“TIME”
David Von Drehle
Ishte pothuajse ora 3 e mëngjesit kur Presidenti i zgjedhur u ngjit në skenë me kostumin blu, këmishën e bardhë dhe kollaren e kuqe në sintoni të plotë me flamujt pas tij. Sondazhet, ekspertët dhe të dhënat parashikuan se do të ngjitej një grua për herë të parë në historinë e vendit – por jo, ishte një tjetër burrë me kostum. Nëse Presidentja do të kishte qenë grua, ndoshta do ta dinin të gjithë çfarë të prisnin.
Donald Trump, fillestar në politikë, vetëpromovues dhe provokator, u zgjodh Presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara më 8 nëntor, në një prej zhvillimeve më të jashtëzakonshme dhe më të paparashikueshme të historisë amerikane. I refuzuar universalisht si një kandidat që mburrej pasi kishte mundur 16 sfidues, duke thyer çdo rregull të njohur të politikës. Më pas ai u zgjodh për të rivalizuar një nga politikanet më të famshme të botës, ish-sekretare Shtetit, ish-senatore, ish-Zonjë e Parë, humbi tri debate kundër saj dhe fitoi kundërshtinë e më shumë se 60 për qind të amerikanëve.
Shumë e shumë gra e akuzuan për ngacmime seksuale. U mburr se fitonte dhjetëra miliona dollarë në vit dhe nuk paguante taksa. Marzhi i tij i fitores pritej të ishte më i madhi që ka arritur ndonjë republikan që në vitin 1988.
Për Hillary Clintonin, kundërshtaren që ai e kërcënoi se do ta fuste në burg kur të zgjidhej, Trumpi tha: “I detyrohemi mirënjohje të madhe për shërbimin që i ka bërë vendit tonë”. Për më shumë se 60 milionë amerikanë që kanë votuar për Clintonin pasi denoncoi vazhdimisht Trumpin si racist dhe seksist, Trump tha: “Ju drejtohem juve për udhëheqje dhe për ndihmën tuaj që të punojmë së bashku për të unifikuar vendin”.
Për komunitetin global, pasi kërcënoi se do të prishte marrëveshjet e tyre tregtare dhe vuri në dyshim aleancat me to, Trumpi tha: “Dua t’i them komunitetit botëror se edhe pse do të vendosim interesin e Amerikës të parin, do t’i trajtojmë me ndershmëri të gjitha çështjet”. Për planet e tij, të cilat janë përshkruar gjithmonë vakët, Trumpi tha: “Amerika nuk do të pranojë më asgjë më pak se më të mirën”.
Kjo ishte ajo që tha në fjalim aq pa entuziazëm dhe me aq pak energji sa mund të kishte qenë edhe fjalimi i përvitshëm i një drejtori spitali përballë stafit mjekësor. Nuk u tha se si kishte ndërmend ta shndërronte veten në forcën e butë, unifikuese dhe efektive për të cilën foli në fjalimin e fitores. Do të jetë një kodër e vështirë për t’u ngjitur.
Përse? Sepse kandidati Trump ka ofenduar gratë, hispanikët, myslimanët, njerëzit me ngjyrë, njerëzit e paaftë dhe kështu me radhë – ose ndoshta ka folur me aq pakujdesi sa miliona njerëz e kanë keqkuptuar. Për një President, të dy versionet janë të papranueshme. Ai do të përpiqet të shërojë vendin në një mjedis tepër të pakënaqur me qeverinë? Gjatë gjithë fushatës së tij Trumpi foli ashpër për abuzime të presidentëve që nga Obama deri tek Reagan, që nga Kongresi dhe gjykata, që nga liderët ushtarakë tek delegatët e huaj. I gjithë aparati, predikoi ai vazhdimisht, është një sistem i manipuluar. Kjo është qeveria që ai do të kryesojë.
Ai do të përpiqet të fitojë besimin e njerëzve me ngjyrë, të amerikanëve mulatë, të amerikanëve myslimanë dhe hebrenjve, teksa fanatikët e tjerë nacionalistë dhe antisemitët vazhdojnë të festojnë fitoren e tij. Trumpi shpoi të gjitha plagët e këtyre zgjedhjeve, të cilat do të duhet të nxjerrin gjak përpara se të shërohen. Ai do të përpiqet të përcaktojë rrugën e mandatit të tij, pavarësisht dështimit të mundshëm për të fituar votën popullore.
Presidenti Trump do të përpiqet të forcojë Shtetet e Bashkuara teksa përpiqet edhe ta distancojë nga rrjeti i aleancave të sigurisë dhe marrëveshjet e tregtisë së lirë që mbajnë në këmbë rendin botëror. Lajmi i fitores së tij i trazoi tregjet menjëherë, që nga Tokio në New York. Monedha meksikane ra në vlerën e saj më të ulët të 20 viteve të fundit. Duke amplifikuar tronditjen e votës së Brexit në qershor, i cili mund të jetë hapi i parë drejt përçarjes së Bashkimit Evropian, fitorja e Trumpit mund të trazojë shërimin e ngadaltë të botës.
Ai do të ndodhet përballë një Kongresi dhe një Partie Republikane që e mori me forcë, jo me bindje dhe do të vuajë pasojat. Pas fitores, ai lavdëroi mjaft kreun e Komitetit Kombëtar republikan, Reince Priebus, por kjo nuk mjafton për të riparuar dëmet. Një parti e shtyrë tradicionalisht nga vlerat konservatore ka zgjedhur një President radikal, i cili premton të prishë marrëveshjet, të rrëzojë ligje, burgosë kundërshtarët dhe të padisë kritikët.
Në mëngjesin tjetër, Paul Rayan, një skeptik i Trumpit, tha se ishte i kënaqur që fushata e Trumpit ishte treguar e ashpër me kritikët, madje foli për një zgjedhje të re të republikanëve, GOP-i që tashmë kontrollon Shtëpinë e Bardhë dhe Kongresin, tha ai, do të jetë partia që do të shpëtojë vendin nga Obamacare. Trumpi do të presë që amerikanët të kenë besim në familjen e tij teksa drejtojnë biznesin e madh ndërkombëtar që ai ka ndërtuar, një biznes që varet mbi shitjen e emrit të familjes, pasi Trump ia ka dedikuar fushatën sulmit të kundërshtarëve, të cilët vendosnin interesat personale përpara atyre kombëtare.
Ai do t’i kërkojë amerikanëve që të kenë besim tek njerëzit që do të zgjedhë ai, edhe pse e ka bashkuar veten me teoricienët më të zhurmshëm të internetit për konspiracione, të kenë besim tek kujdesi i tij, kur ka sulmuar një ish-fituese të një konkursi bukurie në Twitter në orën 3 të mëngjesit dhe të kenë besim në temperamentin e tij, edhe pse ai e ka tradhtuar pothuajse në çdo debat. Ndoshta nuk ka pasur asnjë zgjedhje tjetër presidenciale që të ngrejë kaq pikëpyetje me kaq pak përgjigje. Presidenti i zgjedhur nuk ka të kaluar politike, ka pak bashkëpunëtorë dhe shumë pak pozicion në politikë. Ai beson se Amerika është e prishur. Gjatë një konvente ai tha: “Vetëm unë mund ta riparoj”. Do ta shohim.
Si veteran i vjetër i biznesit të kazinove, ku ka ndërtuar perandorinë dhe humbur pasuri, Trumpi e di mirë se ç’do të thotë t’i fusësh të gjitha në lojë dhe të hedhësh zarët. Kështu e drejtoi fushatën e tij të paprecedent, duke vënë bast se amerikanët do të lartësonin një person, i cili ka luajtur me paragjykimet e tyre, i ka bërë bisht taksave, ka ekzagjeruar filantropinë e tij, është tallur me politikën dhe ka tjetërsuar të vërtetën. Ai e mori seriozisht pakënaqësinë e popullit kur thanë se u kishte ardhur në majë të hundës me politikën e zakonshme. Tani, asgjë në politikë nuk është më e pazakontë se Trumpi.
Bastet e preferuara të Trumpit janë ato mbi veten e tij. Ai urren të dalë i dyti. Vendi i dytë është për dështakët – epiteti i preferuar i Trumpit – dhe jeta të nxjerr përpara mijëra mundësi për të humbur apo fituar. Kush përveç Trumpit mund të kishte përmendur faktin, ditën kur u shkatërruan Kullat Binjake, se tani kulla më e lartë në Manhattan ishte e kulla e tij? Kush tjetër mund të mendonte të krijonte një hierarki heronjsh të Vietnamit dhe të thoshte për John McCain “Më pëlqejnë veteranët që nuk janë kapur”?
Në këtë fitore të fundit, Trumpi e kreditoi veten me drejtimin e “lëvizjes më të madhe në historinë e vendit” siç tha gjatë orëve të fundit të fushatës. Premtimi i tij: “Fitore, fitore, fitore”. Qëllimi i tij: “Ta bëjë Amerikën të jashtëzakonshme”. Gjenialiteti i tij: “Të bindë miliona njerëz, jeta e së cilëve është ndryshe nga jeta e tij, se vetëm atij mund t’ia besojnë mllefet, pasionet dhe pakënaqësitë e tyre”.
Ish-“playboy” tre herë i martuar, i cili foli në një video për ngacmimet që i bënte femrave, bindi evangjelistët që të kthenin qëndrimin e tyre si kurrë më parë. Ata pranuan “konvertimin” e tij dhe i besuan zotimit se do ta bënte Gjykatën Supreme të drejtë. “Zoti përdor njerëzit më pak të zakontë”, tha evangjelisti Mark Burns i Karolinës së Jugut, “njerëz si unë dhe si Trumpi”.
Ish-demokrati nga Manhattani dhe donator i përhersëm i liberalëve bindi të djathtët më të egër që ta besonin. Miliarderi shfrytëzoi në maksimum energjinë antiWall Street. I diplomuari në Wharton gjeti mbështetje tek një valë njerëzit të pashkolluar dhe ai e shfrytëzoi këtë lëvizje pikërisht ashtu siç tha, në vijë të drejtë nga Filadelfia në Uiskonsis, duke fituar edhe shtete ku republikanët nuk kishin fituar prej vitesh, ndoshta prej dekadash. Triumfi i tij ishte një hakmarrje e hidhur, një shprehje e të njëjtës pakënaqësi ekonomike dhe raciale që ia dhanë këto shtete Ronald Reaganit në fillim të viteve 1980. Ata që vidhnin punën e amerikanëve ndodheshin në Japoni në kohën e Reaganit, tani ndodhen në Kinë dhe Meksikë.
Megjithatë, ish-këshilltari i tij Corey Lewandowski thotë gjatë një interviste për “TIME” se, Trumpi nuk duhet parë si takticien, jo si një performues, edhe pse e mbajti audiencën në këmbë për më shumë se një vit. Pavarësisht origjinalitetit të çuditshëm të fitores së tij, është gjithmonë ai që të jep çelësat e Shtëpisë së Bardhë. “Është një kujtesë që thotë: Unë jam lajmëtari. Kam korrur atë që amerikanët kanë inat dhe do t’u jap atyre një zë”.
Zëri ishte shpërthyes, por ishte një gjuhë e njohur. Trumpi e ktheu veten në lajmëtar të një pjese të Amerikës që ka shprehur pakënaqësi me intervale të çrregullta gjatë gjithë historisë. Dyshues të elitës qeverisëse, kundërshtarë të emigracionit, kundërshtarë të marrëveshjeve të tregtisë së lirë dhe kufizimeve ndërkombëtare, fraksioni ishte xheksionian në vitet 1980, populist në vitet 1920 dhe trampist në vitin 2016.
Ai i nxori ata nga hija e koalicionit republikan, ku ishin ndjerë si fëmijë të adoptuar të lënë pas dore për gjysmë shekulli dhe ushqeheshin me copa retorike antiWashington. Stili bruto dhe pa doreza i Trumpit sinjalizoi se ai ndante mllefin e tyre për sistemin politik. Ai zgjodhi trumpetuesin e tyre, Steve Bannom të “Breitbart.com”, që të shërbente si krahu i tij i djathtë. Mesazhi mbyllës i Trumpit, i përmbledhur në një reklamë 2-minutëshe televizive, mund të ishte shkruar në çdo kohë gjatë dy shekujve të fundit për të adresuar këtë audiencë: bankierët ndërkombëtarë dhe kukullat e tyre në Washington po konspirojnë për të dobësuar kombin dhe për të grabitur popullin amerikan.
Ai është zgjedhja më e pazakontë që mund të kishte bërë populli amerikan. Ai nuk është avokat, siç kanë qenë 26 nga 44 presidentët e tjerë. Si ndërtues, ai mund të ketë diçka të përbashkët me inxhinierin Herbert Hoover apo me arkitektin Thomas Jefferson – nëse përpiqesh shumë të gjesh një ngjashmëri. Po si operator i kazinove të falimentuara të New Jerseyt? Si promovues i konkurseve ndërkombëtare të bukurisë? Si pjesëtar i botës së reality show? Këtu nuk ka asgjë të ngjashme.
Mund të duket se zgjedhja e një figure të tillë mund të reflektojë një rënie të madhe të nivelit të respektit që amerikanët kanë për postin e Presidentit. A është befasuese kjo?
Gjatë çerek shekullit të fundit Shtetet e Bashkuara kanë pasur një President, i cili sado punë të mira që bënte, gjente edhe kohën për lojëra seksi me një stazhiere në Zyrën Ovale. Ai u ndoq nga një President, i cili – edhe pse për qëllime të mira – e futi vendin në luftë pa asnjë plan pas pushtimit dhe e la ekonominë në krizën më të thellë financiare që nga Depresioni i Madh. Pas tij erdhi një President, i cili nga fundi kishte norma të mira aprovimi, por kishte rezymenë më të dobët që ishte parë ndonjëherë në Shtëpinë e Bardhë.
Ata ishin të gjithë presidentë të ndryshëm, por kishin të përbashkët paaftësinë për të bindur publikun se mund të ecnin me hapin e ndryshimit të shpejtë të botës. Të tre flisnin për shpëtimin e vendeve të punës në industrinë e prodhimit për amerikanët, por vendet e punës u rrëshkisnin nga duart. Ata flisnin se do të hiqnin fëmijët e varfër nga jeta e dëshpëruar, por nuk arritën t’i shpëtonin. Premtuan se do të shëronin përçarjet ndërmjet të majtës dhe të djathtës, por polarizimi ishte më akut. Premtuan se do të zhduknin terrorizmin, por terrorizmi përhapi kaosin në Lindjen e Mesme, krizë në Evropë dhe frikë nga Orlando në Boston, San Bernandino e Kaliforni.
Gjatë këtyre presidencave, secila me dy mandate, ekonomia e Shteteve të Bashkuara u rrit nga 9,5 trilionë dollarë në 16 trilionë, shkencëtarët dhe shpikësit amerikanë kanë dominuar ngritjen e teknologjisë dixhitale dhe intervali 47-vjeçar pa asnjë luftë ndërmjet fuqive të mëdha është zgjatur në 71 vjet – periudha më e gjatë e paqes që nga koha e Perandorisë Romake. Por politikanët dhe ekspertët rrallë herë flasin për anën pozitive të historisë. Veçanërisht pas luftës në Irak dhe recesionit ekonomik, historia e jetuar dhe e ndjerë amerikane, ajo që u shfaq në dosjet e NSA-së dhe u zbulua në dëshmitë e Kongresit, ishte një histori abuzimi, impotence dhe rënieje.
Trumpi nuk mund të kishte fituar kurrë pa këtë sfond politik. Nuk është çudi që kishte kaq shumë votues të gatshëm për të besuar tek ai. Por për të fituar garën atij i nevojiteshin më shumë se këto vota. Atij i nevojiteshin edhe njerëz të tjerë, të cilët e dinin që po mashtronte gjatë gjithë fushatës, por nuk u interesonte – njerëz që mendojnë se të jesh President, në fund të fundit, nuk është aq punë e vështirë pasi gjithçka që duhet të bësh është të lexosh informacionet e inteligjencës që të jepen, të trajtosh krizat eventuale dhe të bësh premtime që nuk ke asnjë mundësi të mbash.
Ka edhe frymë tjetër që i erdhi Trumpit përballë. Liderët botërorë janë duke dështuar edhe në një aspekt tjetër të axhendës së tyre. Askush nuk di si të trajtojë një tjetër revolucion që është duke përfshirë të gjithë botën. Bëhet fjalë për revolucionin teknologjik, një revolucion për të cilin ekspertët e Silicon Valley shpenzojnë orë të panumërta për të promovuar mundësitë e jashtëzakonshme që ofron. Por kjo ka edhe impakte të mëdha sociale dhe politike – të cilat kanë filluar të shfaqen dhe të shumëfishohen me shpejtësi – dhe tani po vijnë me shpejtësi aq të madhe sa qeveritë nuk arrijnë dot t’i menaxhojnë.
Çfarë do të thotë të vendosësh një kompjuter në dorën e çdo qenieje njerëzore, të lidhësh çdo individ në kohë reale me të gjithë pjesën tjetër të botës? Sa shumë ndryshim do të shkaktojë kjo teknologji gjithmonë e më e fuqishme? Elitat prej kohësh po ruhen prej këtij uragani dhe ende nuk e kanë parë potencialin e tij të plotë. Por miliona e miliona amerikanë, të cilët jetojnë jashtë qyteteve më të mira, luksoze e të pasura, po ndihen të lënë pas dore dhe është kjo teknologji ajo që ka mundësuar ndërgjegjësimin e tyre.
Kjo ka shumë rëndësi për Trumpin sepse ai i shfrytëzoi të gjitha pasojat që po sjell zhvillimi i teknologjisë, së bashku me globalizimin: vendet e punës në industrinë e prodhimit nuk po “vidhen” vetëm nga kinezët dhe meksikanët, por edhe nga robotët. Vendet e punës në industrinë e qymyrgurit zhduken për shkak të politikave të gjelbërta dhe të rritjes së eficensës së prodhimit dhe konsumit të energjisë. Mirëqenia asimetrike nuk u mundësua nga dobësia e amerikanëve, por nga media sociale. Bombat e pensioneve dhe kujdesit shëndetësor janë duke shpërthyer për shkak se njerëzit sot jetojnë më gjatë, gjë që është pjesërisht e mundur për shkak të zhvillimit të teknologjisë që sjell mënyra novatore të trajtimit të sëmundjeve. Trumpi e kapi këtë pakënaqësi dhe dhembje, por duke e hasur fajin tjetërkund. Dështimi i liderëve amerikanë për të zgjidhur këto probleme të mëdha e ndihmoi atë të zgjidhej President – por tani Donald Trump do të jetë lideri dhe është radha e tij të vrasë mendjen për të gjetur zgjidhje.
Revolucioni i teknologjisë ka pasur rëndësi të madhe edhe për shkak të një arsyeje tjetër: Trump ishte fillimisht një kandidat i suksesshëm, pasi kuptoi se të njëjtat forca duhet të trazonin sferën politike. Komunikimi është themeli i demokracisë. Sa më shumë komunikim të kemi, aq më e lehtë është për njerëzit të gjejnë atë që duan dhe të organizohen me individë të tjerë që kërkojnë të njëjtën gjë. Kjo vlen kur njerëzit kërkojnë gjënë e duhur, por edhe kur kërkojnë të gabuarën, kur kërkojnë të mirën, por edhe kur kërkojnë ligësinë. Për këtë arsye, shumë prej liderëve të mëparshëm që kanë kontribuar në krijimin e Shteteve të Bashkuara kishin frikë nga demokracia e pakufishme.
Trumpi nga ana e tij arriti të kishte komunikim me mjaftueshëm votues për t’u zgjedhur President. Njëlloj si Amazon që hoqi qafe gjigantët e shitjeve me pakicë apo Facebook që po nxjerr mediat jashtë qarkullimit, Trumpi përdori teknologjinë për të hequr qafe sekserët e politikës: reporterët dhe editorialet, partitë politike, madje edhe ushtritë e mëdha të promovuesve derë më derë të kandidatëve presidencialë. Marrëdhënia e tij me votuesit ishte e drejtpërdrejtë – të paktën kështu ndihej – përmes Twitterit, Facebookut dhe televizionit. Njerëzit e donin, edhe kur ndërmjetësit e përçmonin dhe hiperdemokracia e epokës së celularëve smart, njerëzit mund të arrijnë çfarë të duan, kur të duan.
Disa prej tyre e donin dëshpërimisht një figurë si Trumpi. Në disa lagje, ku në vitin 2016 problemi më i madh ishte shtresa e mesme e shoqërisë, ai u kthye në varësi. Një raport i Princetonit theksoi se 44 për qind e meshkujve që kishin dalë nga forca punëtore kishin marrë mjekime të rënda një ditë përpara zgjedhjeve.
Trumpi e kuptoi më së miri se fushata ishte performancë dhe ai nxori në pah të gjithë eksperiencën e tij artistike përpara audiencës së duhur. Konventa e tij në Cleveland tregoi historinë e vërtetë. Ekspertët e përshkruan eventin si një “aksident hekurudhor”, por Trumpi kuptoi se aksidentet janë shpesh interesante për t’u parë. Çdo ditë shfaqej një pjesëtar i ri i familjes së tij dhe çdo natë mbyllej me suspansë. Liderët zakonisht i qëndrojnë larg sallave përpara fjalimit, por Trumpi shfaqej gjatë gjithë kohës, duke ndjekur ndjekësit e tij.
Trumpi e zbuloi kuptimin e kësaj metode në fillim të këtij viti gjatë një interviste të dhënë për revistën “TIME” teksa fluturonte përreth Amerikës në një avion privat dhe shikonte veten e tij teksa dominonte të gjitha mediat në ekranin gjigant të sheshtë në avion. “Pasi të ndërtosh audiencën, ke fituar pushtetin”, tha ai. “Nuk kanë rëndësi sondazhet, por vlerësimet”.
Një veteran i politikës së Washingtonit shikon televizorin atë natë historike dhe një pyetje i lind në mendje: “Çfarë fitoi në të vërtetë?”. Presidenti Trump përfaqëson një fitore të forcave sizmike që fshihen nën mantelin e historisë, të njëjtat forca që po trondisin Berlinin dhe Pekinin, Parisin dhe Mosulin. Ai është një simptomë, jo shkaku, por një simptomë që nuk duhet injoruar. “Amerika ka qenë gjithmonë një pilar i stabilitetit”, thotë Dhruva Jaishankar, një ekspert i marrëdhënieve amerikano-indiane, i cili si të gjithë ekspertët e tjerë, po përpiqej të metabolizonte lajmin. “Papritur nuk e dimë më se çfarë do të ndodhë”.
Nuk e dimë se çfarë do të ndodhë, por e dimë se çfarë është e rëndësishme. Liria është e rëndësishme, dinjiteti, mundësitë dhe mirësia. Lista është e gjatë dhe për shumicën e njerëzve nuk ka ndryshuar për shumë kohë. Lista ka humbur në këto zgjedhje, por ndodhet përsëri në jetën e të gjithëve, në familjet, shkollat dhe lagjet. Ajo ndodhej edhe në mesazhin zyrtar të Presidentit të sapozgjedhur, Donald Trump. Ai foli për punën në ekip. Mirënjohjen dhe respektin reciprok dhe premtoi: “Nuk do t’ju zhgënjej”. Ka shumë gjëra të rëndësishme që tani ndodhen në dorën e tij dhe në aftësinë për ta mbajtur këtë premtim.
Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI