nuk është më trajner i Peskarës. Klubi italian ku luajnë shqiptarët Ledian Memushaj dhe Leonardo Maloku, ka bërë të ditur sot se 40-vjeçari është shkarkuar nga detyra. Në një komunikatë zyrtare, klubi që renditet i fundit dhe me fare pak shpresa për të mbijetuar në Serinë A, sqaron: “Pas takimeve të mbajtura dje dhe një takimi me presidentin Daniele Sebastiani, me keqardhje bëjmë me dije shkarkimin e trajnerit Masimo Odo dhe ndihmësit të tij, Marçelo Donateli. Shpresojmë që kjo sakrificë të ndërgjegjësojë grupin aktual të futbollistëve për të mos bërë më paraqitje si këto të deritanishmet. E falënderojmë trajnerin Odo për gëzimet që na ka dhuruar gjatë këtyre sezoneve. Për momentin, skuadra do të vazhdojë stërvitjet sipas programit nën drejtimin e Luçiano Zaurit. Në orët e ardhshme klubi do të bëjë të ditur vendimet mbi trajnerin e ri”.