Oficeri i Policisë Alban Trimi është liruar nga burgu, pasi Gjykata e Lartë ka vendosur dje masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj tij. Trimi u arrestua pas hetimeve për vrasjen e Elton Çiços disa muaj më parë në një lokal në zonën ish-Bllokut në Tiranë. Alban Trimi, ish-shefi i Antidrogës në Komisariatin Nr.5 të Tiranës, akuzohet për veprime që pengojnë të vërtetën, pasi fshehu pistoletën e viktimës Elton Çiço, i cili e mbante me vete.
Alban Trimi kishte apeluar masën edhe në Gjykatën e Apelit, por kjo shkallë e gjyqësorit nuk ndryshoi masën e parë arrest me burg. Më pas, polici i arrestuar e dërgoi çështjen në Gjykatën e Lartë, e cila vendosi për lehtësim të masës së sigurisë ndaj tij.
Elton Çiço u ekzekutua me dy plumba në kokë më 1 maj të këtij viti. Policia ka shpallur në kërkim si autorë të dyshuar të këtij krimi Jani Aliajn dhe Renato Milloshin. Elton Çiço ka qenë në tavolinë me tre persona, kur u ekzekutua për vdekje nga i dyshuari Jani Alia.
Sipas hetimeve të akuzës, Trimi që mbrëmjen e ekzekutimit të Çiços ka qenë në shoqërinë e këtij të fundit, ka fshehur armën e viktimës. Po këtë të mërkurë, Gjykata ka ndryshuar masën edhe ndaj mjekut Redjan Rraja dhe ky i ndodhur në të njëjtën tavolinë ku u ekzekutua Çiço dhe me të njëjtat akuza si ish-polici Trimi për fshehje të provave.
Prokuroria paraqet provat ndaj efektivit Alban Trimi për fshehjen e armës dhe celularit të viktimës, Elton Çiço pas vrasjes në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Sipas Prokurorisë, menjëherë pasi Çiço u qëllua me armë, oficeri i policisë, Alban Trimi, sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, rezulton se ka lëvizur viktimën dhe më pas i ka marrë armën dhe celularin, duke u larguar nga vendi i ngjarjes. Sipas Prokurorisë, polici Trimi që punonte pranë Komisariatit Nr.5, në Tiranë është larguar nga lokali për të mos u kthyer më. Megjithëse, i akuzuari ka mohuar akuzat e ngritura nga Prokuroria, por pamjet filmike e “fundosin” policin.
Çfarë zbuloi Prokuroria nga pamjet filmike? Sipas pamjeve filmike, shtetasi Alban Trimi shkon tek tavolina ku ishin ulur, merr disa sende nga aty dhe i vendos në xhepin e majtë të pantallonave të tij dhe del nga dera në krah të majtë të banakut e kthehet sërish në lokal dhe në këtë moment dallohet se në xhepin e djathtë të pantallonave të tij ka një celular ngjyrë të zezë.
Pastaj shkon tek vendi ku pak më parë personi tjetër la sendin si pistoletë e merr atë e kalon në pjesën para brezit nga përpara dhe me dorën e djathtë e fut në pjesën e pasme të brezit nga e djathta, duke përdorur edhe dorën e majtë për ta sistemuar në brezin e pantallonave nga pas. Pas kësaj del nga fokusimi i pamjeve filmike dhe nuk kthehet më në këtë vend ku për pak kohë vijnë punonjës policie. Nga hetimet e Prokurorisë bëhet me dije se më pas në vendngjarje nuk është gjetur pistoleta dhe aparati celular i përdorur nga viktima.