Policia fshehu vrasjen në një magazinë me hashash

Prokuroria e Tiranës nis hetimet për vrasjem e shtetasit Bledar P. me një plumb në kokë në një magazinë me hashash në fshatin Kologjesh të Njësisë Administrative Shëngjergj të Tiranës. Të shtunën e 7 tetorit, Policia e Tiranës raportoi se kishte gjetur të vrarë me armë zjarri një 36-vjeçar në një stan në Kollogjesh të Shëngjergjit. Ajo tha në një njoftim zyrtar se, shtetasi B.P. dyshohet të jetë vetëvrarë. Nuk pati njoftim tjetër për këtë ngjarje. Po të shohësh edhe titujt e gazetave, TV e portaleve s’ka asgjë më shumë se njoftimi i policisë, përveç portaleve online që hidhnin dyshime se ngjarja mund të ishte e lidhur me kultivimin e kanabisit.
Burime nga Prokurorias bëjnë të ditur se,bëhet fjalë për një vrasje të pastër. Bledar P., është qëlluar me plumb pas koke. Një plumb pistolete e ka goditur pas veshit dhe i ka dalë në pjesën e syrit. Ekspertiza mjeko-ligjore vërtetoi se ai është qëlluar nga fare afër. Në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhoja pistolete TT dhe kashallshnikovi.
Policia e Tiranës i fshehu këto detaje dhe e “shiti” ngjarjen si vetëvrasje. Por kjo është vetëm një pjesë e skandalit. Burime të Prokurorisë thanë se Bledar P., nuk u gjet në ndonjë stan. Vendi ku ai ishte qëlluar ishte një magazinë hashashi. Ishte një magazinë e ndërtuar me llamarina, thuajse 3 metër e lartë dhe me sipërfaqe afro 200 metër katrorë, e mbushur plot me kanabis të tharë. Përballë magazinës u gjetën edhe disa parcela me kanabis të pa korrur.
Në rrethana të tilla, përse duhej që policia të bënte një njoftim për vetëvrasje? Çfarë e shtyu Policinë e Tiranës ta klasifikonte si të tillë vrasjen e 36-vjeçarit nga Shkoza që u gjet me plumb pas koke mes grumbullit të hashashit? Përse duhej mbuluar kjo vrasje? Përse duhej fshehur magazina përplot me hashash?
Një burim i Prokurorisë tha se, sasia e madhe e drogës u dogj pa u mbajtur raport, pa u peshuar. Pra, nuk dihet se sa drogë kishte në magazinën ku u gjet Bledar P., i vrarë.
Nxitimi i Policisë së Tiranës dhe Komisariatit Nr.4 që mbulon zonën për ta zhdukur kanabisin me shpejtësi ngre të tjera dyshime, ashtu si nxitimi për ta klasifikuar vrasjen si vetëvrasje. Nuk dihet nëse hetimet e Prokurorisë do të përshijnë edhe veprimet e policisë, për të zbuluar arsyen e vërtetë të fshehjes së një krimi të rëndë nga forcat e rendit, atë të vrasjes për pazare droge.
Burimet bënë të ditur se trupi është gjetur nga të afërmit, së bashku me një pistolet të llojit TT pranë tij dhe disa plumba pistolete dhe automatiku. Por ekspertët dyshojnë se, ai mund të jetë vrarë pasi ka një plumb në kokë, në afërsi të veshit dhe me dalje para fytyrës.

Exit mobile version