Gjatë një dëshmie që mbajti të mërkurën para Komisionit të Jashtëm të Dhomës së Përfaqësuesve, Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo i informoi ligjvënësit për një sërë çështjesh të politikës së jashtme amerikane.
Rusia
Sekretari Pompeo u zotua se administrata Trump do të marrë “masat e përshtatshme” për rrezikun e ndërhyrjes ruse në zgjedhjet për në Kongres të nëntorit”, por pranoi se zyrtarët duhet të gjejnë se çfarë masash parandaluese mund të funksionojnë.
Pompeo i tha Komisionit të Jashtëm të Dhomës së Përfaqësuesve se qeveria nuk do të toleronte ndërhyrjen ruse në fushatën zgjedhore të zgjedhjeve të 6 nëntorit, kur votohet për 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve dhe një të tretën e vendeve të Senatit.
Komuniteti i Zbulimit në Shtetet e Bashkuara arriti në përfundimin se Moska kishte kryer një fushatë të fshehtë për t’i ardhur në ndihmë Presidentit Donald Trump që t’i fitonte zgjedhjet e vitit 2016, që solli fillimin e hetimit kriminal nga prokurori special Robert Mueller.
Kryediplomati amerikan Pompeo, tha se zyrtarët amerikanë presin të ketë “përpjekje të vazhdueshme” nga Rusia, për të ndërhyrë në zgjedhjet për në Kongres, që tani janë në fazat e para të fushatës në shumë shtete amerikane, 6 muaj para votimeve. Ai tha se mbetet për t’u bërë shumë punë për të zbutur, zvogëluar çdo ndërhyrje ruse.
Trump shpesh i ka nënvleftësuar thëniet se fushata e tij ka bashkëpunuar me rusët, duke e etiketuar vazhdimisht hetimin e drejtuar nga zoti Mueller si “gjueti shtrigash”. Të njëjtën gjë ai theksoi edhe të mërkurën.
Kongresmeni Eliot Engel, i cili është kryetari demokrat i komisionit, debatoi se administrata Trump “është duke i dhënë një leje kalimi Rusisë”, ngaqë Presidenti rus Vladimir Putin “mbështeti kandidaturën e
Presidentit Trump ndaj asaj të Hillary Clintonit” në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
“Në se lejojmë ndëhyrjen e huaj në zgjedhjet tona, përsa kohë që ata mbështesin objektivat tona politike, kjo do të thotë që vemë partinë para interesave të vendit dhe e zhysim demokracinë tonë në krizë,”- tha zoti Engel.
Koreja e Veriut
Ai tha se një takim i planifikuar mes Presidentit Trump dhe atij koreanoverior vazhdon të mbetet për t’u mbajtur më 12 qershor. Por ai theksoi se Washingtoni është i përgatitur që të largohet nga tryeza e bisedimeve, në nuk arrihet marrëveshja e duhur.
“Qëndrimi ynë nuk do të ndryshojë, deri në marrjen e hapave të duhur drejt çarmatosjes bërthamore të plotë dhe të verifikueshme të Gadishullit Korean. Një marrëveshje e keqe për ne nuk ka për t’u pranuar. Populli amerikan i ka varur shpresat tek ne, për arritjen e marrëveshjes së duhur”- tha zoti Pompeo gjatë séancës së dëshmisë para Komisionit të Jashtëm të Dhomës së Përfaqësuesve.
Pompeo tha gjithashtu se SHBA nuk i ka bërë ndonjë lëshim Koresë së Veriut në prag të bisedimeve.
Koreja e Veriut ka lënë të kuptohet se mund ta anulojë takimin, për shkak të mosmarrëveshjeve për kushtet e parashtruara nga SHBA për çarmatosje të njëanshme.
Dje Presidenti Trump tha se “takimi i Singaporit mund të mos ndodhë në kohën e caktuar, por ka shanse që ai të mbahet”.
Irani
Sekretari Pompeo foli edhe për çështjen e marrëveshjes bërthamore me Iranin. Ai tha se Shtetet e Bashkuara kanë në plan të takohen me zyrtarë europianë nga fillimi ose mesi i qershorit, për të biseduar lidhur me hapat e mëtejshëm në trajtimin e zhvillimit të armëve bërthamore nga Irani; Presidenti Trump në fillim të muajit u tërhoq nga marrëveshja ndërkombëtare e vitit 2015, e cila synonte kufizimin e programit bërthamor të Iranit, në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike që e patën dobësuar ekonominë iraniane.
Shtetet e Bashkuara thonë se kanë në plan që muajt e ardhshëm t’i rivendosin sanksionet ndaj Iranit, me shpresën që do ta nxisin Teheranin të shkojë në tryezën e bisedimeve për negociata të reja mbi provat me raketa balistike dhe ndërhyrjet ushtarake në Lindjen e Mesme.
Por 5 nënshkruesit e tjerë të marrëveshjes bërthamore: Britania, Franca, Gjermania, Kina dhe Rusia, kanë thënë se e mbështesin marrëveshjen ekzistuese me Iranin.
“Ne përpiqemi të punojmë me sa më shumë me miq, partnerë, aleatë, për të arritur objektivin e përbashkët, për t’i ndalur të gjitha kërcënimet bërthamore dhe jo bërthamore të Iranit”- tha Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo, në dëshminë që dha para Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve.