Një i ri ka përfunduar në humnerë në Fushë-Arrëz, pasi po ndiqej nga policia për kultivim të lëndëve narkotike. Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme në fshatin Lajthizë të Fushë-Arrëzit, ku policia kishte shkuar për të shkatërruar një parcelë me kanabis. I plagosuri, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, është dërguar me helikopter në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.
Aksioni për shkatërrimin e një parcele me kanabis në Fushë-Arrëz nisi dje pas një shkrimi të publikuar në gazetën “RD” para një jave, më 14 korrik, ku e gjithë zona e Fushë-Arrëzit dhe e Pukës janë të mbjella me kanabis dhe janë në pronësi të kryetarit të Bashkisë së Pukës, Gjon Gjoni dhe shefit të Komisariatit të Policisë, Hamdi Shullani. E gjithë Puka është e mbuluar me kanabis dhe ky fakt ka ngjallur reagime tek qytetarët vendas, por edhe më gjerë. Për këtë shkak, u arrestuan dy policë të thjeshtë për t’i përdorur si kokë turku se gjoja po goditet kultivimi i kanabisit, por në fakt të gjitha parcelat e mbjella me kanabis kontrollohen nga vetë kreu i Bashkisë dhe policisë.
Sipas të njëjtave burimeve, zona më e madhe e mbjellë me kanabis është në Luf, zotërohet nga vetë shefi i komisariatit dhe ruhet me policë dhe banditë të armatosur. Burimet saktësojnë se shoferi i shefit të Komisariatit të Policisë patrullon me makinë për çdo ditë në këtë zonë për të kontrolluar rojet, pasi kanabisi është në fazën e pjekjes dhe ka frikë se mos e bëjnë gati për ta trafikuar persona të tjerë.
Bëhet e ditur se shefi i komisariatit ka lidhje të hershme me kryetarin aktual të Bashkisë së Pukës, pasi ai ka qenë në këtë detyrë edhe para dhjetë vjetësh, kur ka qenë në pushtet e majta, në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar shefi i komisariatit ka dhënë një kontribut në fushatën zgjedhore për të bërë kryetar kandidatin e PS, Gjon Gjoni. Tashmë e gjithë Puka është e mbjellë me kanabis që në Luf, Qelëz, Sapac, Zvinë, Qafë Mali, etj. Edhe Fushë-Arrëzi është i mbuluar me kanabis dhe arat me drogë kontrollohen nga kryetari i Bashkisë së Fushë-Arrëzit, Fran Tuci.