Presidenti Trump dekoron heroin (Foto)  

Qeni i plagosur në operacionin ushtarak amerikan kundër kreut të IS, Abu Bakr al-Bagdadi, është mbuluar me lëvdata nga Presidenti Donald Trump dhe krerët e ushtrisë amerikane. Qeni “i mrekullueshëm” ka bërë në Siri një “punë të shkëlqyer, në ndalimin dhe në vrasjen” e terroristit në Siri, shkroi Trump në twitter dhe publikoi një foto të kafshës.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Mark Milley gjithashtu theksoi se qeni kishte bërë një “shërbim të jashtëzakonshëm”. Kafsha është në rrugën e shërimit të plotë dhe ndodhet tashmë pranë ushtarakut përgjegjës për të në shërbim, tha gjenerali i lartë amerikan në një konferencë shtypi në Pentagon.

Emrin e kafshës dhe racën e tij ai nuk e tregoi: “Ne e mbrojmë identitetin e qenit”, tha Milley. Ai e justifikoi këtë me rrethanën se qeni ndodhet akoma në zonën e operacionit. Me sa duket bëhet fjalë për një qen stani belg.

Kjo racë përdoret shpesh nga forcat speciale të ushtrisë amerikane. Qeni e ndoqi pas në një tunel kreun e milicisë xhihadiste “Shteti Islamik”, ku al-Bagdadi më pas vrau veten duke ndezur një jelek me lëndë shpërthyese. Edhe tre nga fëmijët e tij vdiqën, u tha. Qeni u nxorr nga ushtarët amerikanë.

“Eleminimi i duhur”
Eshtrat e shefit të IS u varrosën në det të hapur, deklaroi Ministria e Mbrojtjes e SHBA. Të dhëna më të hollësishme për vendndodhjen dhe rrjedhën e funeralit nuk u njoftuan.

Milley bëri të ditur vetëm se “eleminimi” i kufomës së al-Bagdadit ishte bërë “në mënyrë të përshtatshme” dhe kishte përfunduar. Edhe kufoma e liderit të Al-Kaida-s, Osama bin Laden, i cili u vra në një operacion ushtarak amerikan në Pakistan në vitin 2011, gjithashtu u varros në det.

qeni hero

Exit mobile version