Policia korr kanabisin pasi vilet droga nga trafikantët

Aksionet e policisë për korrjen e kanabisit janë një show dhe mashtrim i radhës. Ditët e fundit policia ka njoftuar se ka ndërmarrë disa aksione në Jug të vendit, por edhe në Veri për shkatërrimin e parcelave me kanabis. Por burime nga radhët e policisë bëjnë të ditur se, forcat policore kanë korrur kanabisin, pasi është vjelë droga nga trafikantët dhe është grumbulluar për t’u trafikuar jashtë shtetit. Sipas të njëjtave burimeve, trafikantët që kanë mbështetje nga policia, kanë punësuar njerëz të papunë, duke i paguar 20 mijë lekë dita për të mbledhur drogën nga kanabisi, duke lënë në këmbë kanabisin, ndërsa policia shkon më pas për t’i prerë ato.
Ndërkohë, në ato parcela që kanabisi nuk e ka arritur akoma pjekjen, policia nuk guxon të shkojë, pasi parcelat me kanabis zotërohen nga drejtuesit e bashkive dhe të krerëve të policisë. Mali i Çukës në Vlorë është i mbjellë me kanabis nga Habilajt dhe ka nisur faza e korrjes. Bëhet e ditur, se në këtë zonë policia nuk guxon të afrohet, pasi parcelat me kanabis janë në pronësi të njerëzve të Tahirit.
Tashmë i gjithë vendi ndodhet nën pushtetin e kanabisit, ndërsa bima narkotike ka arritur pjekjen e saj dhe në mjaft zona ka filluar mbledhja për t’u trafikuar jashtë shtetit. Bëhet e ditur se, plantacionet me hashash ruhen nga punonjës policie, të cilët janë të përfshirë në këtë trafik fitimprurës.
Realisht në të gjithë Jugun e vendit si Vlorë, Tepelenë, Gjirokastër, Berat, Sarandë, Skrapar, Kolonjë e Korçë, lulëzojnë pyjet e mbjella me kanabis. Po ashtu edhe në pjesën tjetër të vendit, nga Delvina në Dumre, si dhe nga Dukagjini në Krujë përfshi edhe Tiranën, kanabisi lulëzon në plantacione dhe është gati për t’u korrur e trafikuar jashtë shtetit. Ndërsa policia bën gjoja sikur organizon aksione për shkatërrimin e tij.
Nëse qeveria do të kishte pikësynim goditjen e kultivimin të lëndëve narkotike, atëherë si shpjegohet që kanabisi lulëzon në të gjithë vendin, ndërsa policia bën sikur organizon aksione, duke korrur disa parcela të vogla që u përkasin njerëzve pa mbështetje nga polcia. Apo më keq akoma, korr kanabisin, pasi është vjelë droga nga trafikantët.
Kultivimi në masë të gjerë i kanabisit në të gjithë vendin tonë është kthyer në një shqetësim ndërkombëtar. Policia italiane, ndryshe nga ajo shqiptare, është shumë e shqetësuar për këtë situatë. Sipas autoriteteve italiane, kultivimi i hashashit është zgjeruar në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe ky përbën një shqetësim serioz.
Rajoni Vlorë-Sarandë është kthyer në “tunelin” e drogës për të arritur në Itali dhe Greqi e më pas në vendet e tjera të BE-së. Dhjetëra tonë marijuanë rezultojnë të kenë hyrë tre vitet e fundit nga kjo zonë dhe më pas, janë trafikuar drejt Italisë e Greqisë në rrugë tokësore e detare. Shifrat që servir policia greke për trafikun e drogës nga Saranda janë vërtet të frikshme. Vitin e shkuar rezulton se, Policia e Sarandës ka bllokuar 1.2 tonë drogë, ndërsa ajo greke, matanë kufirit të Qafë-Botës, 7 tonë. Kështu, mësohet se në rrugë tokësore droga çohet vetëm në Igumenicë, ndërsa në rrugë detare ka disa drejtime, si: Igumenicë, Prevezë, Korfuz, Patra, Kefalonia e Kielini. Po ashtu, kanabisi trafikohet nëpërmjet detit drejt Italisë.

R.POLISI

Exit mobile version