Si humbi Hillary?

Sam Frizell, Charlotte Alter

Që në fillim kishte gjëra që Hillary i kishte nën kontroll dhe të tjera që nuk do t’i kishte kurrë. Ajo ishte një teknokrate që përballej me Amerikën që kërkonte revolucion. Ishte një luftëtare e frikësuar, por e fokusuar në luftën e saj të dekadës së tretë përballë një brezi të ri armiqsh. Instinktet e saj, të orientuara drejt debatit thelbësor ishin ato të një personi jo shumë optimal për një skenë politike në ndryshim në të cilën votuesit kërkonin qëndrim, jo përgjigje. Kur ishte e bindur se kishte të drejtë, tregoi se ishte edhe kokëfortë.
Megjithatë, kishte potencial për atë dhe historinë e saj. Askush nuk mund të përpiqej më shumë se Clinton, fëmijëria e së cilës në shkollat më kërkuese për vlerat e punës dhe të mirave u përkthye në një jetë me shërbime publike. Ajo u fiksua pas detajeve dhe kërkonte plane për gjithçka, teksa tregohej gjithnjë e sjellshme ndaj aleatëve dhe ndihmësve të saj. Fakti më tërheqës për profesionistët politikë ishte që ajo e vlerësonte makinerinë e fushatës dhe rekrutoi shumë njerëz nga ata që kishin ndërtuar figurën e Barack Obamës në dy zgjedhjet fituese. Dukej se disfata që e ndoqi në vitin 2008 ishte çrrënjosur.
Kështu, qindra operativë demokratë patën besim të plotë, që nga liderët më të lartë të partisë, të cilët u transferuan në New York e deri tek idealistët 20-vjeçarë që kishin një kujtesë të dobët të kohës së saj si Zonjë e Parë apo të fushatës së vitit 2008. Ndihmësit që kishin lëshuar fushatën e Obamës vërshuan në numra të mëdhenj dhe ishin të gatshëm të punonin edhe në zyra të ngushta. Do të ishte një punë e jashtëzakonshme. Ata ishin brezi i më të zgjuarve dhe më të shkëlqyerve që mezi prisnin që gruaja e parë të ngjitej në Shtëpinë e Bardhë.
Fushata Clinton dhe ekipi i saj ishin një ndryshim dramatik nga turi që i dha dy herë kontrollin e Shtëpisë së Bardhë Obamës. Pa mantelin e ndryshimit apo lëvizjes së shpresës, Clinton dhe ekipi i saj punuan me durim për të ndërtuar një makineri të pandalshme fushate. Shpesh ishte dekurajuese dhe sfilitëse. Në fund, fushata doli kundër fenomenit populist të Trumpit, i cili e mbështeti fushatën mbi energjinë. Ai kishte aftësinë për t’i elektrizuar votuesit.
Ndërkohë që miliarderi e përshkruante garën e tij si fantastike dhe spektakolare, Clintoni e mbante kokën e ulur, përqendrohej tek prioritetet që do të fitonin titujt e gazetave. Nëse fushata e Obamës përdori analitikën komplekse për të identifikuar dhe tërhequr votuesit, operacioni i Clintonit përdorte të dhënat për të identifikuar vullnetarët e fushatës që u përpoqën, por dështuan të kapërcenin deficitin e entuziazmit.
Kishte momente optimizmi. Kur Clinton ngjitej në skenë, ishte e pandalshme. Maratona e saj, dëshmitë 110-orëshe në tetor 2015 mbi sulmet në Bengazi të Libisë, ishin një moment që i qetësoi të gjithë demokratët që nuk ishin bindur për kandidaturën e saj. Performancat e saj në tre debatet presidenciale e tejkaluan imagjinatën e skeptikëve, veçanërisht të votuesve të rinj. Fushata e Clintonit ishte e gatshme të mundte Trumpin në vendet ku ajo ishte më e përgatitur se ai.
Për një periudhë kohe, dukej se kjo forcë mund të ishte e mjaftueshme për të kapërcyer fenomenin e ish-yllit të reality show, podiumet e zbrazura të së cilit tërhiqnin më shumë mbulim mediatik se fjalimet e saj mbi politikën.
Megjithatë, kishte shenja paralajmëruese. Rivali i saj demokrat, Bernie Sanders premtoi revolucion dhe tërhoqi votuesit e rinj që i rezistuan Clintonin, me recetat e saj politike dhe kandidaturën e merituar. Përdorimi i serverit privat të e-mail-eve teksa ishte sekretare Shteti e ndoqi pa pushim, edhe gjatë konferencave për shtyp përpara fushatës në korridoret e Kombeve të Bashkuara.
Realiteti i përhershëm politik na kujton gjithsesi se makineria nuk mund të ndalohet dhe amerikanët parapëlqejnë luftëtarët. Që në fillim, menaxheri i fushatës Robby Mook e dinte se kishte sfida të mëdha përpara. I diplomuar në Columbia ishte punësuar në moshën 35-vjeçare për punën më të vështirë të politikës. Ai ndante besimin e Clintonit se përgatitja e mposht emocionin. Të gjithë e kishin paralajmëruar se Clintoni do të ishte e vështirë dhe shpesh kishte bindjet e saj, si të qëndronte më shumë në vendlindjen e saj New York se sa të bënte fushatë në shtetet fushëbeteja.
Ajo këmbëngulte gjithashtu se fushata e saj të niste në turin e dëgjimit për të folur me zgjedhësit për shqetësimet e tyre, edhe pse sondazhet tregonin se asaj i lejohej ta anashkalonte këtë hap. Ndihmësit ia bënë të qartë pakënaqësitë njëri-tjetrit, por e dinin se të detyroje Clintonin që të bënte diçka kundër instinktit të saj ishte e pamundur. Vetëm në muajin qershor, Mook dhe ndihmësit e tjerë të fushatës arritën të dorëzonin një manual për fushatën që do të hapej në New York.
Clinton nuk ishte as e ngathët dhe as e çinteresuar. Sapo të vendoste për një plan, ajo punonte më shumë se kushdo tjetër për ta ekzekutuar atë, një disiplinë që e kishte përftuar nga Universiteti Yale kur punonte për fushatën e George McGovern. “Kishte një tryezë shumë të vogël pune, që rrallë herë e përdorja sepse e kaloja të gjithë kohën time në terren”, shkroi Clinton në memoarin e saj. Njëlloj si stafi i saj, Clinton jetonte duke punuar, por fokusi i saj i përkushtuar prodhoi një verbëri të madhe në terren. Clintoni nuk e vizitoi kurrë Uiskonsinin gjatë fushatës së zgjedhjeve të përgjithshme dhe më 8 nëntor, shteti kaloi në favorin e Trumpin me një lehtësi që i la demokratët me gojë hapur.
Disa nga vullnetarët që bënin punë në terren që Hillary Clintoni kish bërë 44 vjet më parë e ndjenë rrezikun. “Do të ndihesha më mirë sikur të ishte duke fituar me 20 pikë”, tha Andrew Silvia, 34-vjeçari inxhinier, i cili bëri punë vullnetare për zyrat e New Hampshire një fundjavë përpara zgjedhjeve. Ai ishte pjesë e një ushtrie që trokiti në dyert e 415 mijë qytetarëve në shtet vetëm gjatë asaj fundjave. Por kjo nuk mjaftoi për të pritur valën e Trumpit.
Fillimi i vështirë i fushatës kishte eklipsuar orët finale të jashtëzakonshme të saj. Sfida e parë e papritur e Sandersit i dha zë rinisë populiste që kërkonte revolucion kundër elitës së pushtetshme, me pak fjalë si Hillary Clinton. Ajo arriti më pas të prekte votuesit, por fitoret e saj bëheshin gjithnjë e më të vështira, pothuajse të pasigurta, duke filluar që nga Ajoa ku fitorja e saj ishte shumë e ngushtë. Teksa Clinton mori fluturimin e saj në mes të natës, stafi që u la pas për të rregulluar gjërat e kishin moralin përtokë. Ambienti në zyra ishte i papërballueshëm dhe i rëndë, por ata e çuan deri në fund punën e tyre.
Gjërat nuk qenë më të lehta në New Hampshire, shteti që i dha Clintonit një mundësi të dytë në vitin 2008. Mook u takua me aktivistët veteranë nga fushata e mëparshme, të cilët dolën vullnetarë për të qëndruar larg eventeve të saj të vogla për t’i lënë vend të ardhurve të rinj që të njiheshin me kandidaten. Përsëri, Sanders nga Vermonti fqinj, ia kalonte asaj pothuajse 2 me 1.
Teksa zgjedhjet paraprake avanconin, emocioni rritej gjithnjë e më shumë. Votuesit në Michigan filluan të tërhiqeshin nga Sandersi, duke i dhënë Clintonit një goditje aq të ulët sa parapraket e 8 marsit u mbajtën mend si dita zyrtare më e keqe e fushatës së saj – përpara se të vinte data 9 nëntor. Gjatë zgjedhjeve paraprake, sondazhet publike e shfaqnin atë në avantazh, ndërsa të dhënat në seli shikonin shifra të kundërta. Clintoni e humbi shtetin me 1,5 për qind përballë Sandersit dhe në një rast tjetër humbi me një marzh akoma më të ulët përballë Trumpit.
Por edhe pse zgjedhjet paraprake qenë të vështira, besimi i Clintonit nuk ra kurrë. Ndihmësit e saj paralajmëruan më parë se do të kishte humbje – të paktën tre nga 4 shtetet e para do të shkonin në favor të Sandersit, sipas një raporti. Mook mobilizoi ekipin e tij për fushatën e vjeshtës edhe përpara se të zyrtarizohej kandidatura. “Kjo do të jetë një mënyrë për t’i thënë të gjithëve se jemi gati për zgjedhjet e përgjithshme”, i tha Mook kabinetit. Kandidatja, e cila ishte e ndërgjegjshme që nuk shkëlqente shumë në teatrin politik, kishte një pasion të veçantë për përgatitjen.
Ekipi i Clintonit projektonte vetëbesim për arsye të forta, ata kishin të dhëna befasuese për çdo votues që kishin nevojë, por modelet e tyre statistikore, njëlloj si sondazhet, ishin të gabuara. Ata përdorën kthesën e jashtëzakonshme të Clintonit pas debatit të parë presidencial për të gjeneruar një energji të madhe. Fushata sfidoi shtetet më të vështira për të rekrutuar njerëz të rinj. Në shumicën e rasteve patën sukses, por Karolina e Veriut kishte rezultate impresionuese. Fushata arriti një kthim votuesish prej 4000 vetësh dhe 13 mijë të regjistruar të tjerë brenda 24-orëve pas debatit të parë të Clintonit.
Në fundjavën e fundit të tetorit, 23-vjeçarja Elizabeth Nadler firmosi një regjistrim të tillë. E diplomuar së fundmi në Universitetin Duke, ajo punonte në departamentin e teatrit të shkollës si asistente dhe vullnetare për fushatën e Clintonit të paktën 20 orë në javë në zyrën e Durhamit. “Jemi të gjithë bashkë në këtë fushatë”, tha ajo të shtunën e kaluar në zyrën elektorale ku të ardhurit e rinj merrnin broshura të fushatës dhe listën e dyerve, të cilat do të trokisnin për të bërë pyetje. Vibracioni i lëvizjes që Clintoni nuk kishte arritur të gjeneronte, më në fund po dilte në pah, veçanërisht sepse në sondazhe ajo shfaqej në një avantazh tepër të ngushtë me Trumpin.
Kur erdhi dita e zgjedhjeve, Clinton e shkundi publikun votues. Sondazhet në ditën e zgjedhjeve thanë se 63 për qind e votuesve kishin thënë se Trumpit i mungonte temperamenti i duhur për të qenë president dhe 60 për qind e tyre se nuk ishte i kualifikuar. Teksa këto shifra dilnin në pah, Nadler po merrej me punët e saj të fundit. “Kishim akoma disa dyer ku do të trokisnim”, tha ajo. Njëlloj si zyrat e përgjithshme në Brooklin ajo priste e sigurt që në mes të natës të brohoriste: Zonja Presidente.
Kështu mendonte i gjithë ekipi i Clintonit, por nuk ndodhi kështu. Është e vështirë të përshkruhet niveli i tronditjes së fushatës teksa bindja e humbjes bëhej gjithmonë e më e fortë. Shumë ndihmës kishin biseduar me njëri-tjetrin se pas kësaj pune të vështirë ishin tepër të lodhur për të nisur menjëherë punën në Shtëpinë e Bardhë. Disa flisnin për të gjetur një punë të përkohshme në sektorin privat për t’u shplodhur përpara se të rinisnin punën e vështirë në administratë. Ata flisnin për të ardhmen e tyre të sigurt, por votuesit i thanë tjetër gjë. “E di sa të zhgënjyer ndiheni sepse edhe unë ndihem ashtu”, tha Clinton një ditë më pas. “Kjo është shumë e dhembshme dhe do të jetë e tillë për një kohë të gjatë”.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Exit mobile version