Nëse Massimiliano Alegri nuk rinovon kontratën e tij me Juventusin dhe vendos të largohet nga bardhezinjtë në përfundim të këtij sezoni, mund të jetë pikërisht Luciano Spalletti, trajneri aktual i Romës, pasuesi i teknikut livornez në stolin e kampionëve të Italisë. Për tia rrëmbyer skuadrës verdhekuqe nuk do të jetë e lehtë, por dëshira e Spallettit për të drejtuar një ditë Juventusin, mund të ndryshojë shumë gjëra, sepse ish-trajneri i Zenitit ka deklaruar shpesheherë në media se do t’i pëlqente që në një të ardhme të afërt të bëhej pjesë e bardhezinjëve. Kjo është një nga arsyet kryesore që drejtori i përgjithshëm i Juves, Beppe Marotta po mendon për 57-vjeçarin toskan nëse Alegri do të zgjedhë të largohet.
Edhe Spalletti për momentin edhe pse po bën një punë të shkëlqyer te Roma nuk po rinovon kontratën e tij me skuadrën kryqytetase, një tjetër sinjal ky se ai e shikon Juventusin si një opsion real për të vazhduar karrierën. Një tjetër emër për t’u ulur në stolin e Juventusit është edhe ai i Diego Simeones, por vështirë se argjentinasi do të largohet në fund të këtij sezoni nga Atletico e Madridit, për më tepër që El Cholo u ka dhënë fjalën drejtuesve të Interit, që nëse ndryshon skuadër do të ishte i gatshëm të merrte drejtimin e ekipit zikaltër.