Nga Ermal Peçi
Prej ditësh kanë filluar zërat qeveritarë, të cilët tentojnë të sfumojnë akuzat e Arben Ahmetaj ndaj Ramës të bëra në Rai3. Askush nuk merret me ato çfarë tha Ahmetaj, por merren personalisht me individin Ahmetaj, i cili është një i arratisur i drejtësisë. Ajo që kërcet në fakt dhe për mendimin tim është se Ahmetaj si një nga njerëzit më të afërt të Edi Ramës dhe ish-numri dy i qeverisë, këto akuza do të duhet t’i publikonte me fakte dhe këto intervista tek Rai3, t’i jepte përballë prokurorëve të SPAK. Mediatikisht këto akuza kërcasin fort, por nuk po ngjisin në një pjesë të opinionit publik sepse vetë Ahmetaj është një i arratisur i drejtësisë dhe duket sikur hajduti po bërtet kapeni hajdutin. Ahmetaj tha disa të vërteta, të cilat ne të gjithë i dimë, por dhe SPAK na i rikonfirmoi me urdhër arrestet e fundit ku grupet kriminale që u goditën, jo vetëm kishin ndihmuar Partinë Socialiste në zgjedhje, por disa prej tyre ishin vendosur në listë për deputet si në Lezhë edhe në Fushë Krujë. Në fakt prej 2013 skema që ka ngritur Rama është një skemë mirimange ku ai i ka të shtrira fijet në çdo ngjarje dhe në zhvillimin e jetës në Shqipëri. Ish-kryetar Bashkie, ish-deputetë, ish-ministra, ish-zëvëndës kryeministër, jo vetëm që kanë qenë persona me precedentë penalë e kriminalë, por dhe njerëz, të cilët mbanin lidhjet me bandat për të maksimizuar votën në terren. Kjo skemë, ku Rama de facto thotë se “Shteti jam unë” solli më pas emigracionin masiv prej 1 milionë shqiptarësh, shkatërrimin e ekonomisë, keq-menaxhimin e fondeve të Bashkimit-Evropian deri tek korrupsioni masiv që është dhe një nga plagët më të mëdha që ka Shqipëria sot. Por tashmë kjo është panorama që Shqipëria e prek edhe e diskuton që prej vitit 2013, e cila duket tashmë që i ka lodhur shqiptarët dhe po kërkojnë antidotin për tu shëruar nga “helmi” që ka instaluar Rama dhe kompania e tij. Shprehja e famshme e një prej sipërmarrësve më të suksesshëm që ka njohur historia. Henry Ford, i cili thoshte; mos kërko fajin por gjej mjetin e shpëtimit”, i përshtatet mjaft mirë situatës ku ndodhet Shqipëria sot. Programi paraprak i prezantuar nga Lulzim Basha, i cili ka mbledhur rreth vetes ekspertët të të gjitha fushave, njërëz të cilët kanë përfunduar studimet jashtë dhe janë rikthyer të kontribojnë në vëndin e tyre si dhe pedagogë të cilët janë zë publik por mbi të gjitha është konsultuar e diskutuar dhe me partitë si motra në Evropë është mjeti i shpëtimit për të krijuar mundësi të reja për shqiptarët dhe për t’i rikthyer dinjitetin shtetit. Lulzim Basha po i rikthehet të djathtës, atë të djathtë që PD vetëm e ka alkamuar me fjalë por në asnjë moment me vepra. Familja, prona dhe Zoti tre shtyllat e të djathtës tashmë janë rikthyer në vëmendje, por mbi të gjitha ka politika të mirëfillta për fuqizimin e familjes sepse pa një familje të fortë shoqëria është e destinuar të dështojë. Fondi për Mirëqenien e Familjes është më i detajuar, por do të doja të ndaloja tek propozimi me 20 mijë euro për fëmijën e tretë, i cili është jo vetëm një stimulim i fortë, por mbi të gjitha kur numri i popullsisë po ulet dhe numri i lindjeve ka rënë shërben si një katalizator për të ndryshuar këtë realitet. Reforma e Pronës, plaga më e madhe shqiptare, e cila ka marrë dhe po vazhdon të marrë jetë njërëzish si një nga krimet më të mëdha që i është bërë individit, por edhe ekonomisë shqiptare do të ketë një zgjidhje, e cila jo vetëm do i largohet burokracisë, ku aty ku është e lirë do të rikthehet menjëherë, nqs është e zënë do të kompesohet në vlerën e tregut dhe regjistrimi i pronave do të bëhet sipas parimit Uti Posidetis. Rritja e dyfishimit të arsimit me qëllim për të menduar për të ardhem sepse si investojnë tek brezat e sotme do të jetë pasqyra e Shqipërisë edhe mbi të gjitha fokusi i veçantë tek ekonomia si një nga sektorët, i cili është goditur më shumë. Taksa e sheshtë 9%, tatimi mbi të ardhurat personale 9% dhe gjithashtu 9% do të jetë e tatimi për biznesin ( duke përjashtuar biznesin e vogël) duke mos përfshirë dhe një sërë detajesh të tjera që ju ngelet ekspertëve të fushës t’i shpjegojnë tregon se si tregu mund të çlirohet e të marrë frymë. Këto janë vetëm disa nga pikat që prezantoi Basha para qytetarëve, të cilat realisht janë mjeti i shpëtimit të kësaj gjendje ku ndodhet Shqipëria sot. Situata ku ne jemi sot ka nevojë për antidotë në çdo qelizë institucionale, të cilët Basha me programin e tij duke se ka qëlluar në shenjë. Shënje e cila tashmë duhet të bëj bashkë vizionin me aksionin në terren për të takuar grupet e interesit, ekspertët dhe qytetarët për të ndryshuar Shqipërinë e cila meriton realisht më shumë.