Plantacionet me kanabis në Krujë

Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar disa foto të plantacioneve me kanabis në Krujë. “Në Kanabistan, në Krujë, arat e kanabisit të Edvin Shullazit! sb”, shkruan Berisha në një postim në Facebook, duke publikuar edhe fotot. Kruja është shndërruar në një rezervat gjigant droge si kurrë ndonjëherë në historinë e saj. Plantacionet e drogës shtrihen që nga ujësjellësi i Bovillës për të vazhduar në të gjithë gjatësinë e saj deri në vargmalet e Krujës.
Ndërkohë, tashmë në Krujë ka nisur vjelja e kanabisit për t’u bërë gati për trafikim jashtë shtetit. Bimëve narkotike, pasi u hiqen boçet hidhen në lumë apo grumbullohen në vende të ndryshme dhe më pas u vihet zjarri. Këto ditë janë zbuluar qindra bimë narkotike pranë lumit Zezë të Fushë Krujës. Sipas banorëve, bimëve narkotike u janë vjelë boçet dhe më pas janë hedhur në lumë. Mendohet se këto bimë vijnë nga parcelat e drogës në zonën e Krujës. Kanabisi kësaj radhe u shfaq në rrjedhën e lumit Zezë të Fushë Krujës. Bashkë me mbeturinat përgjatë lumit me qindra degë të bimës narkotike kanë përfunduar aty.
Disa nga banorët shprehen se, origjina e tyre është nga parcelat e drogës të mbjella në zonën e Krujës. Nga policia bëhet e ditur, se nuk do të ketë hetim për ketë rast, pasi mbetjet e hashashit nuk mund të jenë objekt hetimi. Në këto kushte edhe vendi se, nga janë hedhur do të mbetet i pazbuluar. Lumi Zezë buron nga Malësia e Krujës dhe përshkon disa fshatra të saj. Më pas, kalon përmes qytezës së Fushë Krujës, duke përfunduar në Ishëm.

“News 24” filmon nga ajri parcelat me kanabis në malësitë e Tiranës

Mjafton një fluturim i shkurtër mbi malësinë e Tiranës për të identifikuar nga lart parcela të mbjella me kanabis sativa. Sikundër dëshmojnë pamjet e siguruara ekskluzivisht nga ‘News 24’, të xhiruara vetëm pak ditë më parë, shihet qartësisht se sipërfaqet e mbjella janë në një terren të thepisur malor që përkon me zonën e “Malit me Gropa” në afërsi të poligonit të Bizës në Martanesh.
Ajo ç’ka bie në sy është terreni i përzgjedhur nga kultivuesit, i fshehur totalisht në kreshta, mes pyjeve, larg rrugëve automobilistike, aty ku mundësia e identifikimit nga toka është thuajse zero.
Edhe Policisë së Shtetit do t’i mjaftonte një fluturim mbi këto zona për të identifikuar parcelat me kanabis që ende sot vijojnë të rrisin bimën e drogës pa u ‘kositur’ nga dora e shtetit.

Exit mobile version