Postat: 70% e blerjeve online janë rreth 100 euro, ja “kalvari” që do kaloni tani për zhdoganimin

Ka shkaktuar një zemërim të madh te konsumatorët një vendim i fundit i qeverisë që të ulë kufirin e blerjeve online në 22 euro, kur blen direkt nga Shqipëria dhe në 45 euro kur ta dërgojnë (pa pagesë) nga jashtë, nga 20 mijë lekë apo rreth 145 euro, që ishte më parë.
Kufiri 22 euro, sipas konsumatorëve është shumë i ulët, ndërsa ata shtojnë se te blerjet online kishin gjetur raportin më të mirë mes cilësisë dhe çmimit. “Në Shqipëri vijnë produkte kineze apo turke të një cilësie të ulët, që shiten me çmim shumë të lartë për cilësinë që kanë, ndërsa në internet mund të gjesh mallra me çmime të pranueshme për markën dhe standardet që ofrojnë”, thotë Elona, një blerëse e rregullt online, që gjurmon shpesh në internet se cilat janë ofertat më të mira.
Punonjës të postave që veprojnë në Shqipëri tregojnë se blerjet online ishin bërë mjaft të preferuara nga individët, kryesisht të rinjtë e të rejat, sidomos pasi kufiri i pataksueshëm i blerjeve ishte rritur në 20 mijë lekë në vitin 2014.
Shtetet kryesore nga vijnë pakot janë Italia dhe SHBA-të.
Punonjësit e postave pohojnë se shuma e blerjeve luhatet nga 100 në 900 euro, por pjesa më e madhe e pakove, mbi 75% të tyre kanë një vlerë rreth 100 euro. Këto pako, me hyrjen në fuqi të vendimit të ri do të paguajnë edhe 22.4 euro më shumë.

“Kalvari” i doganës

Deri tani, dërgesat online deri në 145 euro nuk kishin nevojë për zhdoganim dhe posta ta sillte mallin direkt e në shtëpi. Tashmë, nëse malli i kalon 22 euro, për pritësin do të fillojë një “sorrollatje” e vërtetë, që shpesh nuk ia vlen mundimi për vlerën.
Në pakon e dërguar, dërguesi vë gjithnjë faturën e vlerës së mallit. Me hyrjen në fuqi të vendimit të ri të qeverisë, në momentin që vlera e faturës do i kalojë 22 euro ose rreth 25 dollarë do të fillojë procesi i zhdoganimit. Blerësi duhet të paraqitet në Postë ose në Rinas, varet ku i ka ardhur malli, të plotësojë deklaratën doganore dhe më pas të bëjë pagesën e doganës në bankë. Vetëm pasi të ketë marrë pagesën mund të bëjë tërheqjen e mallit.
Taksat shtesë përfshijnë TVSH-në 20% dhe taksën doganore 2.4%, në total 22.4%.
Në mbledhjen e fundit qeveria vendosi që blerjet online mbi 22 euro të paguajnë TVSH dhe taksë doganore, ndërsa për dhuratat apo dërgesat që qytetarët marrin nga jashtë taksimi fillon nga kufiri 45 euro.
Sipas vendimit, përjashtohen nga detyrimet e importit:
a) mallrat e blera nëpërmjet porosisë nga interneti, që importohen nëpërmjet dërgesave postare, vlera e të cilave nuk kalon vlerën ekuivalente në lekë të shumës 22 euro;
b) dërgesat e mallrave nga një individ jashtë Republikës së Shqipërisë për një individ në Republikën e Shqipërisë, të një natyre rastësore, pa pagesë dhe që përmbajnë vetëm mallrat e destinuara për përdorim personal ose familjar prej marrësit, vlera e të cilave nuk e kalon vlerën ekuivalente në lekë të shumës 45 euro”.

Për çdo blerje 22 euroshe online, tani paguhet doganë

Kryeministri Edi Rama dhe ministri i tij i Financave, Arben Ahmetaj kanë bërë premtime të shumta këto ditë për ulje taksash, por në fakt ata kanë vepruar ndryshe. Qeveria ka miratuar dhe vendosur dy taksa të reja që do të rëndojnë mbi dhjetëra mijëra qytetarë. Qeveria miratoi të taksojë të gjitha blerjet online mbi 22 euro dhe të gjitha dërgesat postare mbi 45 euro. Për çdo blerje online do të paguhet TVSH dhe dogana. Më parë kufiri i patatueshëm ishte 150 euro. Qeveria Rama e rriti këtë kufi menjëherë pas ardhjes në pushtet për të lehtësuar blerësit online, që po shtohen në Shqipëri. Por 2 vjet më vonë ajo ndryshoi qëndrim në mënyrë drastike. Tani qytetarët, për një mall që kushton 100 euro do të pagujnë 20 euro TVSH dhe taksën doganore.

Exit mobile version