Presidenti-qeverisë: Mos pengoni Prokurorinë, dorëzoni pajisjen e përgjimit

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i kërkon qeverisë shqiptare që të mos pengojë më tutje ushtrimin e funksionit kushtetues dhe detyrën ligjore të Prokurorisë së Shtetit për hetimin e ekzistencës dhe përdorimit të një pajisjeje interceptuese nga ana e Ministrisë së Brendshme.
Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, Presidenti Nishani i ka bërë thirrje dje qeverisë t’i dorëzojë sa më parë autoriteteve të hetimit pajisjen e kërkuar nga organi i Prokurorisë dhe të gjithë dokumentacionin tjetër të nevojshëm për procesin e hetimit.
Nishani ka i bërë thirrje gjithashtu qeverisë të ndalë çdo përpjekje për të manipuluar dhe mashtruar opinionin publik ndërsa ka sqaruar se pretendimi i ngritur nga Tahiri për pajisjen e firmosur nga Presidenti Nishani sipas një marrëveshjeje mes dy vendeve, Shqipërisë e Italisë.
“Qeveria të ndalojë përpjekjet për mashtrimin e opinionit publik në lidhje me marrëveshjet e bashkëpunimit me shtetin italian.
Marrëveshja e bashkëpunimit midis shtetit shqiptar dhe atij italian në luftën kundër krimit të organizuar nuk ka asnjë lidhje me veprimet antiligjore dhe të dënueshme të përdorimit të mjeteve ilegale dhe të paligjshme nga policia shqiptare.
Presidenti i Republikës dënon dhe distancohet nga tentativa e papërgjegjshme e qeverisë për të ngatërruar bashkëpunimin dhe partneritetin e shkëlqyer midis Shqipërisë dhe Italisë në luftën kundër krimit të organizuar, me veprime ilegale dhe të paligjshme të segmenteve të caktuara të Ministrisë së Brendshme në Shqipëri.
Presidenti i Republikës i kërkon prokurorit të Përgjithshëm të ushtrojë të gjithë autoritetin ligjor për të shmangur çdo pengesë që krijohet në hetimin dhe zbulimin e së vërtetës.

Exit mobile version