Politika anormale për një kohë anormale

Ekonomistët, bankierët dhe shqiptarët e zakonshëm kanë vrarë mendjen se cilat janë shkaqet që leku shqiptar është forcuar përgjatë vitit të fundit, nga kuota e zakonshme prej 140 lekësh për euro, e cila ka qenë gati e fiksuar që nga viti 2009, në 132 lekë për euro aktualisht.
Ky forcim i lekut vjen ekzaktësisht në të njëjtën periudhë, kur Banka e Shqipërisë ka mbajtur interesin më të ulët bazë në historinë e shkurtër të politikës monetare në vend dhe kur interesat e depozitave e të kredive janë në minimumin e vet historik, për aq sa vendi ka histori.
Kjo vjen gjithashtu në një kohë, kur deficiti tregtar i Shqipërisë shënoi një rekord tjetër negativ më 2017, duke arritur në – 353 miliardë lekë [link INSTAT].
Hera e fundit kur leku ka njohur luhatje të këtyre përmasave është viti 2009. Brenda pak muajve, euro u rrit nga 122 lekë që ishte më parë në 140 lekë. Por shkaqet e nënçmimit të lekut në atë kohë ishin të ditura për të gjithë. Qeveria po ndërtonte rrugën Rrëshen-Kalimash, një projekt i kushtueshëm që shkaktoi importe të larta në lëndë të para dhe fitime të larta neto të kompanive ndërtuese, para që dolën nga Shqipëria, duke vënë nën presion lekun.

Situata aktuale është më e paqartë. Nuk ka një shkak të tillë të dukshëm.
Dyshimet kryesore për këtë anomali te kursi i këmbimit bien mbi hipotezën se Shqipëria ka eksportuar sasi të stërmëdha kanabisi në vendet europiane gjatë viteve 2015-2017, para që kanë hyrë në tregun shqiptar në forma të ndryshme, duke sjellë një rritje të pazakontë të çmimeve të pronave të patundshme në Tiranë si dhe duke forcuar lekun përkundër të gjitha pritshmërive dhe logjikës.
Tregtia e kanabisit dhe sasia e parave që mund të ketë sjellë në Shqipëri kjo tregti është e pamundur të matet, ndërsa vlerësimet e mundshme janë tepër të përcipta. Ajo që dihet është se gjatë viteve 2016 e 2017, policia italiane ka kapur rreth 50 tonë kanabis në brigjet e saj dhe policia greke gjithashtu ka kapur sasi të konsiderueshme. Policia shqiptare ka arritur të kryejë goditje të tjera, duke sekuestruar dhjetëra tonë drogë. Në prill 2017, në Përmet u sekuestruan 11 tonë kanabis, ndërsa në tetor, 4.5 tonë drogë iu gjendën bandës së Habilajve në Babicë të Vogël pranë Vlorës. Në rast se supozojmë se Italia ka kapur gjysmën e drogës së eksportuar, atëherë mund të themi se 50 tonë të tjera kanë mbërritur në Itali. Përgjimet e italianëve mbi bandën e Habilajve tregojnë se këta të fundit arrinin ta shisnin kanabisin për 1500 deri në 2 mijë euro për kilogramë me çmim shumice dhe këto janë paratë që në një masë të madhe mund të jenë riatdhesuar në Shqipëri.

Nëse marrim parasysh këtë çmim, atëherë të 50 tonët që mund të kenë mbërritur në Itali kanë vlerë të barabartë me 75 deri në 100 milionë euro.
Ky është një vlerësim minimal. Në përgjithësi, agjencitë ligjzbatuese nuk janë në gjendje të kapin gjysmën e sasisë së drogës në qarkullim. Një vlerësim më i logjikshëm është se ata mund të kapin më pak se 20%. Kjo gjë bën që vlerësimi i përciptë i sasisë së drogës së eksportuar duhet të arrijë në disa qindra tonë, me vlerë të përafërt prej disa qindra milionë eurove. Këto janë para që munden me të vërtetë të shkaktojnë “tepri të euros” në qarkullim, siç i referohen bankierët një situate të tillë dhe rrjedhimisht, forcim të lekut.
Anomalia e dytë është më lehtësisht e matshme. Kjo anomali konsiston në luhatshmërinë ekstreme të shpenzimeve buxhetore nga muaji në muaj. Përgjatë katër viteve të fundit, qeveria shqiptare ka shpenzuar sasi shumë të vogla parash për pjesën më të madhe të vitit dhe një sasi të stërmadhe parash në muajin dhjetor.
Për shembull, ndërsa në muajt janar-nëntor 2016, qeveria shpenzoi mesatarisht 32 miliardë lekë në muaj, në dhjetor shpenzoi plot 74 miliardë. Nuk është se mund të kuptohet lehtë se ku përfundoi kjo shumë e stërmadhe parash e shpenzuar brenda një muaji. Nuk dimë nëse ndonjë investim publik me përmasa të mëdha është realizuar brenda 31 ditëve nga 1 dhjetori deri më 31 dhjetor 2016. Dimë se shpenzimet e stërmëdha në dhjetor janë përsëritur rregullisht që nga viti 2014.

Ky përqendrim shpenzimesh në muajin e fundit të vitit ka krijuar një anomali të skajshme në qarkullimin e parasë, duke sjellë në shumë raste mungesë leku në treg me pasoja zinxhir mbi konsumin. Është njësoj sikur një njeri të mos ushqehet deri sa të vuajë nga uria për njëmbëdhjetë muaj dhe pastaj t’i ushqehet me dhunë me një sasi të pamundur për t’u tretur.
Herë pas here, Banka e Shqipërisë i është lutur qeverisë të shpenzojë në mënyrë të njëtrajtshme paratë e buxhetit. Nëse sheh me vëmendje deklaratat e Këshillit Mbikëqyrës të BSH, numëron së paku shtatë deklarata të shtrira nga tetori 2014 deri në nëntor 2016 për të ngritur të njëjtin shqetësim.
Shprehja standarde e BSH e përdorur në këtë rast është kjo: “Banka e Shqipërisë gjykon se, një shpërndarje më e njëtrajtshme e shpenzimeve buxhetore gjatë vitit, do të përmirësonte efektivitetin e tyre dhe do të reduktonte luhatjet në treguesit ekonomikë e financiarë”.
Siç shihet, BSH flet për “përmirësim efektiviteti”, duke nënkuptuar me delikatesë se shpenzimet e stërmëdha të dhjetorëve socialistë janë joefikasë. Ky është një term zëvendësues për togfjalëshin më të përshtatshëm: shpenzime të tilla të dhjetorit janë para të hedhura dëm. Komplikimi i këtyre shumave për kursin e këmbimit është që vendit i mungon një qarkullim normal monetar i parave të buxhetit, pra, krahas teprisë së euros të sjellë me gjasa nga kanabisi, ka mungesë të lekut të shkaktuar nga kaosi në menaxhimin e buxhetit të shtetit.

A mundet BSH të ndërhyjë?

Banka e Shqipërisë vetëm mund t’i lutet qeverisë të jetë e arsyeshme me shpenzimet buxhetore, ose mund ta këshillojë atë, por përveç deklaratave, (dhe deklaratat i ka bërë) ajo nuk ka gjë tjetër në dorë. Por te kursi i këmbimit ndoshta ka diçka për të bërë.
Teorikisht dhe praktikisht banka qendrore duhet të jetë neutrale në tregun e këmbimit valutor të vendit. Leku duhet t’i nënshtrohet çmimit të përcaktuar nga tregu i lirë. Kur ka valutë me tepri në treg, pavarësisht se nga vjen kjo valutë, leku duhet të lejohet të forcohet, ndërsa kur ka valutë me pakicë, le të dobësohet. Banka e Shqipërisë ka për detyrë të ndërhyjë vetëm në situata të jashtëzakonshme. Pikërisht këtu qëndron edhe problemi. Me ‘situatë të jashtëzakonshme’, për një vend të varfër si Shqipëria, zakonisht imagjinohet gjendja kur vlera e lekut bie me shpejtësi dhe Bankës Qendrore i duhet të përdorë rezervën valutore të vendit për të shmangur nënçmimin e mëtejshëm afatshkurtër. Ne jemi në anën tjetër të problemit, kur një prani e pazakontë euroje, e kombinuar me mungesë leku në qarkullim, ka sjellë problemin e forcimit të lekut.

Banka e Shqipërisë e ka në dorë që të ndërhyjë në treg në këtë situatë, duke blerë euro në këmbim të lekëve. Kjo është një punë anormale për një bankë qendrore, por fakti është se Shqipëria është sakaq në një gjendje anormale, gjendje që kërkon një përgjigje adekuate.
BSH mundet që të blejë euro, duke tërhequr nga tregu tepricat e sjella nga kanabisi. Mirë do të ishte që qeveria me agjencitë e veta ligjzbatuese të ndërhynte për t’i sekuestruar eurot e kanabisit apo pronat e krijuara prej tyre, por të presësh diçka të tillë do të thotë që të jesh naiv.
Në mungesë të sekuestrimit, BSH ka mundësi që t’i blejë këto euro me çmim të lirë, me kushtin që të jetë e gatshme për t’i rishitur këto euro në të ardhmen, për të tërhequr lekun shtesë të hedhur në treg. Një stabilizim i kursit të këmbimit do të bënte mirë në ekonomi, pjesërisht në drejtim të normalizimit të të ardhurave nga eksporti dhe të çmimeve të mallrave të importuara dhe pjesërisht për shkak se do të funksiononte së paku në terma afatshkurtër, si një stimul monetar. Ndryshe nga llojet e tjera të stimujve monetarë të përdorur në SHBA, Europë e Japoni, ky i yni ngjan shumë më pak i rrezikshëm, pasi konsiston në operacionin e thjeshtë të tërheqjes së euros nga tregu, operacion që mund të përmbyset me lehtësi, duke e rishitur euron për të thithur likuiditetin e tepërt në lek në hedhur në këtë proces.

Reporter.al

Exit mobile version