Nga procesi i pyetjeve rezulton se financimi për fushatën do të bëhej me qëllim që dy personat të merrnin pjesë në një takim të mbledhjes së fondeve më 8 tetor të vitit 2012. Ligjet amerikane ndalojnë financimet nga jashtë për fushatë. Po ashtu dhe pjesëmarrja e të huajve në ceremonitë e mbledhjeve të fondeve është e ndaluar, përjashto rastet kur ata shoqërohen nga shtetas amerikanë. Shehu ka pranuar se do të shoqëronte në ceremoninë e San Franciskos të Huajin 2 dhe se e ka bërë këtë në muajin tetor. Po ashtu, ai ka pohuar se të Huajit 2 nuk i është lejuar hyrja, por vetëm një foto me Presidentin Obama.
Sipas një shkrimi të botuar kohë më parë nga agjencia “BIRN”, Shehu ka postuar në Facebook më 8 tetor, ditën kur është zhvilluar ceremonia e mbledhjes së fondeve, një fotografi të tijën me Presidentin Obama dhe një tjetër po në të njëjtën ditë me Ramën.
Foton e tij me Presidentin Obama, Rama e shpërndau në prag të zgjedhjeve të vitit 2013. Menjëherë u hodhën dyshimet se fotoja ishte realizuar falë Bilal Shehut. Që në atë kohë u bë i njohur fakti se Shehu kishte dhënë donacione prej 80 mijë dollarësh.