Presidenti Meta i përgjigjet Sorecës dhe Ramës: Nuk u ndalojmë të këndoni ‘na fitorja në fitorje’…

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka reaguar pas reagimit të Delegacionit të BE-së në Tiranë në lidhje me deklaratat e djeshme.

‘Reforma e drejtësisë dhe procesi i integrimit të Shqipërisë në BE duhet të jenë një prioritet për çdo politikan shqiptar, një arsye për unitet, jo përçarje, për të mirën e qytetarëve. BE-ja do ta vazhdojë mbështetjen e saj për procesin e reformës dhe do të sigurojë monitorimin e duhur të standardeve në bashkëpunim të ngushtë me SHBA-të,’ thuhej në reagimin e djeshëm të delegacionit të BE-së.

Por sot, zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi i pyetur nga mediat për një reagim lidhur me qëndrimet e shprehur dje nga ambasadori i BE dhe kryeministri Rama për reformën në drejtësi sqaron se:

Kam vetëm një qëndrim për të dy.

Presidenti i Republikës, jo vetëm i ka bërë të gjitha përpjekjet e mundshme deri tani, në mënyrë transparente e sistematike, të dokumentuar dhe informale, konstruktive e gjithëpërfshirëse, por edhe do të vazhdojë të bëjë çdo përpjekje për zbatimin kushtetues të reformës në drejtësi, për të evituar vonesat, kolapsin, zbatimin e njëanshëm e përçarës dhe kapjen e sistemit.

Presidenti nuk do të lodhet edhe në të ardhmen, si detyrim ndaj qytetarëve shqiptarë, të punojë në këtë frymë.

Ndërkohë Presidenti nuk ndalon askënd, të këndojë ‘na fitorja në fitorje’, si në variantin solo, ashtu edhe në kor.

Exit mobile version