Duke shmangur një kundërshtim historik, Komisioni për Marrëdhënie me Jashtë i Senatit amerikan votoi në favor të përzgjedhjes së presidentit Donald Trump për emërimin e drejtorit të CIA-s Mike Pompeo në postin e sekretarit të shtetit, pasi që senatori republikan nga Kentucky, Rand Paul, hoqi dorë nga kundërshtimi i tij në minutën e fundit.
Zoti Pompeo rrezikonte të bëhej kandidati i parë për postin e sekretarit të shtetit në historinë bashkëkohore që do të dështonte të siguronte konfirmimin nga Komisioni 21 anëtarësh për Marrëdhëniet me Jashtë të senatit, derisa senatori Paul dhe të 10 senatorët demokrat thanë se do të kundërshtojnë emërimin e tj.
Por derisa komisioni po përgatitej për votim, senatori Paul bëri shpalljen dramatike.
Nga fundi i javës senati do të vendosë nëse zoti Pompeo do të bëhet kryediplomati i Shteteve të Bashkuara, pasi presidenti Trump shkarkoi Rex Tillersonin, muajin e kaluar.
Zoti Pompeo është bërë një nga këshilltarët më të besueshëm të presidentit Trump dhe së fundmi ishte përfshirë në përgatitjet e një takimi të paralajmëruar të presidentit amerikan me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un. Presidenti Trump tani pret ndryshimin në Departamentin e Shtetit.