Gjykata penale në Shkup e dënoi me dy vjet burg ish-kryeministrin Nikolla Gruevski lidhur me një rast të blerjes së një makine Mercedes rreth 580 mijë euro me para të buxhetit të Ministrisë së punëve të brendshme, në vitin 2012. Gruevski akuzohej ngarkohej për veprën “pranim të dhuratës në bazë të ndikimit të jashtligjshëm”.
Po për këtë rast, 6 vjet e gjysmë burg iu dha ish-ndihmës ministrit të brendshëm, Gjoko Popovski i cili dje për një tjetër rast mori 9 vjet burg. Për blerjen me tender të manipuluar të mercedesit luksoz që favorizonte përfaqësuesin në Maqedoni të prodhuesit gjerman, akuzohet edhe ish-ministrja e brendshme Gordana Jankullovska, por për shkak të një shtatzanie me probleme, siç është konstatuar, asaj do t’i jepet vendimi në një seancë të veçantë. Gruevski dhe Jankullovska nuk ishin të pranishëm në gjykatë për të dëgjuar vendimin.Rasti u procedua në gjykatë me kërkesë të Prokurorisë së posaçme, e cila u themelua para më shumë se dy vjetësh për t’i dhënë fund krizës politike në vend.
Për planin e blerjes së makinës së shtrenjtë Mercedes, dëgjoheshin nga bisedat e përgjuara telefonike duke folur Nikolla Gruevski me Gordana Jankullovskën, ndërsa dëshirat e theksuara të ish-kryeministrit se çka duhej të përmbajë gjithsej makina, u vërtetuan pasi ajo iu tregua publikut me ardhjen e socialdemokratëve në pushtet.
Ky është vendimi i parë gjyqësor për ish-kryeministrin Gruevski, i cili po përballet, nga ana tjetër edhe me katër procese të tjera gjyqësore, që po ashtu burimin e kanë publikimet e bisedave të përgjuara telefonike të elitave politike, të biznesit e medias.
Gjykatësja Dobrilla Kacarska tha se: ”Secili bartës i funksionit publik duhet të dijë për parimin e llogaridhënies, ndërsa qytetarët duhet të dijnë se si shpenzohen paratë e tyre. Askush nuk duhet t’i nënçmojë qytetarët në atë mënyrë siç e bëri Gruevski”, theksoi gjykatësja. Avokatët e z. Gruesvki paralajmëruan se do ta apelojnë vendimin, ndërkohë që nuk mundën të japin përgjigje për vendndodhjen e klientit të tyre. Atij i është marrë pasaporta dhe nuk mund të largohet ligjërisht nga shteti.