Pogba në Torino

Paul Pogba është ende një lojtar i Juventusit. Gjatë një konference për shtyp në Australi, aty ku Juventusi po zhvillon fazën përgatitore, trajneri i bardhezinjve Masimiliano Alegri i është përgjigjur interesit të gazetarëve në lidhje me të ardhmen e Pogba. Tekniku 48-vjeçar ka deklaruar se momentalisht francezi është një lojtar i Juventusit. “Pogba është një element shumë i rëndësishëm për skuadrën. Për momentin ai është ende një futbollist i Juventusit, por në ditët në vazhdim nuk e di se ç’do të ndodhë. Gjithsesi kam besimin se ai do të vazhdojë të qëndrojë në Torino”, u shpreh Alegri.
Më pas tekniku toskan foli dhe për merkaton që po zhvillon “Zonja e Vjetër”. Alegri shprehet i kënaqur me transferimet e deritanishme dhe është i sigurt se në fund të merkatos ai do të ketë në dispozicion një skuadër akoma dhe më të fortë.
“Jam shumë i kënaqur nga merkatoja që po zhvillojnë drejtuesit e klubit. Ata kanë arritur të transferojnë futbollistë, të cilët kanë aftësi shumë të mira teknike, siç janë Pjaniç, Dani Alves, Benatia dhe Pjaca. Sezoni i ri i Seria A do të na gjejë akoma dhe më të fortë se viti i kaluar”, tha trajneri i Juventusit.
Përsa i përket miqësores kundër Melbourne Victory, Alegri ka deklaruar se të gjithë do të kenë minuta në dispozicion në mënyrë që të kuptojë dhe gjendjen fizike të futbollistëve.
Ndërkohë, Pjaca është zyrtarisht bardhezi kundrejt 23 milionë eurove për Dinamon e Zagrebit. Tashmë është zyrtare, Juventusi fiton betejën për një nga talentet më të mëdhenj të futbollit kroat, ndërsa Dinamo e Zagrebit arkëton 23 milionë euro. Marko Pjaca është në të gjitha kuptimet një lojtar bardhezi, pasi përfundoi me sukses vizitat mjekësore dhe hodhi firmën në kontratën 5-vjeçare me klubin torinez. Me fanellën me numrin 20, Pjaca pozoi për mediat, duke u bërë lojtari i katërt që i bashkohet Juventusit pas Pjaniç, Dani Alves e Benatia.
Në komunikatën e publikuar nga kampionët e Italisë, bëhet me dije se shuma për kartonin e lojtarit do të paguhet në dy këste, ndërsa lojtarit i është lejuar edhe një javë pushim përpara se të nisë aventurën me klubin e tij të ri. Talenti ballkanas u shpreh mjaft i emocionuar për aventurën e re në Serie A, duke theksuar se ishte ai që mori vendimin për t’u bashkuar me “Zonjën e Vjetër”.
“Mezi po pres momentin që të nis punën me shokët e skuadrës dhe dëshiroj që të fitojmë sa më shumë trofe. Ky është motivi se përse zgjodha Juventusin. Kam si objektiv fitimin e titullit dhe Kupën e Italisë, ndërsa në Champions League synojmë të ecim sa më gjatë që të jetë e mundur. Shpresoj t’i bëj sa më shumë të lumtur tifozët”.

Exit mobile version