Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e sotme në qytetin e Shkodrës.
Sipas burimeve të policisë, i plagosur ka mbetur ish-deputeti i PDK dhe ish-kryetari i Komunës së Velipojës, Pashko Ujka, 64 vjeç. Ngjarja ka ndodhur pranë universitetit të Shkodrës.
Nga raportimet mësohet se, ndaj Ujkas është qëlluar nga pas, ndërsa ai ka marrë një plumb pranë shtyllës kurrizore.
64-vjeçari ndodhet në spitalin e Shkodrës dhe raportohet se gjendja e tij shëndetësore është e rëndë.
Ujka ka qenë më parë deputet i Partisë Demokristiane dhe më pas ka mbajtur funskionin e kryetarit të Komunës së Velipojës.
Pashko Ujka ka qenë deputet i Partisë Demokristiane në Kuvendin e Shqipërisë në legjislaturën 2005-2009, i zgjedhur në Shkodër.
Ndërsa nga viti 2011 e deri në 2015, ai ka qenë kryetar i Komunës së Velipojës.
Ujka ka qenë i kërcënuar edhe me herët, pasi në drejtim të banesës së tij është qëlluar me armë zjarri. Fatmirësisht nga kjo ngjarje nuk ka patur të lënduar.
Policia njoftoi se rreth orës 18:15, në lagjen “Vasil Shanto” Shkodër, në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri shtetasi P. U., 64 vjeç, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
“Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë dhe vijon krehja e zonës me qëllim kapjen e autorit.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe zbardhjen e ngjarjes”, thuhet në njoftimin paraprak të Policisë.