Ndërsa duket se do të ketë akuza të mëtejshme në të ardhmen, akuzat fillestare për mbajtje arme ndërsa ishte i dënuar më herët për një tjetër vepër penale, si dhe për zotërim arme me numër serie të fshirë, do t’u mundësojnë autoriteteve që ta mbajnë të dyshuarin nën arrest gjatë kohës që do të vazhdojnë hetimet.
Kandidati republikan për president në zgjedhjet e këtij viti që mbahen më 5 nëntor nuk u dëmtua fizikisht. Por, ky incident ngre pikëpyetje të reja se si dyshuari i armatosur arriti t’i afrohet, vetëm dy muaj pasi një tjetër person i armatosur hapi zjarr më 13 korrik gjatë një tubimi në Butler të Pensilvanisë, duke e plagosur ish-presidentin në veshin e djathtë.
Sipas dokumente të paraqitura në gjykatë, të dhënat telefonike tregojnë se i dyshuari mund të ketë qëndruar në pritje për gati 12 orë të shtunën.
Shërbimi Sekret hapi zjarr pasi njëri prej agjentëve pikasi grykën e pushkës që dilte nga shkurret të dielën, mbi 300 metra pranë fushës ku ish-presidenti po luante golf.
I dyshuari u largua me një makinë fuoristradë, thanë autoritetet. Oficerët e policisë gjetën të lëna pas një armë gjysmë automatike të mbushur me municion (SKS) dhe të pajisur me një dylbi snajperi, një kamera dixhitale dhe një qese plastike me ushqime.
I dyshuari, i identifikuar të hënën me emrin Ryan Routh, i moshës 58 vjeçare, u arrestua rreth 40 minuta pasi kishte udhëtuar me makinë përgjatë autostradës drejt veriut, I-95. Kur u pyet a e dinte se përse po e ndalonin, zoti Routh “u përgjigj në mënyrë pohuese”, thanë autoritetet. Targat e vendosura në automjet ishin raportuar si të vjedhura nga një makinë tjetër.
Të dhënat tregojnë se telefoni i tij kishte qëndruar pranë fushës së golfit që nga ora 01:59 e mëngjesit të së dielës.
Zoti Routh është dënuar dy herë më parë në Karolinën e Veriut. Dënimi i parë është në vitin 2002 për zotërim armësh të shkatërrimit në masë dhe në vitin 2010 për zotërim sendesh të vjedhura. Detaje të mëtejshme për këto dy çështje të mëparshme gjyqësore nuk u bënë menjëherë të ditura.
Ish-Presidenti Trump fajësoi Presidentin Joe Biden dhe Nënpresidenten, njëkohësisht kandidate demokrate për presidente, Kamala Harris për përpjekjen për atentat. Ai përmendi “retorikën” e tyre dhe tha se i dyshuari po vepronte bazuar tek “fjalori tepër provokues” i demokratëve, megjithëse autoritetet ende nuk kanë paraqitur ndonjë evidencë për motivin.
“Retorika e tyre po shkakton që mua të më qëllojnë me armë, kur jam unë ai që do ta shpëtojë vendin dhe janë ata që po e shkatërrojnë vendin – nga brenda dhe nga jashtë”, tha ai, sipas rrjetit të lajmeve Fox.