Brenda 48 orësh, Kryeministri u ngrys dhe u zgjua në takime të gjata publike para kamerave me ish-Kancelarin gjerman, Shrëder, prej kohësh nën varësinë direkte të mikut të tij Putin në gjigandin “Gazproom”. Po përse Rama përzgjodhi Shrëderin dhe cila është vlera e mesazheve të tij, ndërkohë që prej kohësh ai njihet në Perëndim si lobues politik i qarqeve oligarkike të Putinit?
Karriera e jashtëzakonshme e Gerhard Shrëder bazohet mbi premisën premtuese se çdo gjë që ai bën askush nuk e kujton për shumë kohë. Veç të tjerash, sharmi personal i ushtruar ndaj bashkëkombasve të tij arrin çuditërisht që të mjegullojë perceptimin e punës së tij.
Kush i kujton dy vizitat e Shrëder me Leonid Iliç Brezhnjevin të kryera në Moskë në vitet 1980 e 1982, tamam në muajt ku sovjetikët nisnin pushtimin e Afganistanit dhe drejtonin raketat SS-20 nga Europa Perëndimore dhe kush kujton se Shrëder mendonte se vetë Brezhnjevi ishte më i prirur për të folur për paqe sesa amerikanët? Askush nuk kujton kundërshtimin e Shrëder ndaj ribashkimit gjerman dhe krijimit të euros? E çfarë të thuash për mbështetjen e tij ndaj shitjes së tankeve gjermane Arabisë Saudite, më pas e prishur prej vendimit të qeverisë socialdemokrate të Helmut Schmidt dhe në kohëra më të vonshme, në cilësinë e Kancelarit, për impenjimin e tij që të bindë Bashkimin Europian t’i japë fund embargos ndaj shitjes së armëve Kinës? “Ky njeri”, tha një herë Helmut Kohl, “ka aftësi të konsiderueshme për të qëndruar rregullisht në anën e gabuar të historisë”. Si për të respektuar këtë thënie, Shrëder duket se sërish i ka besuar instinktit të tij në këtë kuptim.
Një muaj pasi ka lënë postin e Kancelarit, ka pranuar në fakt presidencën e një kompanie të kontrolluar nga Gazpromi, pikërisht në momentin në të cilin Vladimir Putin, mik i ngushtë i Shrëder, po tentonte t’i transformonte rezervat e mëdha energjetike të kontrolluara nga kompania në një instrument të fuqishëm të politikës së jashtme, të finalizuar për ta forcuar ndjeshëm influencën gjeopolitike të Moskës. Në postin e tij si President i bordit të North European GasPipeline Company (e kontrolluar nga Gazprom dhe si aksionerë minorance, nga gjermanet BASF dhe E.ON Ruhrgas), Shrëder duket se ka kryer një zgjedhje të pakthyeshme.
Nëpërmjet Gazpromit, Rusia ka frikësuar Ukrainën që të paguajë çmime goxha më të larta për gazin dhe u ka ndërprerë furnizimet, në shenjë raprezalje për orientimin properëndimor të marrë nga Kievi. Andrei Ilarionov, këshilltar ekonomik i Putinit, ka lënë postin duke u ankuar se në Kremlin komandon tashmë një klikë ish-anëtarësh të KGB-së të lidhur me Presidentin dhe duke theksuar se menaxhimi i kompanive shtetërore, si puna e Gazpromit, përcaktohet para së gjithash nga interesat personale të anëtarëve të aparatit të lidhur me Putinin. Presioni ndaj Ukrainës përcaktohet nga Illarionov si “hapi i parë drejt një politike imperialiste”.
Shrëder mendon ndoshta – në këtë është i pajisur nga dinamikat politike gjermane – se në situata të kësaj natyre është e rëndësishme që të shkohet deri në fund pa tundime dhe pa mëdyshje.
Në fund të fundit, kujton Bela Anda, ish-zëdhënësja e tij, se përpara fushatës elektorale fitimtare të vitit 1998, megjithëse duke pasur frikë se divorci nga bashkëshortja e tretë mund ta dëmtonte elektoralisht, nuk ngurroi dhe u martua për herë të katërt. Popullariteti i tij ra me 50 për qind, por brenda pak javësh i rifitoi konsensuset e humbura. Bile në këtë fushë avancoi edhe më shumë: në mars të 2015 u nda nga bashkëshortja numër 4. Duke rrezikuar që të prishë nofkën “Kancelari Audi”, për shkak të numrit të unazave që ka makina në logon e saj. Gjatë kësaj fushate, duke injoruar ndalimin e shprehur nga Bashkimi Europian, Shrëder u takua me Presidentin bjellorus, Alexander Lukashenko, akoma sot i konsideruar si diktatori i fundit i Europës. Kush e kujton këtë? Me siguri Kremlini. Lukashenko, mik i mirë i Rusisë, paguan 47 dollarë kundrejt 230 dollarëve që Gazpromi i kërkon Ukrainës për 1000 metra kub gaz rus.
Gjithsesi, këto kohë plateja me të cilën Shrëder duhet të përballet nuk është më e njëjta. Zona e re elektorale referuese është opinion publik ndërkombëtar me ndjenjën e tij të shpifësisë dhe punës së re të ish-Kancelarit nuk është sigurisht e krahasueshme me atë të një kampioni të vjetër boksi, i huazuar në fund të karrierës nga një kazino e Las Vegas. Sigurisht që objektivi i Putinit me punësimin e Shrëder është para së gjithash i lidhur me vullnetin për të siguruar inteligjencë dhe influencë politike, jo vetëm njerëz–imazh që sigurojnë investitorët perëndimorë për transparencën e kompanisë shtetërore ruse. Dhe në këtë pikë ish-Kancelari ka qenë i suksesshëm.
Përgatiti: ARMIN TIRANA