Shqipëria me tarifat më të larta të telefonisë celulare

Shqipëria aplikon tarifa të terminimit të thirrjeve ndër më të lartat në Europë. Kjo do të thotë se për telefonatat që një klient i rrjetit A bën në drejtim të rrjetit B, ky i fundit e tarifon rrjetin A me një vlerë prej 1.48 lekësh për minutë. Kjo shifër vlerësohet nga BEREC (Trupi i Rregullatorëve Europianë të Komunikimeve Elektronike), si më e larta pas Lituanisë, Zvicrës dhe Serbisë. Sipas një vendimi të AKEP, kjo tarifë duhej të aplikohej në bazë të mesatares së vendeve të BEREC, e cila sot është rreth 1.11 lekë, ose 25% më lirë nga tarifa aktuale.
Për këtë arsye, AKEP ka kërkuar rishikimin e tarifave të terminimit në rrjetet celulare në vend dhe ka ftuar operatorët të japin propozimet e tyre. Vodafone dhe Telekom Albania propozojnë mbajtjen e tarifave aktuale, ndërsa Albtelecom kërkon aplikimin e asimetrisë. Në kushtet kur Telekom dhe Albtelecom kryejnë pagesa më të larta për thirrjet jashtë rrjetit dhe gjenden në një bilanc negativ ndaj Vodafone, AKEP propozon një periudhë asimetrie mes tarifave të operatorëve deri në rikthimin e të njëjtës tarifë, atë 1.11 lekë për minutë.

Në tabelën e mëposhtme paraqiten edhe fazat me çmimet përkatëse që do të aplikojnë operatorët për thirrjet nga jashtë rrjetit. Në rast të miratimit të këtij propozimi të AKEP, duke nisur nga muaji maj i këtij viti, Vodafone do të duhet të ulë tarifën e terminimit në 1.22 lekë, ndërsa Albtelecom ta rrisë në 2.66 lekë. Kjo do të thotë se, kur një klient i Vodafone telefonon një klient të Albtelecom, Vodafone do të duhet të paguajë 2.66 lekë për minutë. Kurse kur ndodh e kundërta, Albtelecom do të duhet të paguajë vetëm 1.22 lekë për minutë.
Duke nisur nga maji i vitit 2019, Vodafone dhe Telekom do të ulin më tej këtë tarifë, ndërsa Albtelecom do të vijojë të jetë i avantazhuar, por me një tarifë më të ulët prej 1.48 lekësh.
Në fazën finale që nis nga nëntori i vitit 2020, të tre operatorët do të aplikojnë tarifën e njëjtë MTR prej 1.11 lekësh për minutë. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare argumenton se, asimetria mund të duket në nivele të larta, por impakti i tyre në kostot mesatare të thirrjeve dalëse të Vodafone dhe Telekom Albania është shumë më i vogël se ndryshimet në vlerë relative dhe absolute të MTR te Albtelecom/TA. Gjithashtu edhe efekti në të ardhurat totale të Vodafone nuk është shumë i lartë. Ky propozim do të kalojë një periudhë 30 ditore këshillimi publik, pas së cilës anëtarët e këtij autoriteti do të marrin vendimin final.

Exit mobile version