Phelps nuk njeh limite, fiton arin numër 22

Një legjendë e gjallë vetëm kështu mund të konsiderohet Michael Pelphs, pa të sporti i notit nuk do të ishte ndoshta kaq i bukur. Peshkaqeni nga Baltimore nuk di të ndalet duke fituar një tjetër medalje të artë në Lojërat Olimpike Rio 2016-të. Me kohën 1 minutë e 54 sekonda e 66 të qindat, 31-vjeçari dominoi edhe garën e 200 metrave stil miks për meshkuj, duke fituar medaljen e 4-t të artë në këtë olimpiadë, por edhe arin numër 22 në karrierë në lojërat olimpike. Phelps mposhti edhe një herë tjetër bashkëkombasin e tij Lochte, i cili e mbylli garën vetëm i 5-ti.
Në podium bashkë me Phelps u ngjitën japonezi Hagino që fitoi medaljen e argjendtë dhe kinezi Whang që me kohën 1 minutë e 57 sekonda e 5 të qindat bëri të tijën medaljen e bronzit në 200 metra stil miks për meshkuj. Për Phelps megjithatë Olimpiada e Rios nuk mbaron këtu. Amerikani, i cili përpara këtyre lojërave kishte përcaktuar objektivin e tij që ishte ai i fitimit të 4 medaljeve të arta mund ta çojë në 6 numrin e tyre nëse triumfon në garat e 100 metrave stil flutur dhe 4×100 stil miks me përfaqësuesen amerikane.
Mos e quani thjesht Michael Pelphs, as peshkaqeni nga Baltimore, pasi emri i tij kalon çdo përmasë, ai është më i madhi i të gjitha kohërave në sportin e notit, është një legjendë e gjallë dhe këtë po e konfirmon edhe në Rio de Janiero.
Në Rio kishte festë edhe për një tjetër notar amerikan, pikërisht për Ryan Murphy-in që triumfoi në garën e 200 metrave stil shpinë për meshkuj duke bërë të tijën medaljen e artë. Pasi kishte triumfuar në garën e 100 metrave stil shpinë Murphy u konfirmua si më i miri në këtë disiplinë edhe në garën e 200 metrave edhe pse në garat kualifikuese kohën më të shpejtë e kishte regjistruar notari rus Evgeny Rylov. Medalja e argjendtë u fitua nga australiani Mithcel Larkin, ndërkohë që rusi Rylov u mjaftua vetëm me vendin e tretë duke marrë medaljen e bronztë.
Surpriza e madhe e ditës u regjistrua në garën e 100 metrave stil i lirë për femra, ku amerikania Cate Cambell që ishte edhe favoritja e madhe për suksesin final e mbylli garën në vendin e 6-të. Por çuditë në këtë disiplinë nuk kishin fund sepse gara u fitua nga dy notare, amerikania Simone Manuel dhe 16-vjeçarja kanadeze Penny Oleksiak. Me kohën 52 sekonda e 70 të qindtat dy notaret vendosën një rekord të ri olimpik në këtë disiplinë, duke ndarë mes tyre edhe medaljen e artë. Diçka e tillë nuk ndodhte në garën e 100 metrave stil i lirë për femra që nga olimpiada e vitit 1984. Medalja e bronztë u fitua nga suedezja Sara Sjostrom që më herët kishte fituar medaljen e artë në garën e 100 metrave stil flutur.

Exit mobile version