Gjykata Kundër korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar sot me 11 vite burg Bardh Hotin, i cili akuzohet se vodhi 150 mijë euro (70,000 € cash dhe sende me vlerë) në Francë. Lajmi është bërë i ditur për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala. Hoti u arrestua gjatë operacioni ‘Aquila 2019’ në maj të vitit 2019, si pjesë një grupi ‘skifterësh’ që vodhën më shumë se 60 banesa në Francë.
Bashkë me të u arrestuan edhe 7 shqiptarë të tjerë, nën akuzën e vjedhjeve me forcë të rreth 70 apartamenteve në Nancy të Francës. Këto vjedhje sipas autoriteteve franceze ishin kryer përgjatë tre muajve të fundit të vitit 2018. Grupi në fjalë u akuzua për kryerjen e veprave penale të “vjedhjes”, “pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe “grupi i strukturuar kriminal”.
Sipas policisë, vlera e sendeve të vjedhura në grup kapte vlerën e 300 mijë eurove, duke përfshirë këtu bizhuteri, sende me vlerë dhe para cash. Hetimet për grupin e skifterëve shqiptarë vijonte paralelisht në 3 shtete, Francë, Belgjikë dhe Itali.