Mbretëresha e sporteve atletika nisi me një rekord botëror në Olimpiadën e Rio de Janeiros, me etiopianen Almaz Ayana, që jo vetëm mori medaljen e artë të parë në këtë sport, por gjithashtu arriti të vendosë dhe një kohë të pabesueshëm prej 29 minuta e 17 sekonda e 45 të qindtat në garën e 10 000 metrave, duke përmirësuar me pothuajse 14 sekonda kohën më të mirë në këtë disiplinë, që rezistonte që prej vitit 1993. 24-vjeçarja bëri një garë të jashtëzakonshme duke lënë shumë pas dhe dy rivalet e saj, Vivian Jepkemol të Kenias, që mori medaljen e argjendtë dhe etiopianen Tirunesh Dibaba, që mori medaljen e bronztë, duke humbur dhe mundësinë për t’u bërë e para femër që merr medaljen e tretë të artë radhazi në të njëjtën disiplinë.
Gjithashtu në ditën e parë të garave të atletikës u zhvilluan dhe bateritë kualifikuese të garës së 100 metra me pengesa për femra, ku kohët më të mira u regjistruan nga kanadezja Brianne Theisen Eaton dhe Jessica Ennis e Britanisë së Madhe, që duket se do të jenë në konkurrencë dhe sa i përket fitimit të medaljes së artë. Në bateritë kualifikuese ndërkohë të garës së 100 metrave për femra, kohën më të mirë e regjistroi maltezja Charlotte Wingfield.