Projekti Basha: Jo më pensione nën 250 mijë lekë

Rritje me 40% të pensioneve, me një nivel jo më të ulët se 250 mijë lekë të vjetra në muaj parashikon projekti i Lulzim Bashës në programin ekonomik të PD. Dje, pjesë e bashkëbisedimit të kreut të PD në çadrën e lirisë ishte edhe shtresa e pensionistëve, një nga shtresat e braktisura nga qeveria e që sot përballen me pamundësinë për të përmbushur kushtet më jetike të mbijetesës. Duke folur konkretisht për brezin e tretë, Basha deklaroi: “Zgjidhja që ne ofrojmë me taksa të ulëta, me liri e siguri për sipërmarrjen, do të bëjë të mundur që brenda 4 viteve të ardhshme, pensionet të rriten 40% dhe ne të mos kemi pensione nën 250 mijë lekë në muaj! Nuk do të ketë në fund të mandatit të parë të republikës së re, shqiptarë me pension minimal nën 250 mijë lekë”.
Basha tha se qeveria e PD do t’i japë fund shpenzimeve të luksit dhe këto para do t’i kthejë në shërbime dhe të mira për qytetarët.
“Do t’jua shpjegoj se çfarë do të thotë kjo. Këto para do të dalin nga diku. Këto para i kanë një grusht njerëzish, që jetojnë si sheikë, që ndezin purot e shtrenjta me 50 mijë lekësha. Ne do t’jua marrim këto para. Ata do të përpiqen të mos i dorëzojnë, t’i mbajnë këto para, që shumica e shqiptarëve të jenë nën mëshirën e qeverisë. Kjo është skema e tyre, kjo është mënyra sesi ata janë pasuruar. Ndaj është luftë që këto para t’ia marrim një pakice dhe t’ia japim një shumice që e meritojnë. Kjo është lufta. Politika e republikës së vjetër, resurset e shqiptarëve, ia ka dhënë një grushti kriminelësh dhe oligarkësh.
Republika e re do ta zhbëjë këtë me fuqinë e votës së lirë dhe me fuqinë e votës së ndershme. Ky është ndryshimi, ky është revolucioni demokratik, shumica do të rimarrë në dorë fatin e saj, pasuritë e saj. Kjo është zgjidhja, vëllezër dhe motra. Zgjidhje tjetër nuk ka”, u shpreh kreu i PD.
Basha u ndal tek vështirësitë që hasin sot pensionistët në jetën e përditshme ku pensioni i tyre nuk del për të paguar as gjysmën e faturave mujore që qeveria ka rritur duke nisur nga çmimi i energjisë, rritja e çmimeve për mallrat e shportës etj.
“Pensionet janë rritur më pak se ç’është rritur inflacioni. Po faturat e dritave, ujit, kujdesit shëndetësor? Janë rritur apo janë ulur? Janë bërë më mirë apo janë bërë më keq? Ata me një dorë marrin pensionin dhe nuk dinë çfarë të bëjnë më parë: të paguajnë energjinë, ilaçet, ujin? Kush mendon për këtë problem? Kush shqetësohet për këtë problem? Jo kjo qeveri, jo ky Kryeministër.
Ky është ai që rriti çmimin e energjisë për shtresat me më pak të ardhura. Ky rriti çmimet e shportës duke rritur çmimin e naftës që ndikon në gjithçka tjetër. Ky është ai që në vend që pensionistëve t’u japë mundësitë dhe rrugëdaljet, nuk u dha asgjë. Të dëshpëruar, shumica dërrmuese e pensionistëve shqiptarë sot i ka sytë vetëm tek lëmosha.
Pensionistët nuk kërkojnë lëmoshë, por t’u njihet kontributi i tyre dhe të jetojnë me dinjitet. A ekzistojnë mjetet që ata të jetojnë me dinjitet? Sigurisht që jo, sepse nëse jep 75 milionë lekë 5 miqve të kryeministrit për zero shërbime, sigurisht që nuk do të mbeten para. Sikurse nuk mbeten para për ndihmën sociale, për arsimin, shëndetësinë etj., sepse ato i gllabërojnë një grusht oligarkësh”, u shpreh kreu i PD.
Basha tha se tenderat korrupsivë, koncesionet korruptive do të anulohen; “paratë e shqiptarëve që kanë futur në xhepat e tyre në kurriz të shqiptarëve jo vetëm do të anulohen, por unë ju zotohem se këto para do t’ua nxjerrim nga xhepat e fryrë”. “Kjo është plotësisht e mundur”, garantoi kreu i PD, Basha.
Kreu i PD u shpreh se kauza e opozitës është e drejtë dhe e rëndësishme. “Nuk kërkojmë asgjë më shumë, por dhe nuk pranojmë asgjë më pak se gjithçka që do të pranonte një qytetar i Evropës: Zgjedhje të lira dhe të ndershme, pa krim, pa drogë, ndaj është i domosdoshëm krijimi i një qeverie pa konflikt interesi me zgjedhjet.
Ky kryeministër dhe kjo qeveri janë në konflikt interesi me zgjedhjet ndaj duhet të largohen për t’i hapur rrugë një qeverie që nuk është e lidhur me ta dhe nuk është fajtore për sjelljen e kriminelëve në Parlament, që nuk tregohet me gisht nga vetë ish-ministrat e saj, që ka urdhëruar me telefon lirimin e të dënuarve për të dhunuar votën e shqiptarëve.
Ky vendim tani është marrë dhe nuk ka më kthim.
Kjo betejë është jo vetëm për zgjedhjet e ardhshme, por për çdo palë zgjedhje, pas zgjedhjeve të ardhshme, ndaj duhet luftuar orë për orë në këtë shesh e në çdo shesh e rrugë e shtëpi shqiptarësh që i thonë jo, qeverisë së bërë njësh me krimin”, tha Basha.

Arben Shahini

Exit mobile version