Gomez i Barçës, Reali “me gisht në gojë”

“Andre Gomez do të luajë sezonin e ardhshëm me Barcelonën”. Lajmi që publikoi e përditshmja madrilene “Marca” rreth mesnatës ishte vërtet befasues, por gjeti konfirmimin, pasi pak më vonë ishte vetë Barcelona që zyrtarizoi akordin me Valencian për Andre Gomez. Një goditje e vërtetë ajo e klubit katalanas duke qenë se prej ditësh ishte folur për kalimin e mesfushorit te rivalët e përjetshëm të Realit me lajmin që jepej i sigurtë. Të pakta detajet për operacionin, flitet për një akord të arritur për 50 milionë euro me Valencian edhe pse me bonuset shuma mund të rritet ndjeshëm.
Duhet theksuar se sulmi i Barçës për Andre Gomez ka qenë i vendosur dhe i rrufeshëm, duke qenë se vetëm dy ditë më parë Reali i Madridit i kishte dorëzuar Valencias një ofertë zyrtare, e cila bashkë me bonuset arrinte në total rreth 60 milionë euro. Papritmas në orët e fundit të së enjtes gjërat ndryshuan me katalanasit që bënë një parakalim vendimtar ndaj rivalëve për të dhënë lajmërimin zyrtar në Twitter. Javën e ardhshme Andre Gomez do të firmosë dhe do të prezantohet si lojtar i ri i Barcelonës.
Historia e afërt e Andre Gomez është e njohur për të gjithë. Mesfushori portugez i lindur në vitin 1993 është kthyer në një nga xhevahirët e kësaj merkatoje verore falë një sezoni fantastik të përjetuar me Valencian, ndërkohë që nuk mund të thuhet e njëjta gjë për paraqitjen e tij në Europian me Portugalinë. Interesat e Gomez janë nën kujdesin e atij që konsiderohet si menaxheri më i fortë në botë, Jorge Mendez.
Në pranverë e kërkuan disa klube italiane, Napoli dhe Juventusi, por shumë shpejt kuptuan se kërkesa e Valencias për 60 milionë euro e bënte futbollistin të paarritshëm për to. Javën e fundit nuk munguan dhe sirenat e zakonshme të klubeve angleze derisa doli në pah oferta e Realit të Madridit, por ndoshta ishte shumë vonë, pasi duke parë se si përfunduan gjërat duket se Gomez ka pasur ndërkohë një akord verbal me Barcelonën.

Exit mobile version