I mori 1000 euro një shtetaseje për të pushuar çështjen ndaj djalit të saj, e pëson oficerja e policisë gjyqësore! SPAK ngre akuza ndaj saj

SPAK ka regjistruar procedim penal ndaj një oficereje të policisë gjyqësore, e cila i mori një shumë prej 100o euro një shtetaseje për të pushuar çështjen ndaj djalit të saj.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin penal Nr. 180 të vitit 2024, që bën fjalë për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal në ngarkim të shtetases A. D.

Nga aktet e administruara për interesa të këtij procedimi penal ka rezultuar se, në datë 10.09.2024, në emisionin Fiks Fare në TV Top Channel, janë transmetuar pamjet filmike mbi rastin korruptiv të Oficeres së Policisë Gjyqësore A. D., në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila i kërkon dhe i merr shtetases H. Ll., shumën prej 1 000 Euro, si shpërblim për të pushuar çështjen penale në ngarkim të djalit të saj, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a i Kodit Penal.

Nga kryerja e veprimeve të para hetimore rezultoi se ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se shtetësja A. D., me detyrë Oficere e Policisë Gjyqësore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, ka konsumuar elementët e veprës penale Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal.

Për interesa të këtij procedimi penal, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, caktimin e masës të sigurimit personal dhe Gjykata me vendimin e saj Nr. 117 Akti, datë 16.09.2024, ka vendosur pranimin e kërkesës, caktimin e masës të sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale. Kjo masë sigurimi është ekzekutuar nga policia gjyqësore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë në datën 16.09.2024.

Hetimet për këtë procedim penal vazhdojnë me administrimin e provave të tjera për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Prokuroria e Posaçme falenderon programin Fiks Fare në TV Top Channel për sensibilizimin e opinionit publik ndaj këtij akti korruptiv dhe fton qytetarët dhe median për të denoncuar pranë institucionit tonë çdo veprim apo akt korruptiv me të cilin ata mund të ballafaqohen ose ndeshen.

Exit mobile version